Saturday, 19 October 2013
Tymnajë mbi Kadarenë
E përdora këtë fjalë ala-Kadare, e cila edhe mund të jetë në Fjalorin e Ri të shqipes, për të përcaktuar diçka që nuk i ngjan aq shumë mjegullës, por është një lloj mjegulle e nxehtë që del nga zjarre të ndezur e shuar kushedi se ku. Ndoshta disa të vegjël janë ndezur edhe nga vetë Ismaili.
Kur lexoj në shtypin shqiptar rreth tij, has në emra profesorësh e studiusis si Sadik Bejko dhe Ndriçim Kulla ose gazetarësh të kallëpit të Myftarajt. Ndoshta ka edhe emra të tjerë, të cilët më kanë shpëtuar në periudhat kur nuk lexoj në internet shtypin tonë. Një artikull të studiuesit e botuesit Kulla lexova dje në Gazetën Shqiptare. Titulli ishte intrigues: Kadareja ndërmjetës i Hoxhës me Perëndimin. Edhe pse e di që abuzohet me emrin dhe veprat e Ismailit, përsëri mora ta lexoja, duke menduar se do mësoja diçka. Dhe vërtet mësova që studiuesit dhe gazetarët shqiptarë jo vetëm nuk njohin Historinë e Shqipërisë dhe të letërsisë shqipe, por nuk dijnë edhe nëse pas vitit 1961 vjen 1962, 1967 apo 1973. Po përse duhet harxhuar kohë të shkruash rreth broçkullave të botuara nga njerëz, të cilët nuk kanë idenë e viteve? Bile si mund t’i shkohet deri në fund një artikulli të tillë?
Ajo që më bëri të lexoja deri në fund, ishin pikërisht citimet nga të thënat e viteve të fundit të Kadaresë, që përdoreshin për të sulmuar Kadarenë Dallova mes tyre pasaktësi dhe interpretime të dyshimta, që më bëjnë të shkruaj çka di (dhe që e dinë mirë qindra të tjerë)rreth marëdhënieve të Ismailit me rrethet letrare dhe me ato politike në vitet ’60 dhe ’70.
Artikulli i Kullës(që ose është cunguar ose është vijim) fillon me pohimin që në Francë po bëheshin pyetje këmbëngulëse se pse Kadareja nuk udhëtonte në Francë apo në Perëndim. Dhe kjo sipas Kullës para se të ishte përkthyer Kadareja në Francë!! Pyetjet ishin aq të vazhdueshme sa për atë i duhej të merrej vetë Enver Hoxha! Po të pranojmë vitet ala Kulla, këto ngjarje kanë ndodhur rreth gjysmës së dytë të viteve ’60. Në ato vite, regjimi i Hoxhës e kishte humbur plotësisht shpresën se mund t’i bëheshin lëshime nga Perëndimidhe ishte në varësi të plotë të ndihmave kineze, të cilëve ju mjaftonte vendi jonë si një lloj altoparlanti në Europë, për të treguar për të treguar brenda e jashtë se kishin mbështetje nga vende si Shqipëria dhe Rumania, dhe nuk ishin të izoluara në kampin komunist. Përpjekjet për të fituar një status të ngjashëm me atë të Titos kishin përfunduar më 1961, ndaj për të mbetur në fron E.Hoxha kishte zgjedhur rrugën e stalinizmit kinez, të quajtur gjoja “marksizëm-leninizëm”. Në po të njëjtën periudhë, Franca e DeGolit kishte treguar shenja kryeneçësie ndaj amerikanëve duke tërhequr trupat e saj nga NATO dhe duke larguar Shtabin e Alencës Atlantike nga Franca. Ishin vite të një politike franceze më të butë ndaj gjithë vendeve komuniste. Për më tepër, partitë Komuniste në Francë dhe Itali ishin të forta e fitonin një përqindje të lartë në zgjedhjet. Kjo ishte në vija të trasha situata e përgjithshme politke e atyre viteve dhe po t’ju shtojmë edhe lëvizjet studentore të vitit ’68, askush në botë nuk parashikonte si të shpejtë rënien e komunizmit. Ndaj hamendja se Perëndimi interesohej përKadrenë për të hapur “konservën”shqiptarenëpërmjet Francës ose se Hoxha donte t’i lëshonte sinjale Perëndimit nëpërmjet Kadaresë është krejtësisht jashtë historisë europiane dhe botërore të viteve ’60.
(vijon)
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment