Jo të gjithë njerëzit kanë një dëshirë të brendëshme për të rënë në sy. Ndoshta pjesa më e madhe, por nuk ka statistika për këto edhe pse një përqindje e përafërt mund të llogaritet nëse bëhet një pyetsor. Kuptohet në vendet ku njerëzit nuk gënjejnë në pyetsorë, si ndodh rëndom në vëndet e pazhvilluara dhe në ato që kanë regjime diktatoriale apo autokratike.
Dëshira dhe përpjekja për të rënë në sy është e lindur tek njeriu-kafshë dhe lidhet shumë me instiktet seksuale dhe të mbijetesës. Nu ka të bëjë shumë me llojet e karaktereve introverte apo ekstroverte. Nëse është më e dallueshme , që një ekstrovert vazhdimisht përpiqet të bjerë në sy me sjelljen, me ligjëratat apo me veprimet që në veri të Shqipërisë njihen me shprehjen “u hapte i fije”, introverti gjen mënyra të tjera me veshje, gjuhën e trupit dhe plot të tjera, të cilat me siguri përmenden me hollësi në librat e psikologjisë.
Në mosha më të shkuara, kur njeriu ësht më pak “kafshë“ dhe më tepër një “qënie shoqërore”, dëshira për të rënë në sy , apo edhe për t’ju njohur ajo që bën, nuk lind nga “eros” dhe “thanatos”(ndoshta diçka më shumë nga kjo e fundit) por nga një thirrje e brendëshme “unë jam këtu”, “mos më harroni”, “mos kujtoni se kam dështuar”. Pra është më tepër një raport me bashkësinë se sa një raport me një individ apo me një grup të kufizuar njerëzish.
E bëra këtë hyrje disi të gjatë duke dashur t’i jap përgjigje një pyetje, e cila edhe nëse nuk më mundon, më shfaqet herë herë në mendje:
C’i duhet për shembull një 60 vjeçari, që të shpallet “Qytetar Nderi” në qytetin N.?
Nuk e kam konkretisht të themi për Behgjet Pacollin, që këmbëngulte ta shpallnin ‘Qytetar Nderi” në një qytet të rëndësishëm të Shqipërisë, por për gjithë ata, të cilët i “gërryen” dëshira për të marrë çmime, për tu ftuar në “gala”, për të bërë një foto me një VIP apo edhe për të qënë të veshur më mirë se të tjerët në një dasëm.
Avokati im përsëri do hidhet e thotë: “Pyetje pakuptim, se ti as mund të ishe kandidat për ndonjë çmim, as meriton të ftohesh në gala, nuk ka VIP që të avitet dhe për tu veshur mirë nuk ke ditur asnjëherë.”
Por më duhet të them se pyetja ime nuk është edhe kaq kot. Ka shumë njerëz të zotë dhe me arritje që duan të qëndrojnë larg VIP-ave, çmimeve, tapetit të kuq dhe që nuk ju bëhet vonë se vishen thjesht. Dhe këtu nuk vlen përgjigja “Eshtë zgjedhje e tyre; njerëzit janë të ndryshëm; nuk është e thënë që është më mirë kjo e këtyre të fundit.”
Unë përsëri këmbëngul, që vlerat e dikujt nuk kanë nevojë të konfirmohen nga pjesët më hipokrite të shoqërisë, nëpër mbrëmje boshe ku pihet shampanjë dhe merret nje peksimadhe me havjar, ku një fotograf i shquar sillet përreth dhe të nxjerr në foto të dukesh dhjetë herë më i mirë se sa je. Për mua kjo botë false është pikërisht ajo, që i bën njerëzit jo me shumë vlera të kënaqen në vanitetin e tyre. T’ju dëshmojnë bashkësive me mendësi të ngjashme se kanë bërë diçka në jetë, të mbushin boshllëkun shpirtëror që kanë.
Por unë edhe mund të jem gabim, sikundër kam qënë në më të shumtën e rasteve në jetën time pa çmime, gala, VIP-a dhe veshje të shtrenjta.
Ti mund te jesh pa gala dhe pa çmime por rrallehere je gabim
ReplyDeletePeci Bajamka do te te pergjigjej - A pa me be qefi mua ti?!
ReplyDelete