Saturday, 12 October 2013
Delenxhinjte
E vura këtë titull se doja të shkruaja për ta dhe në çast kuptova, që nuk ja di kuptimin fjalës. Po tani nuk kam ndërmend ta ndryshoj dhe do shkruaj për atë kategori njerëzish, të cilët i mendoj si të tillë. (Në mendje e kam patur si punë zhambazë bagëtish, por mbase është ndonjë fjalë turke që nuk ka lidhje me bagëtitë e imta e sidomos me të urtat dele.) Një miku im, kategorinë për të cilën po shkruaj, i quan tregëtarë lëkurësh. Mos e tjerr shumë gjatë do filloj "t'i sulmoj me gjithë frymën e ambicies sime personale"! Po sa bëhem të nis sulmin, më vjen zëri i një të njohurit tim që më thotë "Po ç'ke o me delenxhinjtë? Të gjithë armiq do i bësh? Do vijë një ditë që do kesh nevojë e do trokasësh në një delenxhi-derë."
Po edhe pse mund të vijë një ditë e tillë, unë do parapëlqeja të mos trokisja në atë derë, se sa të humbas lirinë e të thirrurit delenxhiun, me emrin që i takon. Nuk e di nga se më vjen kjo dëshirë "perverse", por ja që të tillë e kam dhe nuk jam në gjendje të përqëndrohem në anët pozitive të delenxhiut dhe të jetoj i lumtur duke thithur të njëjtin ajër pranë tij.
Po kërkoj në mendje ndonjë personazh të letërsisë sonë dhe botërore, që përmbledh me saktësi natyrën e tij por nuk po sjell dot ndërmend. Delenxhiu psh është edhe intrigant por Jagon nuk e quajmë dot delenxhi. Nuk mund të quajmë as Tartufin, ndonëse delenxhiu është edhe mashtrues. Hipokrizia është pjesë e karakterit, por nuk mund të themi që Uriah Hipi është "delenxhi par excellence".
Po të hidhem në delenxhinjtë që kam njohur gjatë jetës, besoj se duhet të bëhet një listë e gjatë, ndaj është e mira të heq të vdekurit, krushqit, klerikët, farefisninë, politikanët, kolegët dhe mësuesit. Të përqëndrohem në disa tipikë syresh, ose në të kundërt do më duhet t'i thërres me "sodonime"(Kjo e fundit do më bëjë të fitoj vetë statusin kandidat delenxhi ndaj po e skartoj.) E shoh që lista po ngushtohet se në të nuk mund të përfshihen as Juli e Ilir Mashtruesi për shkak të statusit të tyre(jo atij të të përndjekurit), as Ilir "Uriah Hipin" dhe as avokatin Syrja, "që humbi gjyqin po fitoi të drejtën e ankimit".
(vijon)
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment