Monday, 21 October 2013

Tymnajë dhe valle të rrjedhurish.

(vijim) I kam hyrë një valleje shumë qesharake, e cila pot ë krahasohet me “devolliçen”, që hoqa në shkrimin “Sa burrë i mire ky Drejtor Agolli!” mund të quhet pa frikë vallja e të rrjedhurve. Një tjetër marrëzi e Is-Kullës është botuar në Panorama. Në të përshkuhet rivaliteti ndërmjet Belishovës dhe Nexhmijes, i cili shfaqet hapur në çështjen e poemës “Princesha Argjiro” të botuar më 1958! Duhet thënë, që poema e Kadaresë ishte një poemë për fëmijë dhe si e tillë, po të mos ishte letra e Lefter Dilos, që e quante si shtrembëruese të së vërtetës historike të krijimit të Gjirokastrës, as kishte për tu diskutuar e përmendur në qarqet e larta të Partisë. Poema e kishte kaluar sitën e çensurimit, që bëhej në shtëpinë botuese dhe nuk kishte asnjë problem të karakterit ideologjik. As kishte ndonjë arsye që krijimi modest i 22 vjeçarit gjirokastrit të analizohej me lupë, se ku deshte të dilte apo se çdo krijonte në të ardhmen e pas studimeve ne BS! Ka edhe një të vërtetë tjetër, rreth Liri Belishovës, e cila shpesh përmendet nga Kadareja, si intelektuale, viktimë e Diktaturës. Liri Belishova nuk ka pasur asnjë ndryshim nga përfaqŝuesit më të lartë të Diktaturës si Mehmet Shehu, Hysni Kapo apo Nexhmije Hoxha. Bile në rrethet e BRASH-it të pasluftës, ku bënin pjesë Ramiz Alia, Fadil Paçrami, Nexhmije Hoxha, Pirro Kondi e të tjerë, Liria(e quajtur pas krahëve Qorrja) konsiderohej më e ashpër edhe harbute se bashkëshortja e Hoxhës. Pas mënjanimit dyvjeçar, që ju bë pas vetëvrasjes së Nakos, Liria bashkë me Bedri Spahiun, Hysni Kapon dhe Mehmet Shehun, ishin mbèŝhtetèŝit kryesorë të Diktatorit për pastrimin e Koçi Xoxes me kompani. Ishte pikërisht Hoxha që e ngriti Lirinë deri në nivelin e figures së tretë të sistemit(pas tij) dhe kur ja desh puna ta sakrifikonte për hir të kinezëve e përjashtoi nga Partia duke e quajtur hrushoviane. Deri në kohën e largimit, Liria vriste e priste si gjithë të tjerët dhe kishte vënë Ministër të Bujqësisë burrin e saj të dytë, i cili nuk shquhej as për intelekt e as pèr aftësi drejtuese. I shkreti Maqo Çomo e pagoi me burg të gjatë martesën me punisten e flakët e të pamëshirshme Belishova. Pra i gjithë rivaliteti Nexhmije-Liri më 1958 për Kadarenë apo edhe probleme të tjera, është tërësisht i sajuar nga Ismaili, i cili përfiton nga injoranca e Kullës dhe të tjerëve, për të treguar të paqëna të kohës kur Liri Belishova ishte në apogjeun e saj e përkëdhelur dhe e mbështetur plotësisht nga Enver Hoxha. Edhe pse nuk di hollësi rreth historisè të shkruarjes e të botimit të kësaj biografie, dyshoj se pas janë historitë e treguara nga Kadareja në vilëne tij të plazhit, ku njerëz më se mediokër si puna e Kullës e dëgjojnë me gojë hapur duke besuar çdo përrallë me komplote titistësh e me zili të shtresave ordinere gjirokastrite(Hoxha) ndaj sojlish gjirokastre(Kadareja) dhe të zezat e Damës së Zezë, që e ka urryer Ismailin, që në vjershat e para e deri në Gjyqin e viteve të fundit! (vijon)

Autotymnajë mbi Kadarenë

(vijon nga postimi i mëparshëm) Si më ndodh shpesh me ngjarjet në Shqipëri, pasi shkrojta pjesën e pare të shkrimit, mësova se Ndriçim Kulla paska shkruar një biografi të Kadaresë dhe shkrimi, që kisha cituar ishte pjesë e librit. Sot lexova një pjesë tjetër nga libri të botuar po në Shqiptarja. Vazhdon i njëjti shtjellim i shtrembër i fakteve dhe ndoshta kemi të bëjmë me një biografi të autorizuar, gjë e cila e bën më me faj Kadarenë. Përsëri, qëllimisht përzjehen kohët dhe situatat. E them qëllimisht për Kadarenë, se Ndriçim Kulla nuk ka idenë e viteve 60 të Shqipërisë. Duhet të përsëris edhe diçka që duhet ta kem përmendur në blog, që një gjë të tillë Ismaili e ka përdorur edhe me njerëz të tjerë duke shitur “sapunin” e persekutimit pas 1982 për djathë safi. Po le të rikthehemi viteve 60, që kanë qënë vite me shumë ngjarje në jetën shqiptare, por edhe vite të një diktature më të butë. Prej dënimit të Liri Belishovës më 1961 nuk pati asnjë grup që të goditej brenda Partisë I pari do ishte grupi Paçrami-Lubonja më 1973. Në ato vite, në sajë të ndihmave kineze pati edhe një përmirësim ekonomik të jetës së shqiptarëve. U hoq përfundimisht sistemi i triskëtimit dhe filluan të ndërtohen më shumë vepra se në kohën e ndihmave sovjetike. Partia kishte marrë revan, sa në vitin 1966 filloi procesin e revolucionarizimit të gjithë fushave të jetës. Dhe duhet pranuar që tek njerëzit e sidomos të rinjtë zotëronte një lloj entusiazmi jo i shtirur, si ai i detyruari i viteve ‘70 dhe ‘80. Pikërisht në këto vite, pasi ishte kurorëzuar si poeti(jo shkrimtari) më i mirë i vendit, Kadareja kishte botuar poemat “Enderr Industriale” dhe “Përse mendohen këto male”, të cilat edhe pse nuk përmendnin në çdo varg Partinë, ishin të përshkruara nga ideologjia partiake e çastit. (Ideologjia e PPSH, ka qënë gjithnjë e ndryshueshme, në shërbim të pushtetit personal të Hoxhës.) Në fushatën e krijimit të heronjve të rinj të socializmit, më 1967 Kadareja botoi një poezi të gjatë për Fuat Çelën. Sipas Kullës, pikërisht më 1967, diktatori filloi të dërgojë me të tretë, mesazhe kërcënimi nëse Kadareja do hezitonte ende të shkruante një poemë për të në prag të 60-vjetorit! Por para vitit 1967, Kadareja kishte botuar poemen e tij Viti gjashtedhjete, e cila prekte pikerisht temen, qe do shtjellonte me vone ne Dimrin e Vetmise se Madhe, pra mosnenshtrimin e Enverit ndaj diktatit te Moskes! Edhe pse Ismaili sot eshte distancuar nga krijimtaria e tij poetike, duhet thene qe pikerisht nëpërmjet poezive dhe poemave, ai zuri një nga vendet e kryes në sofrën letrare të viteve të Partisë, sofër që mbikqyrej e kontrollohej nga Diktatori. Ishte pikërisht telefonata përgëzuese e Hoxhës për poemën Përse mendohen këto male më 1964, që i jepte vulën e të talentuarit 28 vjeçarit nga Gjirokastra. Dhe kjo për mesazhin e poems, i cili ishte – Vetëm nën udhëheqjen e Partisë, Shqipëria e çoroditur në histori, mundi të gjejë rrugën e saj të shpëtimit. Por përse E.Hoxha telefonte Ismailin dhe jo poetë të tjerë, që thurrnin ditirambe për Partinë dhe të në ato vite. Pikërisht se Ismaili ishte më i talentuari mes tyre dhe i njëjti mesazh tingëllonte patetik në poemat e Llazar Siliqit, Vehbi Skënderit, Fatos Arapit dhe deri diku edhe në “Devoll Devoll”, të Dritëroit. (vijon)

Saturday, 19 October 2013

Tymnajë mbi Kadarenë

E përdora këtë fjalë ala-Kadare, e cila edhe mund të jetë në Fjalorin e Ri të shqipes, për të përcaktuar diçka që nuk i ngjan aq shumë mjegullës, por është një lloj mjegulle e nxehtë që del nga zjarre të ndezur e shuar kushedi se ku. Ndoshta disa të vegjël janë ndezur edhe nga vetë Ismaili. Kur lexoj në shtypin shqiptar rreth tij, has në emra profesorësh e studiusis si Sadik Bejko dhe Ndriçim Kulla ose gazetarësh të kallëpit të Myftarajt. Ndoshta ka edhe emra të tjerë, të cilët më kanë shpëtuar në periudhat kur nuk lexoj në internet shtypin tonë. Një artikull të studiuesit e botuesit Kulla lexova dje në Gazetën Shqiptare. Titulli ishte intrigues: Kadareja ndërmjetës i Hoxhës me Perëndimin. Edhe pse e di që abuzohet me emrin dhe veprat e Ismailit, përsëri mora ta lexoja, duke menduar se do mësoja diçka. Dhe vërtet mësova që studiuesit dhe gazetarët shqiptarë jo vetëm nuk njohin Historinë e Shqipërisë dhe të letërsisë shqipe, por nuk dijnë edhe nëse pas vitit 1961 vjen 1962, 1967 apo 1973. Po përse duhet harxhuar kohë të shkruash rreth broçkullave të botuara nga njerëz, të cilët nuk kanë idenë e viteve? Bile si mund t’i shkohet deri në fund një artikulli të tillë? Ajo që më bëri të lexoja deri në fund, ishin pikërisht citimet nga të thënat e viteve të fundit të Kadaresë, që përdoreshin për të sulmuar Kadarenë Dallova mes tyre pasaktësi dhe interpretime të dyshimta, që më bëjnë të shkruaj çka di (dhe që e dinë mirë qindra të tjerë)rreth marëdhënieve të Ismailit me rrethet letrare dhe me ato politike në vitet ’60 dhe ’70. Artikulli i Kullës(që ose është cunguar ose është vijim) fillon me pohimin që në Francë po bëheshin pyetje këmbëngulëse se pse Kadareja nuk udhëtonte në Francë apo në Perëndim. Dhe kjo sipas Kullës para se të ishte përkthyer Kadareja në Francë!! Pyetjet ishin aq të vazhdueshme sa për atë i duhej të merrej vetë Enver Hoxha! Po të pranojmë vitet ala Kulla, këto ngjarje kanë ndodhur rreth gjysmës së dytë të viteve ’60. Në ato vite, regjimi i Hoxhës e kishte humbur plotësisht shpresën se mund t’i bëheshin lëshime nga Perëndimidhe ishte në varësi të plotë të ndihmave kineze, të cilëve ju mjaftonte vendi jonë si një lloj altoparlanti në Europë, për të treguar për të treguar brenda e jashtë se kishin mbështetje nga vende si Shqipëria dhe Rumania, dhe nuk ishin të izoluara në kampin komunist. Përpjekjet për të fituar një status të ngjashëm me atë të Titos kishin përfunduar më 1961, ndaj për të mbetur në fron E.Hoxha kishte zgjedhur rrugën e stalinizmit kinez, të quajtur gjoja “marksizëm-leninizëm”. Në po të njëjtën periudhë, Franca e DeGolit kishte treguar shenja kryeneçësie ndaj amerikanëve duke tërhequr trupat e saj nga NATO dhe duke larguar Shtabin e Alencës Atlantike nga Franca. Ishin vite të një politike franceze më të butë ndaj gjithë vendeve komuniste. Për më tepër, partitë Komuniste në Francë dhe Itali ishin të forta e fitonin një përqindje të lartë në zgjedhjet. Kjo ishte në vija të trasha situata e përgjithshme politke e atyre viteve dhe po t’ju shtojmë edhe lëvizjet studentore të vitit ’68, askush në botë nuk parashikonte si të shpejtë rënien e komunizmit. Ndaj hamendja se Perëndimi interesohej përKadrenë për të hapur “konservën”shqiptarenëpërmjet Francës ose se Hoxha donte t’i lëshonte sinjale Perëndimit nëpërmjet Kadaresë është krejtësisht jashtë historisë europiane dhe botërore të viteve ’60. (vijon)

Thursday, 17 October 2013

Bulevardi i fëmijërisë sime

Dje pashë disa foto të bulevardit ku jam rritur. Në ato kohë quhej Lenin e tani i është kthyer emri i vjetër Shën Gjergji. Fotot më befasuan jo për mire edhe pse nuk kam qënë kundër idesë për tu kthyer në shëtitore këmbësorësh. Në fund të fundit, i tillë ka qënë deri në fund të viteve 80. Edhe në orët kur lejohej qarkullimi i makinave, rrallë shihej ndonjë Ifkë e NTSHAP-it, që furnizonte dyqanet ushqimore, karrocat e plehrave si dhe Pandi Këndezka, që me karrocën e dorës merte e shpinte filmat në agjensinë e udhëtarëve. Rrallë kalonin edhe GAZ-et e ofiqarëve apo ato famëkeqët e Degës së Brendshme. E vetmja makinë private që qarkullonte ishte Moskoviçi ngjyrë bezhë i Dr.Polenkës. Ky ishte bulevardi i qetë i fëmijërisë sime, në të cilin vraponim herë me sandale plastike e here me këpucë të zeza, që na futnin ujë. Dyqanet në të cilat futeshim më shumë ishin Bonboneria, Kinkaleria e Demirit dhe Mapo-ja, por si fëmijë të mëhallës ishim të mirëpritur edhe në Berberat e në Llustron e Neke Vërdinit. Më vonë, në vitet 70 filluan rradhët e famshme në dyqanet ushqimore dhe pas shkolle ose në pushimet verore, mbetëm me orë të tëra në dyqanet e bulevardit duke pritur furnizimet me qumësht, djathë dhe zarzavate. Mbrëmjeve bulevardi kishte shumë gjallëri, se shumë njerëz shëtisnin për orë të tëra dhe mund të shihje gjithë qytetin duke nisur nga Sekretari i Parë e deri në Pandi Gjiza dhe Peçi Bajamka. Në atë bulevard kam parë për here të parë Çu En Lain, Vaçe Zelën, Loro Boriçin, Nina Mulën, Ismail Kadarenë, Skënder Sallakun, Sandër Prosin, Nih Çin Çinin, Agim Fagun dhe plot personalitete të famshëm të viteve 60 dhe 70. (vijon)

Wednesday, 16 October 2013

Vdiq, po na e la Shqipërinë çorbë derri.

Kjo datë nuk kalon pa na e kujtuar Udhëheqësin e Lavdishëm. Edhe pse ka diskutime për datën, kur Haneja solli në jetë shqiptarin që kushtëzoi jetët tona edhe më shumë se prindrit tanë, unë i qëndroj besnik 16 tetorit. Sot, në Itali mbase do e varrosin më në fund nazistin Priebke, por kjo rastësi as e ngre dhe as e njollos figurën e Komandantit tonë. Gjithë historia shqiptare e shekullit të kaluar, u përcaktua nga dy vetë Mbreti dhe Komandanti. I dyti jo vetëm për 40 vjetët që sundoi por edhe 15 vitet e para të pasvdekjes, si dhe këto 13 vjet të shekullit të ri. Personalitete e tjera si Ismail Qemali, Fan Noli, Avni Rustemi, Faik Konica, Mehdi e Mithat Frashëri, Esat Toptani, Mehmet Shehu, Ramiz Alia e të tjerë kanë luajtur role të dorës së dytë. Të sotmit Nano, Berisha, Rama janë thjesht “peshqeshe” të epokës së lavdishme enveriane. Ka raste që më vjen çudi me veten, që sa më shumë lexoj rreth tij, aq më tepër më mjegullohet karakteri dhe cilësitë e tij. Duhet pranuar që është një figureë tepër komplekse dhe mungojnë librat objektivë të shkruar nga njerëz që e kanë njohur shumë mirë. Diku në blog kam shkruar rreth 100 pyetje rreth tij, por kur I mendoj, jo vetëm nuk jam në gjendje t’ju jap sot përgjigje, por mbase duhen shtuar edhe 100 të tjera. Dikush mund të më pyesë se ç’dobi ka, por më duket e papranueshme për veten, të mos njoh thellë se ku kam jetuar dhe në ç’kohë kam jetuar dhe për të njohur këtë duhet të mësoj më shumë të vërteta rreth Komandantit. I Lavdishmi shkatërroi shumë jetë. Sigurisht, që përmirësoi edhe shumë jetë njerëzish, sepse nën asnjë lloj pushteti, edhe në atë më të keqin, nuk mund të shkatërrohen të gjithë. Kjo dhe jo vetëm trushpëlarja spjegon pse ka nga ata që e kujtojnë me mall. Më e keqja është se la pas jo vetëm një strukturë shoqërore dhe ekonomike anormale, por edhe një mënyrë të të bërit politikë me prapaskena e likuidime. Shqipëria do kohë të marrë veten nga trauma e rëndë që kaloi për 45 vjet. Do duhen të paktën edhe 45 vjet të tjerë, që përkojnë me 127 vjetorin e lindjes të atij që nuk deshte të merrte nga ditët tona. I mjaftonin jetët!

Monday, 14 October 2013

¨¨Statusi¨¨ i arkitektit

Pikërisht në tetor të dhjetë vjetëve më parë, hasa në togfjalëshin “statusi i arkitektit”. Bisedoja në Tiranë me një kolegen time për gjendjen e arkitekturës dhe të arkitektëve shqiptarë dhe papritur ajomë tha “Cdo gjë do jetë ndryshe sa të miratohet statusi i arkitektit”. E pyeta se ç’kishte të bënte statusi i arkitektit me ndryshimin e gjendjes së arkitekturës, qoftë nga ana teknike, por edhe nga ana e biznesit dhe kolegia, më me përvojë se unë, më pa e çuditur si për të më thënë ‘ti nuk ja paske idenë!” Kanë kaluar kaq vite dhe nuk kam pyetur më nëse është miratuar apo jo Statusi I Arkitektit, sepse më është dukur një gjë absurde. Vite më vonë hasa në një nëpunës, të krekosur, të cilin pasi e pyeta për emrin shtoi edhe që “kishte statusin e nëpunësit civil”. Kisha dëgjuar për “statusin e ushtarakut”, atë të veteranit, të policit e ndoshta në Shqipëri ka edhe plot statuse të tjerë, të miratuar ose në miratim e sipër. Të them të drejtën, më ka ardhur zor ta pyes, kur qethem, berberin tim në Korçë, nëse gëzon “statusin e berberit”. Po le të kthehem në profesionin, që ushtrova për një kohë në atdhe, pa patur statusin.Më duhet të shkruaj disa rrjeshta, për arkitektët e rinj, që sa kanë hyrë në rrugën e profesionit. Kam ndjekur me shqetësim dhe jam shprehur edhe në shtypin shqiptar për dy probleme që lidhen me arkitektët e posadiplomuar. E par është cilësia e shkollave shqiptare të arkitekturës, të cilat për shumë arsye kanë vuajtur nga mungesa e traditës, e kuadrit dhe e programeve bashkëkohore mësimore. E dyta dhe që ka pasur mundësi të kontrollohet, ka qënë numuri i studentëve, të cilët studiojnë arkitekturë në universitetin publik dhe në ato private në Tiranë. Në mënyrë të papërgjegjshme për të mos e quajtur të poshtër, këto universitete për të fituar sa më shumë e sa më shpejt, kanë abuzuar me endrrën e të rinjve, që një ditë të ushtrojnë profesionin e nderuar të arkitektit.Nisur edhe nga një bum projektesh e ndërtimesh në Shqipëri në fund të shekullit të kaluar dhe në fillimet e shekullit të ri,qindra familje shqiptare kujtuan se mund të kishin bijtë e tyre projektues. Dhe askush, as Ministria e Arsimit apo ajo e Ekonomisë nuk orientuan njerëzit e interesuar se cilat janë mundësitë e punësimit të arkitektëve në të ardhmen. Ka vite të tëra që të rinjtë e diplomuar nuk gjejnë dot punë dhe përsëri vazhdon prodhimi i mbi 500 arkitektëve të rinj në vit, pa llogaritur këtu ata që diplomohen jashtë. Janë mbi 5 mijë të diplomuar vetëm në këto 13 vjet, që ju shtohen mijra të tjerëve të diplomuar 30 vitet e fundit të shekullit të XX-të. Vërtet, probleme me punësimin e arkitektëve ka edhe Italia, që ka numurin më të madh të tyre për banorë se gjithë vendet e zhvilluara Europiane, por në këtë masë dhe me këtë cilësi të dobët, që shkollohen tek ne, besoj se nuk gjenden as në ish-republikat sovietike të Azisë. Shkolla shqiptare e arkitekturës ka qënë e dobët për shkak të sistemit diktatorial, por të ashtuquajturat katedra të arkitekturës në universitetet private, ku japin mësim kolegët e mij të dalë nga Universiteti i Tiranës, janë edhe më të dobëta. Kalimthi këtë e kam konstatuar nga kontaktet e pakëta që kam pasur në Shqipëri me arkitektë të sapodiplomuar. Pjesa dërmuese e tyre jo vetëm do e kenë vështirë të punësohen apo të licensohen, por ndoshta nuk do kenë kurrë fatin të projektojnë. Për të mos folur për të pasur “statusin magjik”, që as të bën arkitekt dhe as të mbron dot nga lukunia e të talentuarve dhe të patalentuarve!

Saturday, 12 October 2013

Delenxhinjte

E vura këtë titull se doja të shkruaja për ta dhe në çast kuptova, që nuk ja di kuptimin fjalës. Po tani nuk kam ndërmend ta ndryshoj dhe do shkruaj për atë kategori njerëzish, të cilët i mendoj si të tillë. (Në mendje e kam patur si punë zhambazë bagëtish, por mbase është ndonjë fjalë turke që nuk ka lidhje me bagëtitë e imta e sidomos me të urtat dele.) Një miku im, kategorinë për të cilën po shkruaj, i quan tregëtarë lëkurësh. Mos e tjerr shumë gjatë do filloj "t'i sulmoj me gjithë frymën e ambicies sime personale"! Po sa bëhem të nis sulmin, më vjen zëri i një të njohurit tim që më thotë "Po ç'ke o me delenxhinjtë? Të gjithë armiq do i bësh? Do vijë një ditë që do kesh nevojë e do trokasësh në një delenxhi-derë." Po edhe pse mund të vijë një ditë e tillë, unë do parapëlqeja të mos trokisja në atë derë, se sa të humbas lirinë e të thirrurit delenxhiun, me emrin që i takon. Nuk e di nga se më vjen kjo dëshirë "perverse", por ja që të tillë e kam dhe nuk jam në gjendje të përqëndrohem në anët pozitive të delenxhiut dhe të jetoj i lumtur duke thithur të njëjtin ajër pranë tij. Po kërkoj në mendje ndonjë personazh të letërsisë sonë dhe botërore, që përmbledh me saktësi natyrën e tij por nuk po sjell dot ndërmend. Delenxhiu psh është edhe intrigant por Jagon nuk e quajmë dot delenxhi. Nuk mund të quajmë as Tartufin, ndonëse delenxhiu është edhe mashtrues. Hipokrizia është pjesë e karakterit, por nuk mund të themi që Uriah Hipi është "delenxhi par excellence". Po të hidhem në delenxhinjtë që kam njohur gjatë jetës, besoj se duhet të bëhet një listë e gjatë, ndaj është e mira të heq të vdekurit, krushqit, klerikët, farefisninë, politikanët, kolegët dhe mësuesit. Të përqëndrohem në disa tipikë syresh, ose në të kundërt do më duhet t'i thërres me "sodonime"(Kjo e fundit do më bëjë të fitoj vetë statusin kandidat delenxhi ndaj po e skartoj.) E shoh që lista po ngushtohet se në të nuk mund të përfshihen as Juli e Ilir Mashtruesi për shkak të statusit të tyre(jo atij të të përndjekurit), as Ilir "Uriah Hipin" dhe as avokatin Syrja, "që humbi gjyqin po fitoi të drejtën e ankimit". (vijon)