(vijim)
Dora dorës nisa të mos lexoja më autorë shqiptarë veç Kadaresë. Lexoja poezitë që botoheshin në gazeta “Drita”, por nuk kujtoj të kem lexuar ndonjë vëllim me poezi pas vitit 1975, me përjashtim të vëllimit “Koha” të Kadaresë, që mu duk shumë më poshtë se vëllimet e tij të mëparshme. Por Ismaili ishte i përqëndruar në romanet dhe rrallë botonte edhe ndonjë novelë.
Në vitin e tretë të shkollës së mesme, kryesisht nga që lexova më shumë përkthime të Majakosvskit, pata një “yshtje” për të shkruar vargje. Ishte krejt e papritur, se nuk kisha provuar më parë. Isha 17 vjeç dhe nuk e kujtoj numurin e saktë të poezive që bëra. Nuk ja pata treguar askujt. Vetëm një, që ishte një lloj shikimi i një dite dimri në Korçë, ku alegoria ishte se temperaturat dhe dëbora e bëjnë qytetin brenda ditës të kalojë fazat e jetës të një njeriu, ja tregova babait. Ai tha i kënaqur: “Një shikim interesant”, por nuk komentoi më gjatë dhe as më nxiti të shkruaja të tjera apo të pyeste nëse kisha edhe poezi të tjera. Ndoshta e mendonte më 1976, që ose unë nuk kisha “brumin” e nevojshëm për të shkruar poezi, ose se ishte delikate të bëheshe poet në ato vite terrori. Ai e dinte, që unë kisha një lloj rebelizmi ndaj autoriteteve dhe e mendonte, që mund të shkruaja ç’më vinte në mendje edhe pa qënë kundërshtar i ideologjisë së regjimit. Pas 7-8 muajsh nuk pata më dëshirë të shkruaja poezi. Nuk kisha as ide përse të shkruaja dhe as ndonjë shtysë të brendëshme.
Në atë kohë kisha krijuar bindjen që poeti më i mirë shqiptar ishte Migjeni dhe askush tjetër nuk afrohej me të, duke përjashtuar Naimin, i cili nuk di se pse është aq i afërt me shpirtin e çdo shqiptari. E njihja pak prozën e Kutelit, ndonëse “Tregime të moçme shqiptare” e kisha lexuar dhjetra herë kur isha fëmijë dhe më pëlqente shumë. Por prej tij kishim në shtëpi vetëm “Pylli i gështenjave” dhe nuk arrija të kuptoja mirë se sa penë vërtet e veçantë ishte.
Në maturë bënim letërsinë shqipe, por kishim një mësuese gjatë katër viteve të së mesmes, e cila nuk të ngjallte asnjë interes ta dëgjoje të fliste për letërsinë. Nuk e kujtoj dhe se cilat vepra të letërsisë bashkëkohore shqiptare merreshin në analizë, po ndoshta romani “Këneta”, të cilin nuk e lexova ndonjëherë.
Pas leximit të “Juga e Bardhë“ edhe kureshtja për veprat e Jakov Xoxes më pat ikur dhe nuk kujtoj më se ç’lexoja nga veprat tona në fundin e viteve ‘70 dhe gjatë viteve ‘80. Romanet e Petro Markos herë shfaqeshin dhe herë hiqeshin nga qarkullimi, sa dhe prozatori i mirë i Bregut, mbeti disi i mjegullt për mua.
Ndaj them se nga letërsia shqipe, kur i kisha kaluar 20 vitet sillej vetëm rreth Ismailit. Të gjitha veprat e tij i lexoja, por në Universitet, edhe mënyra e tij e të shkruarit ishte bërë shume e parashikueshme dhe herë herë me ndonjë shok bënim muhabet me fraza të hartuara “ala Kadare” për gallatë. Dukej që kishim filluar të “veleshim” edhe prej tij. Nuk përmendnim kurrë në biseda Dhimitër Xhuvanin, Teodor Laçon, Kiço Blushin apo ndonjë tjetër. Për ne letërsia shqip e asaj kohe ishte me të vërtetë mediokre.
Disa nga shokët e mij lexonin edhe në gjuhë të huaja, por unë nuk isha përpjekur sepse doja të lexoja shpejt dhe më bezdiste fakti, që duhet të hapja fjalorin për ndonjë shprehje apo fjalë në anglisht. Nuk e zotëroja edhe pse e dija sa të mund të lexoja një tregim.
Megjithatë duhet të them, që nuk kishim diskutime për veprat e më të mëdhenjve, të cilat nuk mund të botoheshin në Shqipëri, madje nuk kishim edhe njerëz, që sillnin nga Prishtina vepra të përkthyera që në Jugosllavi lejoheshin të botoheshin.
Letërsia e krijuar në Kosovë pasqyrohej pak dhe nga ndonjë “grimcë“ letrare që arrinim të lexonim në gazetat tona dukje që ata kishin më shumë liri, por edhe një shqipe më të lëvruar. Megjithatë edhe sot, veç Qoses nuk njoh mirë ndonjë letrar tjetër kosovar.
Ndaj më duhet të pranoj, që ndikim në krijimtarinë time të filluar pasi kisha kaluar të 40-tat, nga autorët shqiptarë, kanë patur vetëm Migjeni dhe disi Kadareja. Nuk kujtoj asnjë autor tjetër, që të më ketë lënë vërtet mbresa dhe veprën e të cilit ta rilexoj. Pasi emigrova thuajse u shkëputa krejtësisht nga letërsia shqiptare. Kam lexuar vetëm një vepër të Trebeshinës dhe dy të Blushit, “Otello” e të cilit vërtet m’u duk romani më i mirë shqiptar, që prej kohës të “Kronikë në gur”. Eshtë e gabuar të kesh qëndrim ndaj një letërsie, të cilën nuk e njeh, por mbase më ka mbetur ende skepticizmi i viteve ‘80 dhe nuk shtyhem kur jam në Shqipëri të ble ndonjë roman të një autori shqiptar apo përmbledhje me poezi. Mbase ka ndikuar fakti, që dy tre libra që kam nisur t’i lexoj i kam “hedhur” pas 4-5 faqesh. Më ndodhi edhe me “Darka e gabuar” e Kadaresë dhe mendova që kam një numur të kufizuar orësh në një javë për të lexuar libra dhe sigurisht që ka shumë kryevepra në botë , të cilat nuk kam mundur t’i lexoj, ndaj nuk kam kohë për letërsi shqip.
Duket si qëndrim arrogant dhe njëkohësisht kontradiktor i dikujt që shkruan dhe boton libra të tij, por me të vërtetë , që nuk kam asnjë peng nëse të mijat nuk i hap kush, apo nëse i hedh pasi ka kaluar faqet e para dhe e kanë mërzitur. Letërsia nuk mund të lexohet me detyrim ose “për t’i bërë nder” dikujt. Ndaj asnjëherë nuk kërkoj nga çdokush të lexojë ato , që shkruaj. Eshtë njëlloj sikur një kuzhinier jo i mirë, të mërzitet se s’ja pëlqejnë gjellët, apo as nuk i provojnë.
“Kuzhina letrare” ime ka nisur në një moshë të madhe dhe nuk është çudit të nxjerrë gjellë të përshijshme. Por unë vazhdoj “të gatuaj” se më vjen mirë të them diçka të kripur ose të ëmbël edhe pse lexuesit do largohen sa t’ju bjerë era.
No comments:
Post a Comment