Një zonjë, të cilën vërtet e vlerësoj, më kishte dërguar një e-mail që vërtet më ndihmonte, por që mbyllej me fjalinë - “mbetemi në kontakt për problematikën tuaj”. Do duket si shprehje e mosmirënjohjes ky shkrim, por mua “më bëhet gjaku ujë“, kur lexoj apo dëgjoj shprehje të tilla, që kanë zbritur nga Dikateret qëndrore të kryeqytetit dhe dashje pa dashje i kanë bërë të tyret edhe shumë njerëz të mënçur në Korçë.
“O ç’na çave astarët me këto!” me të drejtë mund të thotë dikush që i jep rëndësi komunikimit dhe jo përdorimit të një gjuhe shqipe të pastër dhe ku nuk futen përkthime kot të shprehjeve të huaja.
Nuk jam i sigurt nëse “mbetemi në kontakt” është përshtatur nga “we will be in touch” apo nga “rimaniamo in contatto”. Cilado që është prejardhja, nuk ka përse të përdorim këtë ‘përkthim majmun” kur mund të përdorim si bëhej më parë “do ju përgjigjemi edhe më vonë“, “mund të na shkruani vazhdimisht” ose dhe “do jemi në lidhje”. Ky “kontakti” të krijon edhe një si lloj nervozizmi, se të kujton ato të “bërat masë“, që ndodhnin jo rrallë kur sistemet elektrike nuk ishin aq të sigurta. Dhe kur “mbetesh në kontakt” për një kohë të gjatë me dikë nuk është e pamundur “rënia në masë“.
Fjala tjetër që sikur më godet me çekan është “problematika”. Tani nuk ka më problem apo probleme. Janë zëvendësuar me “problematika” në intervista. në deklarata zyrtarësh, në fjalime në Kuvend, madje edhe në tregun e perimeve me shumicë. Edhe unë jam ndikuar sa nipit i thashë një ditë me inat: “Kur do e zgjidhësh këtë problematikën e gjeometrisë se ke një orë mbi të!” I shkreti i çakarriti sytë.
Po aman mos shpikni të tjera nga këto shprehjet torturuese se nuk jemi pak të stresuar nga kjo jetë e mbushur tej e tej me problematika!
No comments:
Post a Comment