Para disa kohësh, mbase jo më shumë se më 2025, kam bërë një shkrim “A ka pasur sinagoga në Shqipëri?”. Isha i sigurt që nuk kishte patur dhe përgjigja e një mikut tim nga Vlora ishte që familjet hebre në Vlorë i kryeni ceremonitë fetare në një nga shtëpitë e tyre. Eshtë e llogjikshme se hebrejtë ishin të vendosur në fenë e tyre, por numuri i vogël i familjeve dhe ndoshta edhe gjendja ekonomike e bashkësisë së tyre nuk ju jepte mundësi të ndërtonin një tempull. Për më tepër edhe vetë Vlora para Luftës së Dytë nuk i kalonte 5000 banorët.
Shkrimi im kishte të bënte me faktin, që shpesh lihet mënjanë, që hebrejtë thuajse nuk ishin të pranishëm në Shqipëri. Edhe fakti tjetër i stërpërdorur nga politika, se ne ishim i vetmi vend në Ballkan që jo vetëm nuk i “tradhëtuam”, por edhe i mbrojtëm është diçka e ekzagjeruar. Të shkretët hebrej kishin që me ardhjen e Hitlerit në fuqi dhe me miratimin e ligjeve raciste në Gjermani dhe më vonë në Itali, të kërkonin rrugë për t’i ikur persekutimeve. Dhe pesekutoheshin jo vetëm në Gjermani dhe në Austri. Në bashkimin Sovjetik, Rumani, Hungari madje edhe në Poloni ku ishte numuri më i madh i tyre.
Por për të mos u zgjatur me historinë, dua të shpreh një mendim timin rreth debatit të zjarrtë rreth Muzeut Hebraik që po ngrihet në Vlorë.
Unë mendoj se nga Muzetë e ngritur në mënyrë shkencore dhe që përmbajnë dokumenta, foto madje edhe eksponate që lidhen me historinë e shkurtër të pranisë të hebrejve në Shqipëri nuk i sjell askujt ndonjë të keqe. Madje dhe interpretimet e tanishme se janë muhamedanët shqiptarë që organizojnë sulmet kundër Muzeut më duken të ngjyruara keq. Pavarësisht nga Historia e Izraelit me vendet arabe pas krijimit të shtetit hebre, muhamedanët shqiptarë kanë qënë ata më indiferentëtë madje dhe dashamirës ndaj hebrejve. Ishte një qëndrim zyrtar i perandorisë Otomane ndaj hebrejve brenda kufijve të perandorisë që e diktonte diçka të tillë. Hebrejtë përçmoheshin nga të krishterët kudo në Europë dhe edhe tek ne nuk kishte se si të shiheshin me simpati. Por ata nuk ishin të pranishëm në Shqipëri se ishte një vend i varfër dhe nuk shihnin mundësi për tregëti dhe veprimtari të tjera për të cilat kanë shkëlqyer kudo në Europë.
Në mbyllje dua të them që nuk duhet të ngatërrojmë genocidin e Netanjahut apo lidhjet për interes të Ramës me izraelitët me një muze për historinë e hebrejve në Shqipëri. Teoritë komplotiste se ata po na i sjellin të gjithë të këqijat që kemi ne sot janë budallallëqe me brirë.
As qarr dhe as zarar nuk kemi pasur ndonjëherë prej tyre, sepse Shqipëria nuk ju ka ngjallur kurrë interes.
No comments:
Post a Comment