Thatësira e kësaj vere, pas “shirave” të shumta politike të
pranverës, solli edhe tharrjen e dy-tre lëvizjeve politike, të cilat dukeshin
shpresëndjellëse në fillim të vitit.
Janë “Libra”, “Sfida” dhe “Bleta Shqiptare”.
Edhe njëherë del
në pah një problem i jetës politike shqiptare – Ai i moskoherencës në luftën opozitare dhe veprimet politike të
partive.
Eshtë kjo , një arsye më shumë, që elektorati t’i bjerrë
shpresat dhe të shkojë gjithnjë e më pak tek kutitë e votimit.
A është përmirësuar gjendja e Shqipërisë apo është bërë e
pashpresë?
Shenasi Rama edhe pse në ndryshim nga dy të tjerët, nuk e
gjykoi të mundshme pjesëmarrjen në zgjedhjen e qershorit, ka preferuar të rrijë
në heshtje në pritje, që “Bletës” t’i forcohen krahët, ose një “katrahurë“ të
ndodhë në Tiranë dhe ai me shokët e tij të vijnë dhe të ofrojnë “zgjidhjen perëndimore”.
Gjergj Bojaxhiu, edhe pse pas rezultatit të qershorit dha
dorëheqjen, me largimin total nga skena, le përshtypjen se “Sfida” e tij, ka qënë
shumë larg “sfidës për të ngjitur Himalajet”. Për këtë të fundit duhen fonde, përgatitje
disa vjeçare, disa ekspedita të dështuara, deri në buzëqeshjen e fundit të ngritjes
të flamurit në Everest. Edhe aksioni politik për përmirësimin e vendit duhet të
jetë i tillë, por përpjekjet e “Sfidës”, i ngjanë më shumë një shëtitje deri në
kalanë e Petrelës.
Më i zëshmi prej tyre, më i stërvituri në betejat politke
dhe më kontradiktori, Ben Blushi, ka “harruar”, që sipas kalendarit Gregorian
ka erdhur shtatori dhe është më e lehtë të organizosh rininë shkollore dhe
studentore. Të le përshtypjen, se “Libra” e tij është një projekt, ose një “libër”
në punim e sipër, që mund të futet në sirtar dhe të rikthehet në zgjedhjet e
ardhshme vendore.
Ndoshta nga që jemi ende në statusin e përcaktuar nga Rexhep
Qosja, të “pre politikës”, ne kemi një listë të pafund me parti dhe lëvizje
opozitare, të cilat punojnë vetëm “me aksion me goditje të përqëndruar”.
Angazhimi në politikë nuk mund të jetë projekt.
Nuk ka se si as të lidhet vetëm me praninë në Kuvend apo në
këshillat bashkiake.
Ata, të cilët “ngjiten” në fushën e vështirë të politkës, në
rast se nuk i kanë bërë hesapet mirë, duhet të të paktën moralisht t’ju
drejtohen ndjekësve të tyre e t’ju thonë: “Ne nuk ishim të përgatitur për
“fushatën” shumëvjeçare të ndryshimit të peisazhit politik në vend!”
Lehtësia me të cilën u krijuan dhe po treten Lëvizjet e
sipërpërmendura është gati e njëjtë me “mungesën e përgjegjësisë“ të aktorëve
politkë, që janë në kuvend dhe janë kritikuar aq shumë nga Lëvizjet e reja.
Nuk sheh as përpjekje për bashkime të tyre, riorganizime,
krijime të mediave të pavarura online, dhe veprime të tjera të domosdoshme për të
fituar mbështetje në popull.
Ndoshta.
Por deri atëhere, Edi Rama mund të ketë gëlltitur edhe një
pjesë të LSI-së dhe do të jetë më i pamposhtur se kurrë.
No comments:
Post a Comment