Në kundërshtim me zhurrmën e të Majtës dhe të disa kritikëve
të djathtë, mendoj që ka disa arsye, që e Djathta të vazhdojë të godasë fort të
gjitha dukuritë pro-diktatoriale të së Majtës së sotme në pushtet dhe veçanërisht
të prijësit të saj, Edi Ramës.
Në rradhë të parë, duhet bërë dallimi midis klikës
diktatoriale shqiptare dhe Komunizmit si ideologji. Komunistët shqiptarë nuk
ishin Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Koçi Xoxeja, Hysni Kapoja, apo edhe Ramiz Alia,
Bedri Spahiu dhe Liri Belishova.
Komunistët ishin ata, që edhe mund të kishin lejuar zgjedhje
të lira pasluftës, po qe se nuk do ishin likuiduar një pas një. Dhe e kam fjalën
për Zai Fundon, Sejfulla Malëshovën, Zef Malën, Qemal Stafën, Anastas Lulon, Petro
Markon, Anastas Plasarin, Sadik Premten e të tjerë si ta.
Klika e drejtuar nga Hoxha përbëhej nga oportunistë, që panë
Luftën si mundësi për të ardhur në pushtet dhe përqafuan stalinizmin, si mënyra
më gjakatare dhe më e sigurt për të qëndruar gjithë jetën në pushtet. Disa prej
tyre u pushkatuan dhe u burgosën, por jo si komunistë të vërtetë apo “tradhëtarë“,
por si pasojë e luftës për “sundim brenda llojit”.
Ndaj, qëndrimet kundër “faljes” të atyre, të cilët kanë
kryer krime, apo ngritjes në poste të larta të fëmijëve të tyre, nuk është “ide
antikomuniste”.
Nëse kundërshtohen Ruci dhe Xhafa, kjo ka të bëjë më shumë
me mospranimin e plotë nga ana e PS-së të krimeve staliniste të Diktaturës së
Proletariatit. Dhe pranimi i krimeve nuk është thjesht vetëm me një “faji i
Partisë së Punës” , por fillon me mosshpërblimin me poste të larta, të atyre që
kan pasur
pozita drejtuese dhe edhe nëse nuk kanë “lyer duart me gjak” kanë qënë të
pranishëm në marrjen e vendimeve të egra ndaj popullsisë.
Por Edi Rama nuk e bën këtë gjë.
Për arsye, të cilat i di më mirë vetë, ai ka shtuar rreth
vetes njerëz me lidhje të forta me të kaluarën diktatoriale.
Mund të jetë ajo që pak a shumë thotë Kadareja, se egzistojnë
ende “organizma” rudimentare të Sigurimit të Shtetit në lidhje me ish-zyrat e
kuadrit të Komitetit Qëndror, apo edhe me klanin Hoxha.
Mund të jetë edhe më e lehtë për Ramën të punojë me njerëz,
të cilët i “shantazhon” duke ju kujtuar lidhjet me të kaluarën.
Mund të jetë edhe pragmatizmi i tij për të marrë vota, në një
vend, ku 1/3 e popullsisë dëshëron një regjim autoritar.
Mund të jenë edhe të gjitha së bashku.
Por pikërisht për këto arsye, për të kërkuar demokratizim të
plotë, për të kërkuar futjen e liberalizmit në ekonomi dhe shoqëri, e Djathta
duhet të luftojë me prirjet totalitariste të Ramës apo edhe të Metës.
Në piksynimet kryesore të së Djathtës nuk duhet të jetë vetëm
krijimi i një ekonomie liberale me taksa të ulëta dhe i një qeverie të vogël.
Duhet të jetë përmbysja
e mentalitetit post-komunist dhe rikthimi në “konservatorizmin” e para Luftës së Dytë Botërore.
Dhe në të përmblidhen:
Më shumë liri të individit në ekonomi.
Më pak përzjeje të shtetit në punët e individit.
Mosprekja e pronës private. (Dhe jo shpronësime absurde si këto
të Rilindjes Urbane)
Privatizim më të plotë dhe të ndershëm.
Krijim i sistemit juridik të pavarur dhe efikas.
Decentralizim të pushtetit në favor të atij lokal.
Ndaj duhet luftuar idea “staliniste” e Ramës “për të bërë
shtet”, e cila nënkupton më shumë përqëndrim në Kryeministri të pushtetit, ashpërsimin
e policisë në raport me qytetarin, arrestime për ndërtime pa leje apo “krime”
edhe më të vogla.
Turravrapi i Edit drejt një pushteti edhe më absolute duhet
ndalur!
Për të mirën e Shqipërisë!
“Antikomunizmi” është një nga idetë, të cilës i duhet
mëshuar në vazhdimësi, me fakte dhe argumenta për publikun shqiptar dhe sidomos
edhe për aleatët e huaj.
No comments:
Post a Comment