Tuesday, 19 September 2017

L'Héautontimorouménos (Ch. B.)

Vetëtorturuesi


Do të godas pa ngut e vrap
Dhe pa urrejtje, si një kasap
Porsi Moisiu shkëmbin kap
Qerpikët që aq bukur hap

Saharën time të ujisin
Në çurka vuajtjeje do i kthej.
Dëshirat fryrë tej e tej
Mbi lotët e kripur do vozisin

Porsi anije që detin çajnë,
Dhe thell ë t’dehurës zemrës sime
T’trokasin tëndet ngashërime,
Si daullet ritmin e mbajnë!

Nuk jam një falso notë
Në një qiellore simfoni
Falë t’panginjurës Ironi
Që m’shkund e më bën copë

Eshtë ajo zëri im, klithja!
Gjithë gjaku im, ky helm i zi!
Unë jam një pasqyrim kobzi
Ku sheh e pispilloset shtriga.

Jam thika jam edhe plaga!
Jam faqja jam dhe të fryrët!
Jam rrota që thyen gjymtyrët,
Sëpatë e xhelatit dhe qafa!

Jam i zemrës sime vampir
-          Ndër ata të kapur prej lebre,
Që nuk japin dot buzëqeshje,

Po dënuar të qeshin me pahir!

Monday, 18 September 2017

Rrezikshmëria e “militantizmit ateist”

Ateistët përbëjnë një pjesë jo të pakët të shoqërisë shqiptare. Nuk janë të vetëdeklaruar në rregjistrimet e fundit të përgjithshme(mbase nukj  ja u kërkonin as formularët), por e shprehin bindjen e tyre ateiste në shtyp dhe në rrjetet sociale.
Ka disa arsye, që mes shqiptarëve të ketë shumë “ateistë militantë“. Ndalimi me ligj i të gjitha feve dhe praktikave fetare për 23 vjet  dhe shkollimi i dominuar nga një filozofi e vetme materialiste, krijoi disa breza që jo vetëm nuk besonin në ekzistencën e Zotit, por edhe i shihnin praktikat fetare si tërësisht të dëmshme për formimin e njeriut dhe jetën e tij në shoqëri.
Ndaj edhe pse një pjesë e mirë e tyre, kanë reflektuar ndaj formimit vetijak të njëanshëm dhe janë përpjekur të mësojnë më shumë nga metafizika, filozofitë idealistë dhe doktrinat fetare, janë të shumtë ata, të cilët nuk janë lëkundur në bindjen e tyre se “feja është opium për popujt” dhe si çdo lloj droge duhet luftuar.
Reaksioni i fundit ndaj “mbulimit të Skënderbeut” ishte në masën më të madhe një reagim i “militantëve ateistë“, të cilët përgjithësisht gjejnë një “strehë patriotike” për të justifikuar urrejtjen e tyre.
Një ceremoni lutjeje ndaj atij, të cilin e quan Zot të gjithshkaje dhe të Plotfuqishëm detyrimisht nuk ka pse të “implikohet” me interpretime nga jeta e përditshme e vdekëtarëve duke përfshirë këtu edhe figura historike. Lutja në vetvete është e gjithësishme, është paqësore, është jetike, është qiellore dhe nuk ka pse të futet në sherrnajat tona të marra. Ceremonia mbyllej në disa orë dhe sheshi Skënderbej do ishte sërish i njëjti shesh i jetës sonë të përditshme, të lavdishme, të zhurmshme, të zgërlaqme apo përrallore.
Por “militantët ateistë“, sikundër pararendësit e tyre në Bashkimin Sovjetik, Shqipërid he Kamboxhija, ndjehen si misionarë, që kanë zbuluar jo vetëm të vërtetën universale, por dinë edhe se ku janë rrënjët e së keqes, ndaj duhet medoemos në mos arrijnë brenda jetës së tyre zhdukjen e feve, por të shohin të paktën dobësimin e tyre.
Ka një grup të caktuar të tyre, të cilët u bënë veçanërisht luftarakë pas 11 shtatorit 2011. Një pjesë janë bashkëatdhetarë, që jetojnë në Perëndim.
Damkosja (pa të drejtë) e islamit, si fe radikale dhe terror nxitëse nga shumë segmente të shoqërisë amerikane(dhe jo vet[m t[ saj), solli tek mjaft shqiptarë, që vinin nga familje me origjinë myslimane, të ndjeheshin të përçmuar, të rrezikuar, nëse do shfaqnin hapur identitetin e tyre fetar sidomos në Amerikë. Ndaj një pjesë zgjodhën rrugën e “militantizmit ateist”, për të dënuar(padrejtësisht) në mënyrë të barabartë, të gjitha fetë dhe sidomos ato monoteiste.
Edhe pse një pjesë e mirë jo fort të kënduar ata filluan të bëhen agresivë në rrjetet sociale  duke kujtuar ato ç’kishin mësuar në tekstet e hartuara në Institutin e Studimeve Marksiste- Leniniste. Ju sulën me urrejtje kryqëzatave, xhihadistëve, kishës greke, Vatikanit, duke vënë shenjë barazije ndaj gjithshkaje , që lidhet me fenë.
Këta janë pjesa shqiptare e “militantëve injorantë ateistë“, të cilët janë më të zhurrmshëm dhe plot urrejtje, por që padija në situate të tjera socialo-politike mund t’i hedhë në prehrin e çdo lloj filozofije dhe feje.
Pjesa më e rrezikshme është ajo e “militantëve ateistë të kënduar”, të cilët në mënyrë shumë të përzgjedhur, gjejnë në historinë e njerëzimit pjesët më të errta të rolit të feve, si dhe në historinë e Shqipërisë vetëm pjesët kur klerikët kanë dëmtuar çështjen shqiptare. Një tezë shumë e pëlqyeshme e tyre është “tek ne fetë i kanë sjellë pushtuesit”, a thua se ilirët apo pellazgët ishin që atë kohë ndjekës të doktrinës së Enverit!
Në çështjen e rëndësishme të kombit tonë, raporti i shqiptarëve, feve dhe Shqipërisë është një raport shumë kompleks, ku asnjëra nga fetë nuk duhet të shpallë se është më “kombëtare” dhe më e lidhur me Shqipërinë apo Europën se tjetra. Historia europiane e 1000 vjetëve të fundit është shumë e komplikuar dhe sidomos në trevat e Ballkanit tonë.
Por aq më pak kanë të drejtë “militantët ateistë“ të mburren për patriotizëm të kulluar dhe të damkosin të tjerët si grekomanë, sërbofilë, italianofilë apo “talejbanë“. Pararendësit e tyre, me filozofinë e egër materialiste, kanë kryer me mijra krime ndaj shqiptarëve si dhe ndaj kombit. Ndaj “urrejtja” ndaj besimeve dhe besimtarëve pjell krime si çdo lloj “urrejtje’ tjetër.
Ka dhe një arsye tjetër të rëmdësishme, që e bën ateizmin militant” shumë të rrezikshëm për gjendjen e sotme të shoqërisë shqiptare.
Morali në Shqipëri është në nivelet ndoshta më të ulta të gjithë historisë së shoqërisë shqiptare. Korrupsion i madh në administratë, shëndetsi dhe arsim, kriminalitet i organizuar, prostitucion klasik, por edhe “prostituim” për një vend pune, përdorim i lartë droge dhe mashtrime, janë disa nga plagët e mëdha të shoqërisë sonë. Fetë kanë qënë ato, që kanë konsoliduar moralin në shoqërinë shqiptare dhe që mund të ndihin edhe për ta ngritur sot.
Ndaj më pak “militantë ateistë“, më shumë “ateistë të moderuar” dhe shumë e më shumë besimtarë do ishte për mendimin tim formula më shpresëndjellëse për shoqërinë tonë.

Le ta lemë “ateizmin militant” në vitin e kobshëm 1967!

Sunday, 17 September 2017

“Kohët” e presidiumeve

“…o o shiko shoku Dhimitër…ja shoku Fatbardh…shoku Bajram…ja dhe shoku Jani me marshallët e tij!”, ishte një frazë e një shokut tim, që tallej me ofiqarët, që zbrisnin serbes nga Komiteti i Partisë drejt Teatrit, ku do zhvillohej ndonjë Konferencë Partie, ndërsa në trotuare, i shihnin edhe me adhurim , por edhe me përçmim, njerzit, që i kishin nxjerrë të detyruar.
Ishte “koha e presidiumeve”, kur punonjës të caktuar të zyrave të organizmit në Komitetet e Partisë dhe Eksekutivit, kujdeseshin, që të ishin “udhëheqësit lokalë“, në krah të të deleguarit nga Tirana.
Dhe “presidiumet e shpifura” nuk mungonin as në mbledhjet më të thjeshta të ndërmarjeve, lagjeve, organizatave të masave dhe deri në mbledhjet e pionierëve të klasës, kur tavolina e mësuesit zbritej para dërrasës së zezë dhe pas saj rrinin Udhëheqësi I Cetës, ai i klasës dhe dy tre fëmijë të tjerë shëmbëllorë.
Një foto e përurimit të një pjese të rrugës së Lumit (shëtitores Fan Noli) më solli të freskëta ato kohë me situata qesharake. Tani “presidiumet” janë “modernizuar” në një rrjesht të parë karrigesh, ku në çdo rast nuk mungon shoku kryetar i bashkisë, shoku prefekt, shoqja kryetare e Qarkut dhe sigurisht edhe shoku i deleguar nga Brukseli me një shoqe përkthyese nga Tirana.
Një pjesë e tyre janë të brezit tim dhe ndoshta edhe “janë tallur” dikur me “shokët e presidiumeve”.
Po tani?
Nuk gjeni dot të vini në rrjeshtin e parë, një të moshuar, që ka grisur kushedi sa palë këpucë rrugës së Lumit edhe pa u bërë ende shëtitore?
Nuk mund t’ i merren disa orë leje nga puna një gurgdhëndësi, që ka goditur gishtat duke shtruar trotuaret e rrugës së rinovuar?
Nuk mund të zgjohet nga gjumi një fshesaxheshë e moshuar, që pastron natën atë rrugë?
Nuk ka në gjithë atë rrugë një hadikapat, që e ka pasur të zorshme të vërtitet më parë me karrocën e tij?
Të gjorë!
Pozoni krah njëri tjetrit, si dikur shokët Dhimitër, Fatbardh dhe Bajram!
T’i shpërndani rrjeteve sociale se “ç’mrekullira kini bërë“ dhe t’ju tregoni vite më vonë nipërve dhe mbesave, se dikur ishit prefektë, kryetarë bashkije dhe koordinatorë të fondeve të Brukselit!
Edhe ata të “kohës së presidiumeve” kanë plot albume me foto të tilla. Vetëm se të shumtat i kanë bardh e zi!

Ju jeni të të gjitha ngjyrave!

Thursday, 14 September 2017

“Antikomunizmi” i të Djathtës nuk është ide boshe

Në kundërshtim me zhurrmën e të Majtës dhe të disa kritikëve të djathtë, mendoj që ka disa arsye, që e Djathta të vazhdojë të godasë fort të gjitha dukuritë pro-diktatoriale të së Majtës së sotme në pushtet dhe veçanërisht të prijësit të saj, Edi Ramës.
Në rradhë të parë, duhet bërë dallimi midis klikës diktatoriale shqiptare dhe Komunizmit si ideologji. Komunistët shqiptarë nuk ishin Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Koçi Xoxeja, Hysni Kapoja, apo edhe Ramiz Alia, Bedri Spahiu dhe Liri Belishova.
Komunistët ishin ata, që edhe mund të kishin lejuar zgjedhje të lira pasluftës, po qe se nuk do ishin likuiduar një pas një. Dhe e kam fjalën për Zai Fundon, Sejfulla Malëshovën, Zef Malën, Qemal Stafën, Anastas Lulon, Petro Markon, Anastas Plasarin, Sadik Premten e të tjerë si ta.
Klika e drejtuar nga Hoxha përbëhej nga oportunistë, që panë Luftën si mundësi për të ardhur në pushtet dhe përqafuan stalinizmin, si mënyra më gjakatare dhe më e sigurt për të qëndruar gjithë jetën në pushtet. Disa prej tyre u pushkatuan dhe u burgosën, por jo si komunistë të vërtetë apo “tradhëtarë“, por si pasojë e luftës për “sundim brenda llojit”.
Ndaj, qëndrimet kundër “faljes” të atyre, të cilët kanë kryer krime, apo ngritjes në poste të larta të fëmijëve të tyre, nuk është “ide antikomuniste”.
Nëse kundërshtohen Ruci dhe Xhafa, kjo ka të bëjë më shumë me mospranimin e plotë nga ana e PS-së të krimeve staliniste të Diktaturës së Proletariatit. Dhe pranimi i krimeve nuk është thjesht vetëm me një “faji i Partisë së Punës” , por fillon me mosshpërblimin me poste të larta, të atyre që kan pasur pozita drejtuese dhe edhe nëse nuk kanë “lyer duart me gjak” kanë qënë të pranishëm në marrjen e vendimeve të egra ndaj popullsisë.
Por Edi Rama nuk e bën këtë gjë.
Për arsye, të cilat i di më mirë vetë, ai ka shtuar rreth vetes njerëz me lidhje të forta me të kaluarën diktatoriale.
Mund të jetë ajo që pak a shumë thotë Kadareja, se egzistojnë ende “organizma” rudimentare të Sigurimit të Shtetit në lidhje me ish-zyrat e kuadrit të Komitetit Qëndror, apo edhe me klanin Hoxha.
Mund të jetë edhe më e lehtë për Ramën të punojë me njerëz, të cilët i “shantazhon” duke ju kujtuar lidhjet me të kaluarën.
Mund të jetë edhe pragmatizmi i tij për të marrë vota, në një vend, ku 1/3 e popullsisë dëshëron një regjim autoritar.
Mund të jenë edhe të gjitha së bashku.
Por pikërisht për këto arsye, për të kërkuar demokratizim të plotë, për të kërkuar futjen e liberalizmit në ekonomi dhe shoqëri, e Djathta duhet të luftojë me prirjet totalitariste të Ramës apo edhe të Metës.
Në piksynimet kryesore të së Djathtës nuk duhet të jetë vetëm krijimi i një ekonomie liberale me taksa të ulëta dhe i një qeverie të vogël.
Duhet të jetë përmbysja e mentalitetit post-komunist dhe rikthimi në “konservatorizmin” e para Luftës së Dytë Botërore.
Dhe në të përmblidhen:
Më shumë liri të individit në ekonomi.
Më pak përzjeje të shtetit në punët e individit.
Mosprekja e pronës private. (Dhe jo shpronësime absurde si këto të Rilindjes Urbane)
Privatizim më të plotë dhe të ndershëm.
Krijim i sistemit juridik të pavarur dhe efikas.
Decentralizim të pushtetit në favor të atij lokal.
Ndaj duhet luftuar idea “staliniste” e Ramës “për të bërë shtet”, e cila nënkupton më shumë përqëndrim në Kryeministri të pushtetit, ashpërsimin e policisë në raport me qytetarin, arrestime për ndërtime pa leje apo “krime” edhe më të vogla.
Turravrapi i Edit drejt një pushteti edhe më absolute duhet ndalur!
Për të mirën e Shqipërisë!

“Antikomunizmi” është një nga idetë, të cilës i duhet mëshuar në vazhdimësi, me fakte dhe argumenta për publikun shqiptar dhe sidomos edhe për aleatët e huaj.

Wednesday, 13 September 2017

“Kërpudhat” e fushatave elektorale


Thatësira e kësaj vere, pas “shirave” të shumta politike të pranverës, solli edhe tharrjen e dy-tre lëvizjeve politike, të cilat dukeshin shpresëndjellëse në fillim të vitit.
Janë “Libra”, “Sfida” dhe “Bleta Shqiptare”.
Edhe njëherë del në pah një problem i jetës politike shqiptare – Ai i moskoherencës në luftën opozitare dhe veprimet politike të partive.
Eshtë kjo , një arsye më shumë, që elektorati t’i bjerrë shpresat dhe të shkojë gjithnjë e më pak tek kutitë e votimit.
Po si e justifikojnë prijësit e këtyre lëvizjeve opozitare mosangazhimin disamujor?
A është përmirësuar gjendja e Shqipërisë apo është bërë e pashpresë?
Shenasi Rama edhe pse në ndryshim nga dy të tjerët, nuk e gjykoi të mundshme pjesëmarrjen në zgjedhjen e qershorit, ka preferuar të rrijë në heshtje në pritje, që “Bletës” t’i forcohen krahët, ose një “katrahurë“ të ndodhë në Tiranë dhe ai me shokët e tij të vijnë dhe të ofrojnë “zgjidhjen perëndimore”.
Gjergj Bojaxhiu, edhe pse pas rezultatit të qershorit dha dorëheqjen, me largimin total nga skena, le përshtypjen se “Sfida” e tij, ka qënë shumë larg “sfidës për të ngjitur Himalajet”. Për këtë të fundit duhen fonde, përgatitje disa vjeçare, disa ekspedita të dështuara, deri në buzëqeshjen e fundit të ngritjes të flamurit në Everest. Edhe aksioni politik për përmirësimin e vendit duhet të jetë i tillë, por përpjekjet e “Sfidës”, i ngjanë më shumë një shëtitje deri në kalanë e Petrelës.
Më i zëshmi prej tyre, më i stërvituri në betejat politke dhe më kontradiktori, Ben Blushi, ka “harruar”, që sipas kalendarit Gregorian ka erdhur shtatori dhe është më e lehtë të organizosh rininë shkollore dhe studentore. Të le përshtypjen, se “Libra” e tij është një projekt, ose një “libër” në punim e sipër, që mund të futet në sirtar dhe të rikthehet në zgjedhjet e ardhshme vendore.
Ndoshta nga që jemi ende në statusin e përcaktuar nga Rexhep Qosja, të “pre politikës”, ne kemi një listë të pafund me parti dhe lëvizje opozitare, të cilat punojnë vetëm “me aksion me goditje të përqëndruar”.
Angazhimi në politikë nuk mund të jetë projekt.
Nuk ka se si as të lidhet vetëm me praninë në Kuvend apo në këshillat bashkiake.
Ata, të cilët “ngjiten” në fushën e vështirë të politkës, në rast se nuk i kanë bërë hesapet mirë, duhet të të paktën moralisht t’ju drejtohen ndjekësve të tyre e t’ju thonë: “Ne nuk ishim të përgatitur për “fushatën” shumëvjeçare të ndryshimit të peisazhit politik në vend!”
Lehtësia me të cilën u krijuan dhe po treten Lëvizjet e sipërpërmendura është gati e njëjtë me “mungesën e përgjegjësisë“ të aktorëve politkë, që janë në kuvend dhe janë kritikuar aq shumë nga Lëvizjet e reja.
Nuk sheh as përpjekje për bashkime të tyre, riorganizime, krijime të mediave të pavarura online, dhe veprime të tjera të domosdoshme për të fituar mbështetje në popull.
Po presin “shirat” e fushatave që do vijnë?
Ndoshta.

Por deri atëhere, Edi Rama mund të ketë gëlltitur edhe një pjesë të LSI-së dhe do të jetë më i pamposhtur se kurrë.

Monday, 11 September 2017

Pak ujë “rilindasve”, të lutem nga bucela…!


Ka ngjallur entusiazëm në mediat sociale, lajmi, që sopranoja Inva Mula do kete shtepi ose biznes në Korçë.
Një lajm vërtet i mirë edhe pse jep pak shpresë, që banesa e Korçës të jetë banesa kryesore e sopranos së madhe. Në një rast të tillë, mund të shpresonim, që të hapej një shkollë e “bel kantos”, sepse tradita e çelur nga Tefta Tashkoja dhe Jorgjia Truja, mund të zhvillohej në nivele të tjera, më të përparuara dhe të balanconte disi, prapambetjen e “këngës së serenatave”, që sa po shkon dhe bën më teposhtë.
E megjithatë, askush nuk ka të drejtë t’i kërkojë apo më pak akoma, t’i imponohet Invas, që të ndërmarë një projekt të tillë.
Tradita e paraluftës, e krijuar nga korçarët, që studiuan jashtë, duke nisur me Kristo Konon, Kristaq Antoniun, Mihal Cikon, Konstandin Trakon dhe të tjerë, u ndërpre me krijimin e Teatrit të Operas në Tiranë dhe përqëndrimin e gjithë forcave krijuese të muzikës operistike dhe sinfonike në Tiranë. Pati një “përpëlitje” me krijimin e “Lules së Kujtimit” nga Kristo Konoja dhe korçarë të tjerë, si dhe disa opereta, por deri më kaq. “Bel kantoja” ishte “monopol” i Konservatorit dhe Operas.
Korçës nuk i kanë munguar zërat e bukur kurrë, si për vajza ashtu edhe për djem.
Ndoshta prania, qoftë e pjesshme e Invas, mund të frymëzojë të rinj e të reja të ndjekin rrugën e bukur të muzikës lirike.
Por nuk mjafton vetëm kjo.
Duhen inkurajuar muzikantët e shkolluar të qytetit, duke filluar nga më të vjetirt edhe tek më të rinjtë, për të krijuar një bazë të mirë, që largon të rinjtë nga këngët sentimentale të rrugëve apo më keq akoma atyre të “tallavasë“.
Në Korçë, në vitet ’20 këndonin në masë “O sole mio”, “Torna a Surriento”, “La paloma” e të tjerë këngë të fondit të artë ndërkombëtar. Sot do ishte mirë të këndoheshin këngët e Majkëll Buble, Xhosh Grobën, Sting, Chris Rea, por edhe të Andrea Boçelit e të tjerëve si ai.
A mund të ndihmojnë “rilindasit” Peleshi dhe Filo.
Nuk jam i sigurt, se dhe ata duhet të “rakordojnë “ shijet e tyre me ato të shefit Rama.
Por edhe Inva vetë, është më mirë t’ju këndojë ofiqarëve, “…kur fryn erëza e malit” se sa t’ju këndojë “..pak ujë partizanit/ të lutem nga bucela.”
Ishin këto këngë, të detyruara të kompozoheshin për “t’ju larë trurin masave”, por që duhen pastruar tashmë nga çdo lloj repertori, pavarësisht nga prirja e socialistëve për të rikthyer “shkëlqimin” e Luftës nacional Clirimtare.
Për më tepër, pas disa gotave me verë, duke pasur pranë Marina Grabovarin, mund t’ja marrin këngës tjetër të Avnisë “Ne jemi komunista/ Shokë të Enverit…”, me vargjet bashkëkohore “Ne jemi “rilindsa”/ Shokë të ngushtë të Edit…”
Mirseerdhe në Korçë Inva!
Uroj të ringjallësh frymën e bukur muzikore të viteve ’30 të shekullit të kaluar!

Këta mashtrues nuk ndalen!


Nuk kisha ndonjë shpresë të madhe, që do ndalej objekti i shëmtuar në oborrin e shtëpisë të Aleksandra Ilos. Përvoja e Kullës Vrojtuese, Qendrës së re Polikulturore, Bibliotekës së Petraq Kolevicës, më patën krijuar bindjen, që “kokëfortësia” e Bashkisë së Korçës, për të bërë ato, që ju dikton Rama dhe Pit Uillsën nuk ka kufi.
Në publik, më parë, të tilla veprime i kanë justifikuar me “vlerat arkitekturore të veprës”, me “relativitetin e shijeve”, me “modernizimin teknologjik bashkëkohor” dhe të tjera dëngla të këtij lloji, që i kanë mësuar korridoreve të kryeministrisë të thëna nga Rama, Shkreli apo ndonjë Artan Lame.
Vetë as nuk dinë, as duan të dëgjojnë dhe as duan të mësojnë!
Ju mjafton t’i përulen Kryeministrit se ai ju jep fonde dhe bën, që Korça të tërheqë turistë!
Por janë edhe mashtruesa.
E dinë edhe vetë vlerën e vërtetë, të atyre që po ndërtojnë dhe ose gjejnë momente qetësie (si në rastin e Kullës) për të nisur ndërtimin, ose në telajot e mëdha, ku detyrohen me ligj të paraqesin projektin, vendosin “renderime” të falsifikuara, ose pamje, që nuk tregojnë asgjë.
Këtë po bëjnë këto ditë me një nga ndërtimet simbol të Korçës. Banesën rumuno-bizantine, që çifti Ilo i fali qytetit disa dekada më parë.
Janë të ndërgjegjshëm se korçarët do kundërshtojnë dhe në telajo vendosin vetëm diçka , që paraqet interieret, Deri sa të bëhet fakt I kryer dhe t’ju thonë të gjithëve, si kanë bërë edhe më parë:
-Tani hani një m..! Në këtë qytet ndërtohet si duam ne!
Shtëpija e Ilove, duhet prej kohësh të ishte shpallur monument arkitekture i klasi të parë dhe të mos lejohej asnjë ndryshim i jashtëm, por dhe i brendshëm i saj. Mund të ishte Muze i Europës, i Rilindjes korçare ( jo kësaj të shpifurës të Peleshit), i Qytetërimit të Shqipërisë Juglindore dhe  të tjera destinacione të tilla.
Por Bashkia do t’i harxhojë paratë, që i jepen nga TAP dhe do t’i harxhojë në mënyrën më të lehtë të mundshme dhe sipas një “palo skice” të një arkitekti Australian, që po e masakron Korçën.
Dhe sikundër bëjnë gjithnjë “skuthat” në drejtim, apo edhe ata të Urbanistikës, mashtron sa të “kalohet lumi”.
Askush nuk mund t’i ndalë më këta mashtruesa!

Nuk e njohin më një fjalë të thjeshtë me katër gërma – TURP!