Kam nisur ta besoj Edi Ramën (më dukej gënjeshtar më parë), që kur botoi broshurën “Besa”. Sepse asnjë i pabesë nuk mund ta bëjë një gjë të tillë. Nuk e di çka brenda broshurës, por jam i sigurt se po hyre brenda saj, je në “Besën e Ramës”. Sapo lexova në një portal shqip, që në një postim tek X i Elonit, Rama ka shkruar diçka, një pjesë të së cilës po e ve këtu:
“Kurse kujtdo që flet shqip dhe shpërndan nëpër kanalet sociale dozën e helmit të radhës, kësaj radhe për këtë censurën e sofistikuar të profileve, i them se në qoftë e vërtetë kjo punë, jo vetëm regjimi im diktatorial që nuk ka ndaluar asnjë lloj proteste dhe ka përballuar me buzëqeshje tërë lumenjtë e sharjeve me libër shtëpie poshtë dritares, s’ka asnjë lidhje në këtë mes, por për më tepër, as ky shtet dhe as shumica dërmuese e shteteve të këtij planeti, nuk kanë asnjë kapacitet që ta bëjnë një gjë të tillë"
Nuk ka se si mos e besosh. Në Shqipëri nuk ka asnjë lloj censure. Në mediat sociale jo e jo, por as në ato tradicionalet. Mund të thuash ç’të duash dhe sa orë të duash në “Klani”, “Topi”, “Vizion plus” dhe të tjera kanale tv, që kanë eskluzivitetin e valëve kombëtare dhe të të ftojnë edhe të nesërmen. Madje mos të të hyjë asnjë gjëmb në prapanicën tënde, të familjarëve dhe deri në nipër dhe mbesa.
Ndodh, që uji i kulluar që vjen nga Edi, turbullohet ndonjëherë në bazë, por këto janë raste të rralla. Për shembull mua m’i fshijnë komentet në Facebook, Këshilli i Qarkut, Biblioteka e Korçës dhe tani ka filluar edhe Raqka, por unë e kuptoj që këto nuk bëhen nga Maksi Fejzullai, i cili mbulon pastrimet. I fshin Algoritmi.
Ky qerrata Algoritëm, lejon postimet me spec të të tjerëve dhe fshin ato të pafajshmet time. Kështu, që nuk ke pse të fajësosh as Kryeministrin dhe as drejtuesit vendorë.
Tani fillon edhe kjo “Prania Besnike” do jetë akoma më mirë për punë Censure. Se do e kesh ngjitur Censuristin dhe e sheh po të përpiqet të manipulojë postimet apo të heqë fotot.
Dhe sa tolerant është Timonieri i Madh e dëshmon edhe fakti, që ka 95 ditë, që e shajnë me libër shtëpije poshtë dritares dhe nuk e humbet qetësinë. As Dalai Lama nuk ka një qetësi të tillë si Rama.
(Një dallim shumë i madh me Niko Peleshin, të cilit dikur i bënte serenatë poshtë dritares grupi “4 Vaskat”)
No comments:
Post a Comment