Saturday, 5 September 2026

Korçadha (1)


Poemë epiko-komike me 1600 vargje dhe 99 personazhe


Kënga e parë - Përgatitja për Luftë



“ Këndo fort ti o Muzë zemërimin e Salianjit,

Djalit të Lozhanit, që ju kushtoi korçarëve

Aq shumë të vrarë dhe më shumë të plagosur

N’atë rrethim të gjatë të Maliqit të të parëve

Ku durimi i plakut flokëbardhë kishte sosur.

Nga Liboniku në Zerec ishte sundimi i Topçiut

Atij prijësi të mënçur dhe aq shumë hokatar

Të lumtur rronin maliqarë e gorarë me mish t’thiut

Deri ditën që Di Lana nisi sulmin e tij barbar.

Prej Olimpit mbi retë, Zeusi shpalli të tijin vendim

Nuk do ketë më principata të vogla sa një tepsi

Dilpomaci e Petjas s’Urimeve, plot paqe dhe shum’ durim

Menjëherë në zjarr u hodh, u zhurrit dhe u bë hi.

Ushtritë Raqka i mblodhi, përplot patronazhistë

-Maliqi kundër na doli, ne shpejt do e gëlltisim!

Më kot 20 vjet nuk kemi, që quhemi socialistë,

Zeusi na dha forcën, Di Lanan kemi prijësin.

- Ti Raqkë vetëm 20 ke, dhe ne tridhjet e gjashtë!

Prej rrjeshtit një u nda, një burrë flokëthinjur

- Ti po të duash rri, në s’do të nxjerrim jashtë!

Kolltukut i m’shoi Raqka, me plot pushtet i nginjur.

Shumë shpejt hartuan planet, çdo gjë e detajuar

Si të rrethonin Maliqin, me mure tej e mbanë,

Në pikat më të dobëta, të hapnin shtigje për t’kaluar,

Lavdinë e Korçës t’ngrinin, ta shtonin kasabhanë.

Por jo çdo plan në dukje, është mirë i përpiluar,

Di Lanas i doli para dhe n’fytyr i fryu temianin

Ky Papu nga Katundi, filloi të fliste shtruar

Dëgjo Nikollaq – i tha- në do t’madhosh vatanin

Në Tempullin e Dodonës, kur ende s’ka aguar

Më këmbë vetë të ngjitesh, pa Raqkën a Doktorin

Me vete veç të marrësh një të vjetër temianicë,

Kur rreze parë të prekë dhe pusin dhe oborrin

Për Perëndinë e Luftës të blatosh një sakrificë.”


No comments:

Post a Comment