Sunday, 27 September 2026

“Zhurrma” e Bamirësve, që dashje padashje ndihin Ramën e korruptuar


“Fashion meet compassion” (Moda bashkohet me ndihmën e ndjerë) është një veprimtari e fundit bamirëse e shqiptarëve në Nju Jork. Qëllimi – Të ndihmohet me riparime dhe paisje spitali i Lushnjës. Nismëtare stilistja shqiptare Mirela Nurçe, Fadil Berisha dhe si gjithnjë Filantropja e Shquar Foti Kokeri.

Mirela me veshjet e saj ndihmon të grumbullohen fonde që do përdoren për spitalin e qytetit të lindjes; Fotinia si gjithnjë jep fonde nga fondacionet që administron dhe fotografi i njohur Berisha ve në dispozicion studion e tij për një lloj pasarele të modeleve të veshura me veshje-Nurçe, të cilat edhe i fotografon. Duhet edhe një organizatë bamirëse me profil mjekësor dhe është AFC e Bostonit që ka ndihmuar më parë Korçën dhe Kukësin.

Në dukje gjithshka e bukur, ku njerëzit që stilojnë, që janë modele, që këndojnë, që fotografojnë bëhen bashkë dhe derdhin shpirtin e tyre për një “kauzë“ kaq njerëzore. Duartrokitje frenetike!

Po a ka diçka që nuk shkon?

Ka diçka të madhe se askush nuk përmend pse Spitali i Lushnjës është në gjendje mizerabël. Askush nuk thotë se po ndihmojmë lushnjarët, që Qeveria e Ramës (po dhe ajo e mëparshme) i pat braktisur. Duket një lloj vetëeksitimi i njerëzve, që mendojnë “O sa të mirë jemi se po ndihmojmë me paratë tona të gjorët!” pa ju rënë ndërmend se sa e domosdoshme është të klithin njëkohësisht “O qeveritarë kur do e bëni detyrën tuaj e të mos vidhni spitalet?!” Në vend të kësaj këndojnë në ekstazë “Xhamadani vija-vija/ Esht’ Kosova ësht Shqip’ria!”

Kjo lloj Bamirësie, njëkohësisht edhe reklamë për Nurçen dhe Berishën është një Bamirësi Boshe. Për më tepër qeveritarët e korruptuar do e paraqesin edhe ndihmën e Nurçes si diçka që e bënë ata vetë, si e paraqiti ministrja Sala bashkë me Ramën ndihmën e AFC për Spitalin e Korçës.

Mos u vetëdehni nga Mirësia dhe Sakrifica vetiake o Bamirës, se në vend t’i vini vetulla lushnjarëve, ka rrezik t’ju prekni retinat!

No comments:

Post a Comment