Wednesday, 9 September 2026

Korçadha (5)

Vazhdon Kënga e parë - “Përgatitja për luftë“ e poemës “Korçadha”

Këtu tregohet për rrjeshtimin e ushtrisë së patronazhistëve para Kullës nën udhëheqjen e Raqkës


Si ishin të gjithë në “Parku Rinia”, të bukurin park,

Që ngjan si gjelbërimi prehës midis dy botëve

Turma e madhe rreth Nikos mbledhur qark

U nisën dhe frymën mbajtën në “Lëndina e Lotëve”.

Atje do bëhej ndarja e luftëtarëve me familjarët,

Në vendin historik ku ndaheshin me ata të Botës së Re,

Dhe pikërisht atje nuk e mbajtën dot më të qarët

Qaj Nikoja, qaj ata, qaj Doktori, qaj ato, qaj dhe ne.

Një skenë e paparë, atje ku ishin derdhur lotët e kripur,

Ku zemrat e copëtuara nuk ktheheshin dot në dru,

Nikshi kujdesej mos i qullej kostumi i stërpikur

Ndërsa nga çurku i lotëve uji kishte shkuar deri në gju.

Në çast fjalën mori Përpaqja, dhe turma menjëher’ heshti:

-Do dalim fitimtarë, nuk ka përse të qajmë.

Ujqër dëbore jemi, nuk i ngjasojmë një pleshti,

Djemve t’ju urojmë fitore, dhe plaçkën bashkë të ndajmë,

Menjëherë e mblodhën veten gratë edhe patronazhistët,

Lotët i përthanë më burra se trimat e qëmotit,

Nga “Republika” morrën më këmbë të afërmit dhe artistët

Ushtria marshimin nisi përmes “Gjergj Kastriotit”.

Në krye mandolinat, më pas vinin n’rradhë kitarat

Kollona e ushtrisë zgjatej, të gjithë me uniformë,

Disa edhe funde veshur, të mbulonin të palarat.

Bulevardi s’kish’ parë kurrë, ushtri kaq shum’ në formë.

Nën ritmin fort luftarak, të këngës së Peleshit

Kaluan shpejt Zakaranë, askush nuk u harrua rrugës

Serenatistët me veglat varur qafës ju qasën sheshit

Më pas të gjithë me rradhë, u rrjeshtuan para Kullës.

Në majë të Kullës priste, me sytë drejt Perëndimit,

As era e bënte të tutej, përreth nuk kishte shumë drit’,

Me ballin pak të rrudhur, kuptohet prej Mendimit,

Krenar qëndronte Raqka vetë, i veshur si komit.


No comments:

Post a Comment