Monday, 21 October 2013
Autotymnajë mbi Kadarenë
(vijon nga postimi i mëparshëm)
Si më ndodh shpesh me ngjarjet në Shqipëri, pasi shkrojta pjesën e pare të shkrimit, mësova se Ndriçim Kulla paska shkruar një biografi të Kadaresë dhe shkrimi, që kisha cituar ishte pjesë e librit. Sot lexova një pjesë tjetër nga libri të botuar po në Shqiptarja. Vazhdon i njëjti shtjellim i shtrembër i fakteve dhe ndoshta kemi të bëjmë me një biografi të autorizuar, gjë e cila e bën më me faj Kadarenë.
Përsëri, qëllimisht përzjehen kohët dhe situatat. E them qëllimisht për Kadarenë, se Ndriçim Kulla nuk ka idenë e viteve 60 të Shqipërisë. Duhet të përsëris edhe diçka që duhet ta kem përmendur në blog, që një gjë të tillë Ismaili e ka përdorur edhe me njerëz të tjerë duke shitur “sapunin” e persekutimit pas 1982 për djathë safi.
Po le të rikthehemi viteve 60, që kanë qënë vite me shumë ngjarje në jetën shqiptare, por edhe vite të një diktature më të butë. Prej dënimit të Liri Belishovës më 1961 nuk pati asnjë grup që të goditej brenda Partisë I pari do ishte grupi Paçrami-Lubonja më 1973. Në ato vite, në sajë të ndihmave kineze pati edhe një përmirësim ekonomik të jetës së shqiptarëve. U hoq përfundimisht sistemi i triskëtimit dhe filluan të ndërtohen më shumë vepra se në kohën e ndihmave sovjetike. Partia kishte marrë revan, sa në vitin 1966 filloi procesin e revolucionarizimit të gjithë fushave të jetës. Dhe duhet pranuar që tek njerëzit e sidomos të rinjtë zotëronte një lloj entusiazmi jo i shtirur, si ai i detyruari i viteve ‘70 dhe ‘80. Pikërisht në këto vite, pasi ishte kurorëzuar si poeti(jo shkrimtari) më i mirë i vendit, Kadareja kishte botuar poemat “Enderr Industriale” dhe “Përse mendohen këto male”, të cilat edhe pse nuk përmendnin në çdo varg Partinë, ishin të përshkruara nga ideologjia partiake e çastit. (Ideologjia e PPSH, ka qënë gjithnjë e ndryshueshme, në shërbim të pushtetit personal të Hoxhës.) Në fushatën e krijimit të heronjve të rinj të socializmit, më 1967 Kadareja botoi një poezi të gjatë për Fuat Çelën. Sipas Kullës, pikërisht më 1967, diktatori filloi të dërgojë me të tretë, mesazhe kërcënimi nëse Kadareja do hezitonte ende të shkruante një poemë për të në prag të 60-vjetorit! Por para vitit 1967, Kadareja kishte botuar poemen e tij Viti gjashtedhjete, e cila prekte pikerisht temen, qe do shtjellonte me vone ne Dimrin e Vetmise se Madhe, pra mosnenshtrimin e Enverit ndaj diktatit te Moskes! Edhe pse Ismaili sot eshte distancuar nga krijimtaria e tij poetike, duhet thene qe pikerisht nëpërmjet poezive dhe poemave, ai zuri një nga vendet e kryes në sofrën letrare të viteve të Partisë, sofër që mbikqyrej e kontrollohej nga Diktatori. Ishte pikërisht telefonata përgëzuese e Hoxhës për poemën Përse mendohen këto male më 1964, që i jepte vulën e të talentuarit 28 vjeçarit nga Gjirokastra. Dhe kjo për mesazhin e poems, i cili ishte – Vetëm nën udhëheqjen e Partisë, Shqipëria e çoroditur në histori, mundi të gjejë rrugën e saj të shpëtimit.
Por përse E.Hoxha telefonte Ismailin dhe jo poetë të tjerë, që thurrnin ditirambe për Partinë dhe të në ato vite.
Pikërisht se Ismaili ishte më i talentuari mes tyre dhe i njëjti mesazh tingëllonte patetik në poemat e Llazar Siliqit, Vehbi Skënderit, Fatos Arapit dhe deri diku edhe në “Devoll Devoll”, të Dritëroit.
(vijon)
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment