“Si e ke marëdhënien me alkolin?”- më pyeti një i njohuri im 15-20 vjet më i ri se unë dhe mbeta. Pyetja ishte e beftë. Më erdhën në mendje kohët e fëmijërësië, kur shkoja të blija alkol në Farmaci se më dërgonte im atë për ta përdorur si dizinfektues; kohët e adoleshencës kur mbushnim llambat me alkol në laborator dhe kohët kur kisha dalë në punë dhe bënim ndonjë përzjerje gjysëm për gjysëm me ujë për ta pirë në vend të vodkës. Në emigracion nuk kujtoj të kem blerë alkol në farmaci. “Të karakterit historik”- i thashë dhe ai tundi kokën dhe tha:”Edhe unë!”, se ndoshta i ishte dëgjuar “Të karakterit histerik”.
Ishte viti 2022 dhe nuk isha aspak i përgatitur për këtë shprehje të re të ardhur nga Dikasteret qëndrore.
Më vonë dëgjova që thoshin “e kam marëdhënien të mirë me makaronën”, “nuk e kam mirë marëdhënien me gripin”, “kam një marëdhënie neutrale me detin” dhe të tjera të ngjashme, që më lanë të kuptoja se duhet të përditësoja shqipen time. Njerëzit tashmë në Atdhe kishin hyrë në marëdhënie me sendet, me dukuritë, me ngjarjet dhe me gjithshka konkrete dhe abstrakte në Univers.
Më e papritura ishte këtë vit, kur një mik i imi, në një grup të një platforme në Internet pyeti për një të njohur: “Si e kishte ai marëdhënien me fisarmonikën?” Nuk mbajta dot më dhe ju përgjigja: “Perverte!” Se më perverte se marëdhënia me fisarmonikën nuk mund të jetë me asnjë instrument tjetër muzikor, përjashto këtu violonçelin.
Fisarmonikën e pushton, pastaja ja hedh rripëzat pas kurrizit, ulesh dhe e merr në pëqi dhe fillon dhe e përkëdhel me të dy duart duke e tundur sa andej këtej. Vërtet një marëdhënie tepër e dyshimtë nëse e ke këndvështrimin djallëzor, Nuk mund të thuash të njëjtën gjë për pianon dhe violinë.
A janë bërë më të vështira marëdhëniet mes njerëzve dhe na duhet t’i plotësojmë me sendet?
Unë nuk jam në gjendje ta shpjegoj se dhe këtë marëdhënien me shkencat psiko-sociale nuk e kam dhe aq të mirë.
No comments:
Post a Comment