Monday, 11 September 2017

Këta mashtrues nuk ndalen!


Nuk kisha ndonjë shpresë të madhe, që do ndalej objekti i shëmtuar në oborrin e shtëpisë të Aleksandra Ilos. Përvoja e Kullës Vrojtuese, Qendrës së re Polikulturore, Bibliotekës së Petraq Kolevicës, më patën krijuar bindjen, që “kokëfortësia” e Bashkisë së Korçës, për të bërë ato, që ju dikton Rama dhe Pit Uillsën nuk ka kufi.
Në publik, më parë, të tilla veprime i kanë justifikuar me “vlerat arkitekturore të veprës”, me “relativitetin e shijeve”, me “modernizimin teknologjik bashkëkohor” dhe të tjera dëngla të këtij lloji, që i kanë mësuar korridoreve të kryeministrisë të thëna nga Rama, Shkreli apo ndonjë Artan Lame.
Vetë as nuk dinë, as duan të dëgjojnë dhe as duan të mësojnë!
Ju mjafton t’i përulen Kryeministrit se ai ju jep fonde dhe bën, që Korça të tërheqë turistë!
Por janë edhe mashtruesa.
E dinë edhe vetë vlerën e vërtetë, të atyre që po ndërtojnë dhe ose gjejnë momente qetësie (si në rastin e Kullës) për të nisur ndërtimin, ose në telajot e mëdha, ku detyrohen me ligj të paraqesin projektin, vendosin “renderime” të falsifikuara, ose pamje, që nuk tregojnë asgjë.
Këtë po bëjnë këto ditë me një nga ndërtimet simbol të Korçës. Banesën rumuno-bizantine, që çifti Ilo i fali qytetit disa dekada më parë.
Janë të ndërgjegjshëm se korçarët do kundërshtojnë dhe në telajo vendosin vetëm diçka , që paraqet interieret, Deri sa të bëhet fakt I kryer dhe t’ju thonë të gjithëve, si kanë bërë edhe më parë:
-Tani hani një m..! Në këtë qytet ndërtohet si duam ne!
Shtëpija e Ilove, duhet prej kohësh të ishte shpallur monument arkitekture i klasi të parë dhe të mos lejohej asnjë ndryshim i jashtëm, por dhe i brendshëm i saj. Mund të ishte Muze i Europës, i Rilindjes korçare ( jo kësaj të shpifurës të Peleshit), i Qytetërimit të Shqipërisë Juglindore dhe  të tjera destinacione të tilla.
Por Bashkia do t’i harxhojë paratë, që i jepen nga TAP dhe do t’i harxhojë në mënyrën më të lehtë të mundshme dhe sipas një “palo skice” të një arkitekti Australian, që po e masakron Korçën.
Dhe sikundër bëjnë gjithnjë “skuthat” në drejtim, apo edhe ata të Urbanistikës, mashtron sa të “kalohet lumi”.
Askush nuk mund t’i ndalë më këta mashtruesa!

Nuk e njohin më një fjalë të thjeshtë me katër gërma – TURP!

No comments:

Post a Comment