Thursday, 24 September 2026

Këngët e qytetit tim (2)


(vijim)

Pas vitit 1973, kur u goditën këngët e Festivalit të 11-të, ato të anketave muzikore dhe mjaft këngë të tjera dashurie, që transmetoheshin nga Radio-Tirana, u shtua numuri i këngëve që kompozoheshin në Korçë. Ndoshta ajo është periudha e fillimit në Tiranë e “Këngëve të Liqenit” ku shquheshin këngët e Françesk Radit, Luan Zhegut, po edhe autorëve të tjerë, që nuk ka se si t’i njohim. Pati edhe këngë të tyre, që hynë në repertorin e grupeve të djemve korçarë që këndonin shtëpive dhe rrugëve. Por numuri i këngëve të krijuara në Korçë po arrinte një numur shumë të madh në ato vite dhe më të shumtët autorëve kanë mbetur të panjohur. Letrari i ndjerë Piro Visari ka lënë një dëshmi me shkrim se është autor i “Rrukullisni kadet” dhe “Profesor i dashur” (vetë e quan “Sonte profesor”).Ai përmend një grup bashkëmoshatarësh të kryesuar nga kitaristi Ylli Nashi, por nuk është e qartë se kush ka bërë muzikën dhe a është e kopjuar nga ndonjë këngë e huaj. I atij brezi ishte i ndjeri Vaskë Gaqi, i cili krijoi disa këngë që u bënë të njohura dhe ishin këngë të gjalla dhe me ritëm, por këngë dashurie si “Maturantja” apo “Kompleksi fukara”. Vaska, vëllai i Thoma Gaqit dhe njëkohësisht nip i Tole adjamit, e kishte në gjak këngën korçare, por krijonte në një nivel të afërt me prirjet e muzikës bashkëkohore shqiptare dhe të huaj.

Ndoshta në ato vite ka edhe krijime të Mihallaq Andreas, por unë nuk i kam ditur dhe mbase në vitet ‘70 ka ndodhur edhe sëmundja, që bëri që kantautori korçar të mbetej në shtëpi dhe të dilte pak. Sigurisht që ka pasur edhe të tjerë, pasi dëgjonim dhe këndonim shumë këngë të reja, pa ditur dhe pa pyetur kush i ka bërë.

Mekanizmi ishte i veçantë. Jo vetëm djemtë i mësonin këngët e krijuara në “ilegalitet”, por edhe vajzat. Kujtoj në mesin e viteve ‘60, kur komshija jonë (sot doktoreshë në pension) Liliana Mahmutaj, i mësonte motrës sime “Kënga e Judisë“ me fjalët e shkruara në një letër, të kopjuara nga ndonjë shoqe tjetër. “Kënga e Judisë“ ishte në llojin e këngëve me vdekje të së dashurës dhe funeralin e të tjera fjalë, që kishin edhe këngë të tjera të asaj kohe. Nuk kishte raki në të. Brezi jonë nuk i ka mësuar këngët me tekste të shkruara, por si i dëgjonin nga të tjerë, që i kishin mësuar nga të tjerë.

Nuk dua të krahasoj brezat, se edhe kjo lloj veprimtarie mund të mos ketë qënë e një zhvillimi konstant, por di që në fundin e viteve ‘70 kishte disa grupe të njohura, kryesisht adoleshentë, që këndonin në shtëpitë e tyre, eskursioneve dhe aksione, si dhe në kodrat e qytetit, se diku rreth vitit 1975, Komiteti i Qytetit kishte nxjerrë një vendim që ndalonte të kënduarit në rrugë mbrëmjeve, Ndaj ata që thonë se kanë bërë serenatë nën dritare vajzash prej 1975 deri me 1982 ngatërrojnë diçka në kujtesën e tyre.

E kam përmendur, që grupi që konsiderohej më cilësor ishte ai i Tomi Kondakçiut. Ai grup këndonte edhe shumë këngë të huaja angleze dhe italiane, që nuk ishte një dukuri e përhapur në grupet e tjera të atij brezi, por pak ishte edhe tek të mëparshmit. Nuk jam i sigurt se cilat janë këngët e kompozuara nga Tomi në ato vite, por ai mund t’i përmendë të gjitha edhe ato që janë më pak të njohura.

Ka patur në ato vite edhe këngë, të cilat janë bërë të njohura, por më pas kanë humbur. Di këngë të krijuara nga Vasillaq Furxhi, Artan Bejko, Petrika Borova dhe ndonjë tjetër, por që mbetën në rrethe të ngushta edhe pse këngë shumë të bukura, madje disa edhe jo të lehta për tu kënduar. Por dominuese ishin të shtruarat me ndikim nga këngët karakteristike korçare, nga muzika greke dhe ajo mesdhetare. Ishin edhe më të lehta për tu luajtur me dy kitara dhe ndonjë mandolinë. Si dihet nga të gjithë shqiptarët, në Korçë kishte një numur rekord të rinjsh që i binin kitarës, veç gjithnjë më ka munduar diçka në lidhje me kitaristët. Edhe pse në numur rekord ne nuk kishim kitaristë shumë të mirë në shkallë kombëtare. Ato vite përmendeshin Alfons Balliçi në Elbasan, Genc Dashi dhe Eduard Misja në Tiranë dhe Adem Daci në Sarandë, por asnjë kitarist korçar nuk krahasohej dot me ta.

Ka qëlluar të takohemi me disa shokët e mij me Adem Dacin në Sarandë më 1979 dhe na mësoi dy këngë të krijuara prej tij, që gjithashtu ishin në natyrën e këngëve mesdhetare. Ishin të pranishëm atë mbrëmje edhe një këngëtar amator i Estradës së Sarandës i quajtur Theofan si dhe Lefter Agora, të cilin e dinim që kishte kënduar në Festivalin e 11-të. Por Daci ishte autoriteti muzikor i asaj tresheje. Edhe këngët e tij mbetën vetëm në repertorin e grupit tonë për fat të keq. Ishin këngë të bukura dashurie.

Ndoshta në vitet ‘80 është shpërthimi i Mihallaq Andrea dhe numuri më i madh i këngëve të krijuara prej tij, por edhe dalja e krijuesve të tjerë si i ndjeri Mondi1 Gega apo Vaskë Niço dhe shumë të tjerë, të cilët unë nuk i njoh, se njoh pak edhe këngët e tyre. Ishin vite kur brezi jonë studionte ose kishte hyrë në punë dhe kishte më pak kohë “për mbledhka” me kitarë dhe alkol. Më pas niste jeta familjare, dhe “dhimbjet” e dashurisë bëheshin më të lehta dhe dëshira për të kënduar ulej. Por unë pëlqeja të dëgjoja këngë të reja edhe pse po më dukej se vargjet po fillonin dhe të bëheshin më të thjeshta dhe ndonjëherë edhe të rëndomta. Përsëri më dukej se këngët me vargjet e Eseninit, Pushkinit dhe të ndonjë poeti tjetër të huaj mbeteshin më të mirat.

(vijon)


No comments:

Post a Comment