Monday, 7 September 2026

E mira nëna ime


U mbushën 7 vjet që iku. Një mëngjes herët si sot, pa gdhirë, në një dhomë të huaj të një vendi të huaj. Dhe mbeti në dhe të huaj, por nuk kishte merak se nuk do tretej, se shpesh më theshte: “Dheu kudo është njëlloj!” Që të mos mundohesha për ta shpënë në Korçë pranë babait tim.

Më ngacmonte ndonjëherë, kur mësonte se nuk flisja më me ndonjë shok: “Kështu si je bërë ti, nuk do ketë burra të më zenë kur të më shpien për të më groposur” dhe qeshte. Unë i thesha që të paktën një e kam, por dhe ai i shkreti, iku papritur 5 vjet më vonë se ime më pat mbyllur sytë. I pata thënë , që edhe për varrimin e mamasë të mos vinte, se ishte shumë larg. Shumë larg ishin edhe të tjerët. Jetoj ende në një qytet ku nuk njoh shumë njerëz dhe ku nuk ka shqiptarë.

E përcollëm vetëm ne, njerëzit më të afërm, që e deshim shumë dhe na deshte edhe më shumë. Me një rit të thjeshtë fetar, të drejtuar nga një prift ortodoks rumun. Gjashtë burrat që mbajtën arkivolin, ishin kanadezë të moshuar, që i thërriste shtëpia funerale kur bëheshin varrime. Kishte solemnitet në atë përcjellje të thjeshtë, ashtu si e kishte dashur edhe vetë. “Nëpër vdekje vetëm njerëzve të afërt ju dhemb. Të tjerët shkojnë vetëm për sehir.”- theshte shpesh dhe përmendte filmat e huaj ku tregoheshin varrime me pak njerëz. Nuk i kishte pëlqyer kurrë “madhrillëqet”, madje edhe ditlindjet e saj nuk donte t’i festonim.

Ishte e qetë atë ditë, para se të vihej kapaku i arkmortit. Nuk kishte më atë pamjen e preokupuar për ne dhe as të qeshurën e saj kumbuese. Ne qanim edhe pse donim të përmbaheshim. Edhe pse ajo po ikte kur i kishte kaluar 90 vitet e saj. E dinim që nuk do e shikonim më dhe nuk do na puthte dot më kurrë. Për shkak të rrethanave nuk kishim edhe njerëz të tjerë rrotull, që kur duan të të ngushëllojnë të pëshpërisin ndonjë marrëzi, se do na kujtohej shprehja e saj :”Budallenjtë nuk i duroj dot!”

Iku dhe mbeti vetëm në disa mure. Në një si portret, në një tjetër me babanë kur ishin fejuar dhe në një të tretë me të gjithë ne. Ende më duket sikur hija e saj është e ulur në një karrige tundëse, ku i pëlqente të rrinte gjatë ditës. Nuk ulet më njeri në atë karrige. Unë nuk dua.

E mjaft e zgjate këtë që po shkruan”- e di që do më theshte po të ishte pranë. “Shkruaj për tëtë atë se ai e meritonte, pa njerëz si unë ka plot!”

Kjo ishte nëna ime për të cilën shkruaj pak.


No comments:

Post a Comment