Unë i quaj me të qeshur “komsomolas” të gjithë ata të rinj, që kishin funksione të larta në BRPSH gjatë viteve të shkollës së mesme dhe të Universitetit. Se anëtarë të Bashkimit të Rinisë të Punës ishim të gjithë, pa përjashtim. Kush përjashtohej nuk mund të merrte as diplomën e të mesmes. Më pas mund të kishte edhe ndonjë pasojë më të rëndë.
“Komsomolasit” në shkollë (sekretar dhe zv.sekretarë rinie të shkollës) ishin nxënës të dalluar në mësime, punë prodhuese dhe përgatitje politiko-luftarake. Duhet të ishin edhe pa “cen” në biografi. Me një fjalë “ajkë e ajkës”. Shumica dërmuese e të rinjve nuk donin të zgjidheshin në të tilla funksione, por kishte dhe nga ata që donin, se dikush do zgjidhej (sigurisht me miratimin e Drejtorit dhe Sekretarit të Partisë). Dhe komsomolasit bënin atë që duhet të bënin, nën drejtimin e Kryekomsomolasit të Rrethit që ishte dikush me rëndësi dhe që paguhej nga shteti.
Po ç’ndodhi me “komsomolasit” që kam njohur unë dhe nuk janë më shumë se 10-15 copë. Njëra u bë PD-iste e flakët dhe “kapi” disa poste me rëndësi nën udhëheqjen e Saliut. Quhej Elfrida Dhamo në kohën e shkollës së mesme, por kur u bë prefekte dhe rektore mbante mbiemrin Zefi. Një tjetër shkoi me Partinë Republikane të Godos, por nuk e di sa kohë ndenji në të se u bë më pas biznesmen i suksesshëm. Quhet Vladimir Shehaj. Një i tretë ishte volejbollisti i shquar, Robert Damo, i cili u zgjodh kryetar bashkie i PD-së. Një që ka emigruar dhe është republikane e zjarrtë, si dhe të vret për Trump, është urbanistja Pandika Pleqi, dikur sekretare e rinisë e shkollës Raqi Qirinxhi.
PD-ja thithi shumë syresh, madje edhe një komsomolas, të cilit i trembeshin nxënësit më shumë se drejtorit. Edhe ai ishte sekretar i shkollës “Raqi Qirinxhi” dhe për të kishte një shprehje nga moshatarët tanë të asaj shkolle: “Këi, këi Niko Terezi!” Hë se për pak harrova, një i gjashtë, që nuk di nëse aderon në ndonjë parti, është sekretari i shkollës “Themistokli Gërmenji “ në kohën kur isha maturant, Kostika Ru]o. Para dy javësh në FB më quajti “ i përkëdheluri i sistemit të Diktaturës”.
Po ç’farë pune edukative paska bërë i ndjeri shoku Piro Lako dhe shoku Jani Ballta, të cilët kanë qënë Kryekomsomolas në kohën kur ishim në gjimnaz?
Se “komsomolasi” më i zjarrtë kam mbetur unë, që asokohe m’u vërtitën dy herë të më përjashtonin nga Rinia.
(Unë e pata bërë kremte orën e Materializmit ku mësohej Evolucioni.)
No comments:
Post a Comment