Dje, gazeta Dielli kishte postuar në FB një shkrim të Rafail Floqit “Kur Amerika i tha Greqisë më 1949 – Mos hyni në Shqipëri”. Unë nuk e di se ç’profesion ka Floqi dhe nuk u interesova ta gjeja, sepse ajo që më duket e rëndësishme është interpretimi i dokumentave zyrtare të një kohe dhe të një situate të caktuar.
Të gjithë i dimë ngjarjet e vitit 1949, të quajtura nga shtypi i jonë zyrtar si “Provokacionet e Gushtit”, Pati përplasje me armë dhe artileri në dy tre pika të kufirit tonë juglindor dhe pati edhe të vrarë dhe të plagosur nga kufitarët tanë. Propaganda komuniste i quajti ato , si përpjekje e Greqisë për të aneksuar krahina të jugut tonë, pasi Greqia gjithnjë kishte pasur pretendime për ato troje.
E vërteta, të cilën e fshihnin tanët, ishte se gjatë luftës civile greke, forcat e EAM-it, të drejtuara nga komunistët kishin një ndihmë( jo shumë të madhe) nga shteti jonë, veçançrisht kur ishin të detyruar të tërhiqeshin në veri perëndim të Greqisë dhe kryen një sërë luftimesh, si ato të njohurat e malit të Viçit. Ndërsa luftëtarët e EAM-it hynin në territorin tonë për tu mbrojtur, ushtria zyrtare greke veproi edhe kundër tanëve.
Pa hyrë në peshimin se kush kishte të drejtë, ne apo ata, duhet të pranojmë që vendet fqinjë përgjithësisht ndihmojnë grupet luftarake që ngrihen kundër qeverisë së tyre, kur marëdhëniet mes qeverive fqinjë nuk janë të mira. Kanë ndodhur dhe ndodhin edhe sot kudo në botë.
Por autori, duke mos e njohur, ose duke e injoruar historinë e Luftës së Dytë dhe të fundit të saj, thekson se amerikanët pavarësisht se donin që Hoxha të binte nga pushteti, nuk lejuan që grekët të cënonin sovranitetin e Shqipërisë, pra në një mënyrë ose tjetrën, bashkë me francezët dhe anglezët ishin ata, të cilët na shpëtuan nga rreziku grek.
Autori injoron ose nuk i di ngjarjet kryesore të asaj kohe në raportet mes Fuqive të Mëdha. Në Jalë ishin vendosur se si do ndaheshin zonat e influencës mes anglo- amerikanëve dhe më pas ishin konfirmuar plotësisht në takimin e njohur mes Curçillit dhe Stalinit në Moskë. Shqipëria, si Jugosllavia kishte mbetut me një influencë 50% me 50% mes dy palëve, ndërsa Greqia ishte lënë thuajse e gjitha nën ndikimin perëndimor. Palët i mbetën besnikë deri në rënien e Murit të Berlinit kësaj marëveshjeje. Ne kaluam plotësisht në krahun lindor, sepse forcat shqiptare kundër Frontit gabuan në raportet me aleatët dhe komunistët hynë në Tiranë në fund të vitit 1944 edhe duke patur në krah ushtarakët e Fuqive Aleate.
Me një fjalë në vitin 1949, Amerika ishte e detyruar të ndalte aventurën e Greqisë (nëse Greqia vërtet mendonte seriozisht aneksimin e jugut shqiptar) për të përparuar në territorin shqiptar, sepse duhej t’i përmbahej marëveshjes me Stalinin.
Ka qëlluar edhe këtu ku jetoj, të takoj një grek, i cili i kishte prindërit me EAM-in dhe që gjatë luftës civile greke kishte përfunduar edhe me familje të tjera greke në Shqipëri. Më tregonte, që kishin ndenjur një vit a dy në Elbasan dhe më pas kishin shkuar në Bashkimin Sovjetik. Ne i ndihmuam komunistët grekë, por me shumë kujdes, sepse të tilla ishin edhe orientimet e Stalinit, që nuk donte të akuzohej nga Aleatët se po prishte marëveshjen e Jalës për Greqinë.
Më duhet të përmend, që politika amerikane ndaj nesh ka patur pika kulmore në favor të shtetit shqiptar, si në fundin e Luftës së Parë Botërore, por edhe gjykime të ngutura ose dhe plane dashakeqe. Për këtë të fundit dua të sjell diçka të përmendur në kujtimet e Robert MakNamarës, që nuk di sa është bërë e njohur në shtypin shqiptar.
Kur u emërua nga Kenedi si Ministër i Mbrojtjes, MakNamara gjeti n[ Pentagon një udhëheqje gjeneralësh që e habiti për mosnjohjen e realitetit ndërkombëtar dhe të cinizmit të tyre. Mes atyre që përmend[te ishte një plan konkret për të hedhur bombë bërthamore në Shqipëri si një paralajmërim ndaj Kampit sovjetik, se e njëjta gjë mund t’ju ndodhte edhe qyteteve të Rusisë dhe vendeve të tjera të Lindjes. Ishte llogaritur edhe numuri i përafërt i viktimave në popullsinë shqiptare. Mak Namara ishte skandalizuar dhe ju kishte thënë se si ishte e mundur, që të planifikoheshin të tilla gjëra, që shfarosnin pjesërisht apo plotësisht popullsinë e një vendi. Një nga gjeneralët me humor cinik prej kokëtrashi i kishte thënë: “Po pse ke kushërinj ti në Shqipëri?” Sigurisht që ishin vetëm plane dhe që në sajë të menjeve më të hapura të administratës së Kenedit, gjërat ndryshuan, por dëshmon se fatet e popujve të vegjël si i joni varen shumë nga cil[t njerëz drejtojnë superfuqitë.
Ndaj kjo gjë nuk duhet harruar dhe duhet të jetë pjesë e historisë sonë për të ditur se marëdhëniet dhe aleancat janë koniukturale dhe në varësi të interesave ku predominojnë interesat e të mëdhenjve.
No comments:
Post a Comment