Sunday, 27 September 2026

119 Qershor dhe 603 e 44 Perëndim



Dy adresa në dy qytete të ndryshme amerikane. E njëjta e shtunë. Në të njëjtën orë. Dy botë të ngjashme dhe po aq të ndryshme.

Ju afrova 119 Qershorit dhe parkova disi më tutje, se nuk kishte parking para derës, ku binte në sy një stemë me Shqiponjën e zezë. Gjithashtu shkruhej “Members only” (vetëm anëtarët). Asnjë shënim tjetër. Qelqet e mëdha kishin diçka nga pas, që nuk të lejonin të shihje se ç’kishte brenda. Dera ishte e mbyllur dhe shoku im doli nga anash ndërtesës dhe më tha, që hyrja ishte nga pas. Dy tryeza me disa vetë të ulur në hyrjen e pasme, që dukeshin se ishin bashkëatdhetarë dhe ju përgjigjën përshëndetjes sime. Brenda, një banak dhe 5-6 tryeza, një televizor i vendosur në një qoshe lart, ku shihej një kanal shqiptar dhe të gjithë burra mbi të 50-tat të veshur jo mirë. Të lirshëm në ndenjëset e tyre dhe të ngjashëm nga fytyra me mua. M’u duk sikur isha në një lokal të Rrogozhinës, diku aty rreth fundit të viteve ‘80. Nuk binte erë duhan dhe kjo më bindi që isha ende në Amerikë.

Në të njëjtën orë, në katin e tretë të ndërtesës me numur 603 në rrugën 44 Perëndim në Manhattan kishte gra të ekzaltuara, që nguteshin të fillonin një sfilatë mode për një qëllim fisnik. Ishin edhe disa burra, mes të cilëve një fotograf shqiptar me famë botërore dhe disa të rinj, që të linin përshtypjen se ishin homoseksualë, gjë e natyrshme në një Studio në Manhattan ku ka shumë modele femra, që janë të vetmet që do kalojnë me rradhë për të demostruar veshje të vjeshtës dhe të dimrit. Flitet e njëjta gjuhë si në 119 Qershor.

U ula në tavolinën ku po binte birrë shoku im dhe i thashë, që do pija një raki. Mendova se në një lokal të mbushur me burra shqiptarë sigurisht që do kishte raki. Edhe në kufi, një oficer zezak, më kishte bërë shënjën e shqiponjës me duar dhe më kishte pyetur nëse kisha në makinë raki. Theksin e vinte në a-ja dhe më kishte sjellë ndërmend shoferin Rake, që nuk rrinte shumë larg nesh. Shoku më tha se kishte raki, po do bisedonte me pronarin, që të më jepte nga rakia që mbante për miqtë se ajo që shiste nuk bënte. Tamam si në Rrogozhinë më 1988. E solli një shishe gjysëm litërshe dhe e mbushi gotën time. Ndërsa hiqja nga pak prej pijes kombëtare, i shihja me rradhë fytyrat disi të brengosura të bashkëatdhetarëve dhe mendoja se a e dinin se në ç’vend jetonin. Kishin veshje me ngjyra të errëta ose neutrale dhe disave ju binin në sy dhëmbët e rralluara.

Ndërkohë në Studion e katit të tretë kishte nisur sfilata dhe njëkohësisht gra të moshave të ndryshme këndonin shqip, ndërsa modelet me veshje ku binin në sy jakat gjigande ecnin me rradhë dhe dukej se kishte edhe një lloj ankandi ose vlerësim për veshjet, dhe fondet regjistroheshin menjëherë për tu përdorur në të ardhmen në Spitalin e Lushnjës në Shqipëri. Nuk ka qytet me emrin Lushnjë në SHBA. Festa ishte ndezur dhe binte në sy edhe ndonjë gotë me shampanjë. Të gjithë të pranishmit të veshur bukur, me thonj të kuruar me kujdes dhe vetëm fotografi, që ishte edhe pronar i Studios dukej më pak shik. Por ai ishte artist i njohur dhe njëkohësisht do punonte me aparatin e tij magjik. Ekzaltimi ishte në rritje, veçanërisht kur këndohej kënga “Xhamadani vija-vija”, që duhet të jetë logjikisht kënga që kulmon një sfilatë shqiptare të modës. Se nuk ka asgjë më shqiptare si veshje se një xhamadan e për më tepër me vija.

Nga burrat e lokalit asnjë nuk mbante xhamadan, por kryesisht “xheke”, “hoodie” dhe “jelekë“ sintetikë të gjitha me ngjyra të vrara. Më të shumtëtë pinin kafe, por kishte dhe që mbanin para gotat me pije. Një pjesë duhet të punonin në fabrika ose në punë të tjera jo dhe aq të lehta se dukeshin të lodhur edhe pse ishte një ditë pushimi. Gratë me siguri ishin duke bërë në shtëpi punët e të shtunës. Për ata që ende kishin gra se unë dhe shoku im ishim të divorcuar dhe ndoshta kishte edhe të tjerë si ne. Nuk është edhe shumë e lehtë të të mbajë pranë gjithë jetën një grua kur je emigrant. Disa, me të drejtë pëlqejnë të mos rrinë të bëjnë punët e të shtunës, pas një jave të mërzitshme në punë, por të kenë lirinë të shkojnë edhe në “evente” si sfilata e Studios në Manhattan, ku ka shkëlqim, shampanjë, veshje të shtrenjta dhe këndojnë të ekzatuara gra me talent kantor.

Nuk mund të isha në të njëjtën kohë në të dy vendet. Madje për t’u ngjitur në katin e tretë duhet të paguaje. Në katin e parë të 119 Qershorit hyrja ishte e lirë nëse dije të flisje shqip dhe mund të shijoje edhe raki nga ajo, që i zoti e mbante nën banak.

Nuk arrija të kuptoja se cilës botë të shqiptarëve të diasporës i përkisja. Mbase anjërës. I sigurt se nuk i përkisja botës së sfilatës me këngë dhe nuk do kisha hyrë në të edhe po qe se ishte hyrja falas. Por edhe nga bota e lokalit “Veëm për anëtarët” isha larguar 29 vjet më parë.

Duhet të ketë edhe botë të tjera shqiptare në kontinentin amerikan. Edhe pse nuk i njoh. Edhe pse nuk ju përkas as atyre, se parapëlqej të jem në “botën e vogël time”. Ndoshta ka edhe nga ato, në të cilat do kisha dëshirë të më ftonin, por nuk i kam gjetur dot ende.

Mbase i gjej një ditë edhe vendet ku flitet shqip dhe njerëzit janë të qetë, buzëqeshin me dhëmbë të plota dhe këmbejnë në gjuhën amtare fjalë, që i bëjnë kureshtarë të rrinë edhe pak më shumë në një mjedis të këndshëm dhe të pinë një gotë raki, uiski, tekila apo edhe një gotë shampanje të lirë.

Ndoshta do e zbuloj një ditë para se të më bjerret shpresa.

No comments:

Post a Comment