Wednesday, 16 October 2013

Vdiq, po na e la Shqipërinë çorbë derri.

Kjo datë nuk kalon pa na e kujtuar Udhëheqësin e Lavdishëm. Edhe pse ka diskutime për datën, kur Haneja solli në jetë shqiptarin që kushtëzoi jetët tona edhe më shumë se prindrit tanë, unë i qëndroj besnik 16 tetorit. Sot, në Itali mbase do e varrosin më në fund nazistin Priebke, por kjo rastësi as e ngre dhe as e njollos figurën e Komandantit tonë. Gjithë historia shqiptare e shekullit të kaluar, u përcaktua nga dy vetë Mbreti dhe Komandanti. I dyti jo vetëm për 40 vjetët që sundoi por edhe 15 vitet e para të pasvdekjes, si dhe këto 13 vjet të shekullit të ri. Personalitete e tjera si Ismail Qemali, Fan Noli, Avni Rustemi, Faik Konica, Mehdi e Mithat Frashëri, Esat Toptani, Mehmet Shehu, Ramiz Alia e të tjerë kanë luajtur role të dorës së dytë. Të sotmit Nano, Berisha, Rama janë thjesht “peshqeshe” të epokës së lavdishme enveriane. Ka raste që më vjen çudi me veten, që sa më shumë lexoj rreth tij, aq më tepër më mjegullohet karakteri dhe cilësitë e tij. Duhet pranuar që është një figureë tepër komplekse dhe mungojnë librat objektivë të shkruar nga njerëz që e kanë njohur shumë mirë. Diku në blog kam shkruar rreth 100 pyetje rreth tij, por kur I mendoj, jo vetëm nuk jam në gjendje t’ju jap sot përgjigje, por mbase duhen shtuar edhe 100 të tjera. Dikush mund të më pyesë se ç’dobi ka, por më duket e papranueshme për veten, të mos njoh thellë se ku kam jetuar dhe në ç’kohë kam jetuar dhe për të njohur këtë duhet të mësoj më shumë të vërteta rreth Komandantit. I Lavdishmi shkatërroi shumë jetë. Sigurisht, që përmirësoi edhe shumë jetë njerëzish, sepse nën asnjë lloj pushteti, edhe në atë më të keqin, nuk mund të shkatërrohen të gjithë. Kjo dhe jo vetëm trushpëlarja spjegon pse ka nga ata që e kujtojnë me mall. Më e keqja është se la pas jo vetëm një strukturë shoqërore dhe ekonomike anormale, por edhe një mënyrë të të bërit politikë me prapaskena e likuidime. Shqipëria do kohë të marrë veten nga trauma e rëndë që kaloi për 45 vjet. Do duhen të paktën edhe 45 vjet të tjerë, që përkojnë me 127 vjetorin e lindjes të atij që nuk deshte të merrte nga ditët tona. I mjaftonin jetët!

No comments:

Post a Comment