Monday, 14 October 2013

¨¨Statusi¨¨ i arkitektit

Pikërisht në tetor të dhjetë vjetëve më parë, hasa në togfjalëshin “statusi i arkitektit”. Bisedoja në Tiranë me një kolegen time për gjendjen e arkitekturës dhe të arkitektëve shqiptarë dhe papritur ajomë tha “Cdo gjë do jetë ndryshe sa të miratohet statusi i arkitektit”. E pyeta se ç’kishte të bënte statusi i arkitektit me ndryshimin e gjendjes së arkitekturës, qoftë nga ana teknike, por edhe nga ana e biznesit dhe kolegia, më me përvojë se unë, më pa e çuditur si për të më thënë ‘ti nuk ja paske idenë!” Kanë kaluar kaq vite dhe nuk kam pyetur më nëse është miratuar apo jo Statusi I Arkitektit, sepse më është dukur një gjë absurde. Vite më vonë hasa në një nëpunës, të krekosur, të cilin pasi e pyeta për emrin shtoi edhe që “kishte statusin e nëpunësit civil”. Kisha dëgjuar për “statusin e ushtarakut”, atë të veteranit, të policit e ndoshta në Shqipëri ka edhe plot statuse të tjerë, të miratuar ose në miratim e sipër. Të them të drejtën, më ka ardhur zor ta pyes, kur qethem, berberin tim në Korçë, nëse gëzon “statusin e berberit”. Po le të kthehem në profesionin, që ushtrova për një kohë në atdhe, pa patur statusin.Më duhet të shkruaj disa rrjeshta, për arkitektët e rinj, që sa kanë hyrë në rrugën e profesionit. Kam ndjekur me shqetësim dhe jam shprehur edhe në shtypin shqiptar për dy probleme që lidhen me arkitektët e posadiplomuar. E par është cilësia e shkollave shqiptare të arkitekturës, të cilat për shumë arsye kanë vuajtur nga mungesa e traditës, e kuadrit dhe e programeve bashkëkohore mësimore. E dyta dhe që ka pasur mundësi të kontrollohet, ka qënë numuri i studentëve, të cilët studiojnë arkitekturë në universitetin publik dhe në ato private në Tiranë. Në mënyrë të papërgjegjshme për të mos e quajtur të poshtër, këto universitete për të fituar sa më shumë e sa më shpejt, kanë abuzuar me endrrën e të rinjve, që një ditë të ushtrojnë profesionin e nderuar të arkitektit.Nisur edhe nga një bum projektesh e ndërtimesh në Shqipëri në fund të shekullit të kaluar dhe në fillimet e shekullit të ri,qindra familje shqiptare kujtuan se mund të kishin bijtë e tyre projektues. Dhe askush, as Ministria e Arsimit apo ajo e Ekonomisë nuk orientuan njerëzit e interesuar se cilat janë mundësitë e punësimit të arkitektëve në të ardhmen. Ka vite të tëra që të rinjtë e diplomuar nuk gjejnë dot punë dhe përsëri vazhdon prodhimi i mbi 500 arkitektëve të rinj në vit, pa llogaritur këtu ata që diplomohen jashtë. Janë mbi 5 mijë të diplomuar vetëm në këto 13 vjet, që ju shtohen mijra të tjerëve të diplomuar 30 vitet e fundit të shekullit të XX-të. Vërtet, probleme me punësimin e arkitektëve ka edhe Italia, që ka numurin më të madh të tyre për banorë se gjithë vendet e zhvilluara Europiane, por në këtë masë dhe me këtë cilësi të dobët, që shkollohen tek ne, besoj se nuk gjenden as në ish-republikat sovietike të Azisë. Shkolla shqiptare e arkitekturës ka qënë e dobët për shkak të sistemit diktatorial, por të ashtuquajturat katedra të arkitekturës në universitetet private, ku japin mësim kolegët e mij të dalë nga Universiteti i Tiranës, janë edhe më të dobëta. Kalimthi këtë e kam konstatuar nga kontaktet e pakëta që kam pasur në Shqipëri me arkitektë të sapodiplomuar. Pjesa dërmuese e tyre jo vetëm do e kenë vështirë të punësohen apo të licensohen, por ndoshta nuk do kenë kurrë fatin të projektojnë. Për të mos folur për të pasur “statusin magjik”, që as të bën arkitekt dhe as të mbron dot nga lukunia e të talentuarve dhe të patalentuarve!

No comments:

Post a Comment