Papa Spiroja (Spiro Katundi) është një i njohuri im prej vitit 1976. Kishte qënë pjestar i trupës së Teatrit të Kukullave të Korçës dhe ishte larguar më pas për të bërë shërbimin ushtarak. Pasi ishin larguar shumë aktorë amatorë (ishin më të shumtët bashkëmoshatarë) regjisorja Drita Kallamata, na kërkoi të bëheshim pjesë e trupës. Hezituam, por pastaj nuk ja prishëm nënës të shokut tonë.
Një vit më vonë, Spiroja u kthye nga ushtria dhe erdhi në teatër. Ishte i sjellshëm dhe i drojtur dhe ne ishim ca adoleshentë-shejtanë, që e ngacmonim. Nuk ndenji shumë dhe nuk u kthye më. Ndoshta pat nisur të këndonte në Estradën e Korçës si këngëtar i jashtëm.
Më vinte për të qeshur kur e shihja atë vit ose një vit më vonë të këndonte edhe në Festivalin e RTV, jo se nuk kishte zë, por se si më dukej. Nuk e kisha njohur mirë dhe si ju ndodh adoleshentëve, kisha një lloj paragjykimi.
Nuk na u kryqëzuan rrugët, se ai punonte diku në Ndërmarjen Metalike dhe nuk më binte rasti ta takoja, por përshëndeteshim në rrugë. Deri sa rifilluan shërbimet fetare dhe pak kohë më pas e pashë, që ishte bërë prift. Nuk mu duk e pazakontë, se e kisha dëgjuar në shtëpi që pat qënë i biri i Dhjakos.
Kalimi i njerëzve, që njeh nga jeta civile në atë fetare, veçançrisht pas ndalimit të fesë për 24 vjet, të dukej pak qesharak. Kuptohet që priftërinjtë e rinj nuk kishin as përvojën e duhur të meshimit dhe ndoshta as njohuri të thella të Ungjillit, ndaj dhe tregoheshin anekdota rreth “performimit” të tyre në ceremoni të ndryshme.
Papa Spiron e dëgjova për herë të parë kur përcollëm në varreza xhaxhanë tim dhe këndonin bukur, bashkë me aktorin Vani Trako, i cili ishte bërë psallt. Sërish nuk i shpëtoja dot mendimeve djallëzore, që më bënin të qeshja, sidomos kur shihja që priftit i jepnin edhe ndonjë para “nën dorë“. Por nga që dhe ai e dinte se nuk isha “shënjt” ma hiqte dorën kur mundohesha t’ja puthja.
Nuk pata të bëja më me të deri sa emigrova dhe kur e shihja rrugës, gjatë vizitave të mija në Korçë mundohesha përsëri t’ja puthja dorën, por Papu nuk më lejonte. Gjithsesi përshëndeteshim me mirësjellje.
Pastaj erdhën koncertet e Paput, videot në YouTube, kompozimet e tij si dhe postimet në rrjetet sociale, që disa herë me rradhë ishte shpallur “Poet botëror”. Nuk jam i sigurt se nga cili Institut apo Fondacion jepej çmimi për Spiron, por i rëndësishëm është vlerësimi.
Ishte ndoshta ky vlerësim që ngjalli zilinë tek unë, se dhe unë kam nisur të shkruaj vargje në moshë të shtyrë dhe nuk kam marrë asnjë çmim dhe jo të cilësohem si poet botëror. Ndaj dhe sulmova krijimin e fundit të Papa Spiros si Kantaautor, që ai e kishte postuar në Instagram. Titullohet “Këngët e serenatës” dhe unë shpëndava lajmin e rremë (fake news) se Papun do e çvishnin, pasi në fund të këngës theshte, që “pa serenatat Korça do kishte vdekur”. Si njeri me rraso unë mendoja se ai do ja dedikonte çdo gjë të rëndësishme Zotit, por ai ja u kishte kushtuar këngëve që këndoheshin rrugëve.
E preka Spiro Katundin në rrason e shënjtë dhe ai nuk u përmbajt. Pasi më dha vetëm një minutë kohë të hiqja postimin me “fake news” dhe këngën e tij, ngriti një sërë akuzash ndaj meje, të cilat nuk mund t’i injoroja se vinin nga një njeri i Perëndisë. Pasi më quajti “mostër”(Papu ngatërron përpindëshin me mostrat që përdoreshin si ekzemplarë prodhimesh) më këshilloi të shkoja menjëherë të vizitohesha në psikiatri dhe unë e bëra i bindur. Nuk kishte mundësi vizite për dy javë dhe e njoftova, që duhet të bënte durim se ai kërkonte edhe diagnozën. (Ka shumë sëmundje mendore dhe ai e donte diagnozën e saktë për të përcaktuar llojin e qiririt, që do ndizte për shërimin tim.)
Dhe kështu rrodhën gjërat nga një tundim i im prej Luçiferrit dhe tani Spiro Katundi më quan ish-mik dhe veten ish-këngëtar.
Unë deri në përcaktimin e diagnozës jam ish-i shëndetshëm, por të paktën nuk do kem nevojë për kurime, se për këtë do kujdeset vetë me lutjet e tij Papa Spiro Katundi!
E si mos besosh pastaj në priftërinjtë!
No comments:
Post a Comment