Thursday, 3 September 2026

Sheshi i zhurrmshëm

“Ti nuk je për të ndenjur mes tyre!”

Më the një mbrëmje,

Kur nuk ishim të mërzitur

Dhe unë nuk hyra më në atë Libër Fytyre,

Ku silleshin të njohur,

Të rastit kalimtarë,

Të rinj,

Por më shumë të rritur.

Dhe ndenja larg asaj turme

Se të isha betuar,

Që më nuk do endesha udhëve,

Plot zhurrmë dhe flirtime,

Ku përzjehet e sotmja,

Me të ardhmen e turbullt

Dhe me të çmendurën të shkuar.

Nuk më the kurrë

Nëse i trembeshe ikjes sime,

Apo një përfshirjeje në orgji.

As unë nuk të pyeta,

Sepse më mjaftonin të tuat fjalë,

Ishin të bukura mëngjeset,

Ku nisnim dhe pëshpërsnim

Unë dhe ti.

Sheshi i zhurrmshëm aty ka mbetur

Nuk di nëse është e njëjta rrëmujë.

Ti je diku larg,

Ndoshta në një planet tjetër.

Unë në të njëjtin shtrat,

Nënkresoren me aromën tënde shtrënguar

I përlotur,

Por pa shpërthyer në kujë.


No comments:

Post a Comment