Sunday, 17 September 2017

“Kohët” e presidiumeve

“…o o shiko shoku Dhimitër…ja shoku Fatbardh…shoku Bajram…ja dhe shoku Jani me marshallët e tij!”, ishte një frazë e një shokut tim, që tallej me ofiqarët, që zbrisnin serbes nga Komiteti i Partisë drejt Teatrit, ku do zhvillohej ndonjë Konferencë Partie, ndërsa në trotuare, i shihnin edhe me adhurim , por edhe me përçmim, njerzit, që i kishin nxjerrë të detyruar.
Ishte “koha e presidiumeve”, kur punonjës të caktuar të zyrave të organizmit në Komitetet e Partisë dhe Eksekutivit, kujdeseshin, që të ishin “udhëheqësit lokalë“, në krah të të deleguarit nga Tirana.
Dhe “presidiumet e shpifura” nuk mungonin as në mbledhjet më të thjeshta të ndërmarjeve, lagjeve, organizatave të masave dhe deri në mbledhjet e pionierëve të klasës, kur tavolina e mësuesit zbritej para dërrasës së zezë dhe pas saj rrinin Udhëheqësi I Cetës, ai i klasës dhe dy tre fëmijë të tjerë shëmbëllorë.
Një foto e përurimit të një pjese të rrugës së Lumit (shëtitores Fan Noli) më solli të freskëta ato kohë me situata qesharake. Tani “presidiumet” janë “modernizuar” në një rrjesht të parë karrigesh, ku në çdo rast nuk mungon shoku kryetar i bashkisë, shoku prefekt, shoqja kryetare e Qarkut dhe sigurisht edhe shoku i deleguar nga Brukseli me një shoqe përkthyese nga Tirana.
Një pjesë e tyre janë të brezit tim dhe ndoshta edhe “janë tallur” dikur me “shokët e presidiumeve”.
Po tani?
Nuk gjeni dot të vini në rrjeshtin e parë, një të moshuar, që ka grisur kushedi sa palë këpucë rrugës së Lumit edhe pa u bërë ende shëtitore?
Nuk mund t’ i merren disa orë leje nga puna një gurgdhëndësi, që ka goditur gishtat duke shtruar trotuaret e rrugës së rinovuar?
Nuk mund të zgjohet nga gjumi një fshesaxheshë e moshuar, që pastron natën atë rrugë?
Nuk ka në gjithë atë rrugë një hadikapat, që e ka pasur të zorshme të vërtitet më parë me karrocën e tij?
Të gjorë!
Pozoni krah njëri tjetrit, si dikur shokët Dhimitër, Fatbardh dhe Bajram!
T’i shpërndani rrjeteve sociale se “ç’mrekullira kini bërë“ dhe t’ju tregoni vite më vonë nipërve dhe mbesave, se dikur ishit prefektë, kryetarë bashkije dhe koordinatorë të fondeve të Brukselit!
Edhe ata të “kohës së presidiumeve” kanë plot albume me foto të tilla. Vetëm se të shumtat i kanë bardh e zi!

Ju jeni të të gjitha ngjyrave!

No comments:

Post a Comment