Thursday, 10 September 2026

Korçadha (6)

Kënga e Dytë - Maliqi përgatitet të mbrohet.

Tregohet që Gëzim Topçiu mbledh Këshillin e Luftës dhe Gjergj Luca jep një ide gjeniale.


Atje Devolli merr kthesën, fushës së gjërë endur i lodhur,

Pellazgë dhe ilirë e lavdishëm jetuar kishin vite,

Nga malet kishin zbritur, nga malet e shumtë rreth ndodhur

Mërzitur nga mishi, peshk zinin, ndaj rrinin në palafite.

Më pas kur dhe peshku më s’ju haej, se s’kishin kripë,

Ju ngjitën lart kodrave dhe ndërtuan shtëpi prej guri

Deri sa një ditë erdhën plot specialistë sovjetikë

Dhe lulëzimi i dytë i Maliqit, më i madhi, vend zuri.

Filluan të prodhonin sheqer të bardhë për të gjithë botën,

Më pas produktet shumë i shtuan dhe viçat me këmborë,

Por mbi sheqerin, përmbi mishin dhe mbi alkol’n e pastër

Maliqi, ky qytet kulture, nisi të prodhojë aktorë.

Me krenarinë e prejardhjes të hershme ilire

Me vullnetin për të qënë në krye të emulacionin socialist

Edhe kur kombinatit i hoqën emrin “8 Nëntori”

Populli i Maliqit, jo me triskë partie, mbeti komunist.

Këto shkonte në mendje Viskonti Gëzim Topçiu

Ndërsa po mblidhte për të parën herë Këshillin e Luftës

Në 25 vite, që me aq mënçuri maliqarët i priu

S’kishte ndjerë ndonjëherë tërmet të tillë lëkundës.

Goditja prapa shpine po i vinte nga e tija Parti

Nga njerëzit , që mes miqsh i quante revizionistë,

Kërkonin që Maliqin ta linin pa plang e pa shtëpi

Të bëhej pjesë e Korçës, e të shtirurve socialistë.

Por populli nuk do epej, nuk dorëzohej Gëzimi

Korçarët lëngaraqë do shihnin, sa shpejt ngriheshin muret,

Prej Kolaneci në Selcë, nga çdo shtëpi prej trimi,

Burra dhe gra do zbrisnin, në brez ngjeshur koburet.

Dhe ndërsa për në selinë e tij po hidhte hapin

Gjithshka e mirasfaltuar, nuk kishte aspak llucë

Në hyrje të ndërtesës, që në sabah kishte mbajtur vrapin

I famshmi biznesmen, gaztori vetë Gjergj Lucë.

Peshkatari me nam, që kishte ngritur Rozafën

Hapi krahën dhe e pushtoi, i rra nga pak dhe shpinës

Më pas duke mërmëritur, i përkëdheli qafën

Mos e dëgjonte kush, në vesh i mërmëriti tinëz:

- Duhet të marrim përforcime, lema mua këtë në dorë

Të shkoj në kryeqytet dhe nga të gjitha partitë

Ku janë më të devotshmit dhe më të fortat “këmborë“

Që mediat të tunden, korçarët të fshihen si minjtë.

T’i sjell në Maliq dhe me peshk t’ja u shtrojmë

Ti dy damixhane prej kumb’lle na i gjej nga Gora

Le t’ja mbajë Peleshëve që neve të na sulmojnë

Do i hedhim në gjol si bëri më njëzetën Vlora.


No comments:

Post a Comment