Mbase do dalë si një shkrim i gjatë rreth atyre që kujtoj për këngët që këndoheshin rrugëve dhe shtëpive në Korçë, të cilat për fat të mirë nuk ndaloheshin nga policia e Diktaturës edhe pse nuk ngjiteshin dot në skenë. Sigurisht që kujtimet e shumë të tjerëve mund t’i plotësojnë.
Këngët nuk ishin të natyrës “popullore” edhe pse mbeteshin pa u njohur autorët, jo se mbaheshin sekret, por duke mos u konfirmuar në skenë ose në radio jo të gjithë i njihnin krijuesit. Ishin të natyrave të ndryshme dhe të krijuara nga të rinj korçarë, të krijuara në burg, si dhe jo rrallë të kopjuara nga këngë greke ose latine. Nuk di të jetë marrë njeri me një studim të plotë të tyre, por duke qënë larg, unë nuk i njoh studimet në Shqipëri rreth kësaj kategorie këngësh.
E përjashtoj në këtë shkrim periudhën e viteve ‘50, sepse nuk kam jetuar, por kujtoj se i vogël kam dëgjuar në festa familjare “Kënga e Marianas”, “Kënga e Xhemalit”, “Me verën kalohet më lehtë“ dhe ndonjë këngë tjetër shumë të njohur në gjithë qytetin, për të cilat nuk kam njohuri se si janë krijuar dhe nëse janë të kopjuara. Besoj se janë krijime të viteve ‘50.
Pra në mesin e viteve ‘60 kishte një numur këngësh që këndoheshin nëpër “sebepe”, të cilat nuk ishin nga të korit apo nga këngët e Petro Dulës. Më kujtohet edhe “kënga e invalidit”, e cila mbaronte me “Rroftë drapëri dhe çekani, këto janë krahë që fluturoj”. Nuk ishin të përhapura këngët e Abazit, të cilat ishin më të spikatura se të tjerat dhe me tekste mjaft të mira, por nuk di pse nuk kishin popullaritetin që gëzonin këngët e tjera.
Gjithashtu askush nuk këndonte prej grupeve të djemve amatorë këngët e Agim Prodanit, të cilat gradualisht po hiqeshin nga Radioja zyrtare. Ato ishin këngë të thjeshta, me pak akorde, por nuk i këndonin rrugëve edhe pse dy tre mund të ishin me tekste për dashurin. Ka patur mjaft muzikantë amatorë, që krijuan këngë në fundin e viteve ‘60 dhe fillimin e viteve ‘70, vite të liberalizmit. Mund të përmend ata, për të cilët jam i sigurt se patën krijuar këngë në atë kohë, duke lënë mënjanë të tjerë, të cilët për fat të keq nuk i di. Niko Qirici, Ilia Vinjau, Nonda Kajno, Naskë Kondili ishin disa prej emrave të krijuesve. Kam përmendur edhe Xhepen (rrinte në 7 katëshi) por nuk ja di të plotë emrin. Nuk di nëse Josif Minga, që ato kohë ishte në shkollën e mesme, por njihej si fisarmoniçist i talentuar, pat krijuar këngë të tilla.
Ne më të vegjëlit i dëgjonim me ëndje, kur na jepej mundësia këta këngëtarë këngësh plot melankoli dhe dhimbje, krijimet e të cilëve nuk ngjiteshin dot në skenë. E kujtoj mirë një mbrëmje, ndoshta më 1970-71, kur ish boksieri Ndona i Gole Arapit këndonte me dy të tjerë, një këngë që nuk e kishim dëgjuar më parë. Ishte një grumbull i madh të rinjsh atë mbrëmje në bashtën e Shën Mërisë dhe ndoshta kënga u këndua më shumë se një herë, sepse e kujtoj mirë edhe sot. Më vonë kam mësuar, që ka pasur edhe krijime të tjera në burg dhe është shumë e kuptueshme në një situatë izolimi, kur të mungon e dashura apo gruaja.
Mbetja e shumë këngëve pa autorët e vërtetë, ka sjellë jo vetëm deformimin e variantit të parë, por edhe shumë “përplasje” pas 20-30 vitesh se e kam krijuar unë apo e ke bërë ti. Ata që kanë vazhduar të këndojnë skenave pas viteve ‘90 i njohin këto diskutime “përvetësimi” të këngëve. Edhe unë di një rast të një kënge thuajse të humbur me vargjet e Tagorës, autorësinë e muzikës të së cilës e quajnë të vetën dy miq të mij. E tillë ishte natyra e këngëve të atyre viteve, shumë prej të cilave kanë humbur se nuk janë rregjistruar, ose nuk janë hedhur në partitura.
(vijon)
No comments:
Post a Comment