Thursday, 17 October 2013

Bulevardi i fëmijërisë sime

Dje pashë disa foto të bulevardit ku jam rritur. Në ato kohë quhej Lenin e tani i është kthyer emri i vjetër Shën Gjergji. Fotot më befasuan jo për mire edhe pse nuk kam qënë kundër idesë për tu kthyer në shëtitore këmbësorësh. Në fund të fundit, i tillë ka qënë deri në fund të viteve 80. Edhe në orët kur lejohej qarkullimi i makinave, rrallë shihej ndonjë Ifkë e NTSHAP-it, që furnizonte dyqanet ushqimore, karrocat e plehrave si dhe Pandi Këndezka, që me karrocën e dorës merte e shpinte filmat në agjensinë e udhëtarëve. Rrallë kalonin edhe GAZ-et e ofiqarëve apo ato famëkeqët e Degës së Brendshme. E vetmja makinë private që qarkullonte ishte Moskoviçi ngjyrë bezhë i Dr.Polenkës. Ky ishte bulevardi i qetë i fëmijërisë sime, në të cilin vraponim herë me sandale plastike e here me këpucë të zeza, që na futnin ujë. Dyqanet në të cilat futeshim më shumë ishin Bonboneria, Kinkaleria e Demirit dhe Mapo-ja, por si fëmijë të mëhallës ishim të mirëpritur edhe në Berberat e në Llustron e Neke Vërdinit. Më vonë, në vitet 70 filluan rradhët e famshme në dyqanet ushqimore dhe pas shkolle ose në pushimet verore, mbetëm me orë të tëra në dyqanet e bulevardit duke pritur furnizimet me qumësht, djathë dhe zarzavate. Mbrëmjeve bulevardi kishte shumë gjallëri, se shumë njerëz shëtisnin për orë të tëra dhe mund të shihje gjithë qytetin duke nisur nga Sekretari i Parë e deri në Pandi Gjiza dhe Peçi Bajamka. Në atë bulevard kam parë për here të parë Çu En Lain, Vaçe Zelën, Loro Boriçin, Nina Mulën, Ismail Kadarenë, Skënder Sallakun, Sandër Prosin, Nih Çin Çinin, Agim Fagun dhe plot personalitete të famshëm të viteve 60 dhe 70. (vijon)

No comments:

Post a Comment