Wednesday, 31 January 2018

Rombikët (2)

(vijim)
Mjeku dhe mësuesi i muzikës udhëtonin me të njëjtën makinë. Mësuesi, ose “skifteri S” si quhej mes anëtarëve të Bashkimit të Rombikëve, kishte pësuar vite më parë një aksident me makinën, që drejtonte dhe tashmë e mbante qafën gati të ngrirë dhe s’mund të drejtonte më mjete, që kërkonin patentë. Gjatë verës, me vështirësi ngiste një motoçikletë të vogël, në ndenjësen e pasme të së cilës vinte kitarën. I duhej për të dhënë mësime private. Shkonte gjithnjë në shtëpitë e nxënësve. Në dimër, e merrnin dhe e shpinin prindërit e tyre.
Ishte virtuoz në kitarë dhe mandolinë dhe i vetmi në qytet, që veç bakllamasë luante dhe në ukulele. Një adoleshente, që pas një udhtimi në ishujt Havai, donte me çdo kusht të mësonte veglën e famshme të ishullit, pas disa javësh mësimesh, kishte rënë marrëzisht në dashuri me mësuesin, sa ai u detyrua, të shkatërronte të vetmen ukulele që kishte. Bashkimi i Rombikëve kishte rregulla morale tepër strikte. Ndëshkimi mund të kalonte përjashtimin nga Bashkimi. Mund të ndëshkohej me gjymtim dhe deri me vdekje. Kështu kishte qënë gjithmonë. Mësuesi këtë e dinte nga i jati, që kishte qënë anëtar i fshehtë i Rombikëve për gjashtë dhjetvjeçarë, bile ishte zgjedhur edhe Sklifter katër herë.
Pasi ishte përndjekur për dy muaj nga vajza, mësuesi ishte detyruar t’i tregonte të jëmës së saj dhe gjërat ishin normalizuar. Familja, që kishte një biznes të mirë bebelinash, e kishte dërguar vajzën për studime në kryeqytet, por dhe atje ajo nuk kishte hequr dorë nga mësimi i ukuleles. Tani luante në një orkestër të vogël të një televizioni të njohur, por qafën dhe kokën nuk i lëvizte ndërsa i binte me shkathësi veglës. mësimet e para me “skifterin S” kishin lënë gjurmë të pashlyeshme. E thërrisnin “bukuroshja tropikale e ngrirë“.
-          Skifteri I- tha mësuesi me gjysëm zëri duke parë drejt rrugës.
-          Po- u përgjigj mjeku. Nuk kishin folur, që kur kishin hipur në makinë.
-          Parmbrëmë më telefonoi Sklifteri…nuk di nëse duhet të ta them ty këtë.
-          Po qe se nuk përbën shkelje të kodit ma thuaj.
-          Dikush ka shpifur.
-          Përse?
-          Të kujtohet ku hëngrëm darkë të premten e shkuar?
-          Po. Në “Dy këndezat”. Kemi qënë edhe herë tjetër atje.
-          Dikush…ndoshta ndonjëri nga fajkonjtë…ka thënë se pulat, që kemi ngrënë atje, janë nga pulat e ekonomisë time familjare. Ti e di që i kam bërë 60 të tilla.
Mjeku nuk foli. U mundua të kujtonte pjesëne pulës që i kishin servirur të premten më të parë dhe nëse ishte e ndryshme nga pulat, që kishte ngrënë herë tjetër në Taverna “Dy Këndezët”. Kujtoi që kishte ngrënë samarnikun e pulës me çervish, por asgjë tjetër të veçantë. Lëkurën, si gjithnjë ja kishte hequr.

            - Ti i ushqen me misër?- pyeti mjeku
(vijon)

Rombikët (Kreu 14 - “X të thyera")

Ata nuk kishin lënë gjurmë kurrë. Nuk lejonin kurrë të mbaheshin shënime gjatë mbledhjeve të fshehta. Të hapurat, kishin më tepër karakter ceremonial dhe nuk ishin të detyruara për të gjithë. Zakonisht bëheshin në taverna të premteve dhe ushqimi, që shërbehej ishte gjithnjë me mish shpendësh ndaj dhe takimet quheshin të Premtet e Shpendëve. Më të shpeshta ishin të premtet e pulave, por nuk mungonin edhe ato të thëllëzave, turtujve, gjelave të detit dhe të fazanëve.
Edhe në taverna, tryezat i vendosnin në formë rombi, po ashtu si në mbledhjet e fshehta. Askush nuk ulej në kulmet. Ishin të gjithë thuajse të barabartë , ndonëse vjetërsia në Bashkim, luante rol në renditjen e tyre në krahët e barabarta të tryezave. Anëtarët më të vjetër, ata që quheshin “skifterët”, rrinin në vendet pranë diagonales më të shkurtër të rombit ndërsa më të rishmit, “fajkonjtë“në vendet më tej. Një herë në vit, zgjidhej edhe kreu i Bashkimit, ose si e quanin mes tyre “Sklifteri”, emër ky i mbetur që në kohët e hershme të themelimit të Bashkimit. Sklifteri qëndronte gjithmonë në krahun e djathtë të diagonales së vogël dhe ishte ai që bënte porosinë e darkës. Nga mbledhjet e fshehta nuk dihej asnjë hollësi. Gjithshka ishte e errët, e fshehtë, mistike dhe e mbuluar me një vello të trashë, mbi të cilën mund të lexoheshin vetëm fjalët “Atdhedashuri – Vëllazërim- Paqe-Shenjtërim”. Ishin po aq fjalë sa brinjë ka Rombi dhe veç anëtarëve askush nuk e dinte nëse ndonjëra kishte më shumë rëndësi se të tjerat. Një pëlhurë e mëndafshtë, ku ishin qëndisur fjalët magjike, varej gjithnjë në murin e tavernës, ku haej darka e rradhës në një nga të Premtet e Shpendëve.
                                   
*          *          *
Nga një dëshmi e një kamarieri taverne në Shërbimin Inteligjent:
“Vinë të gjithë në të njëjtën kohë. Ka raste, kur disa prej tyre shoqërohen edhe nga gratë. Tryezat e vendosura në trajtë rombi i porosisin më parë në telefon, kurse ato që hanë dhe verën e porositin në vend.
Për të gjithë porosit ai, që i thonë Sklifteri. Për vete kërkon gjithnjë gjoks shpendi.
Para se të fillojnë të hanë këndojnë të gjithë një këngë latinisht. Mbaj mend vetëm fjalët “rombus, rombus” që përsëriten dhe “viçi”.
Ne i quajmë rombikët, por ata i drejtohen njëri tjetrit me skifter dhe fajkua. Skifterët me përjashtim të njërit, që e ka kokën e rruar, i kanë flokët e bardha. Asnjë nga falkonët nuk është flokëbardhë.
Hanë të heshtur dhe koskat e shpendëve, të gjithë i vendosin në të majtë të pjatës.
Bisedat janë të përgjithshme, por më shumë flasin rreth muzikës. Dy i njoh. Njëri është mjek dhe tjeri mësues muzike. Të dy janë skifterë. Disa nuk i kam parë kurrë më parë. Darka zgjat gjithnjë pesë minuta më pak se dy orë. Para se të ikin përqafohen.

R.E.”

(vijon)

Tuesday, 30 January 2018

Kryeministrat “kokëfortë“ shqiptarë


Dy shtetet shqiptare kanë sot dy kryeminstra, që në shtetet europiane do ishin dorëhequr menjëherë (për arsye të ndryshme nga njëri tjetri).
Ramush Haradinaj duhej të mjaftohej me refuzimin e vizës nga SHBA, aleatja më e madhe e Kosovës dhe “krijuesja dhe garantuesja” e shtetit të Kosovës, që të dorëhiqej pa një e dy.
Edi Rama duhet të ishte vetëlarguar, posa plasi skandali i krahut të tij të djathtë, Saimir Tahirit, për përfshirje në një rrjet të favorizimit dhe trafikimit të drogës.
Por nuk ndodh kështu dhe kjo nuk është as e para herë dhe as e vetmja. “Kokëfortësi shqiptare” kanë dëshmuar më parë Berisha e Thaçi.
Por, duke parë thellë shoqërinë shqiptare, mendoj se mosdorëheqja e kryeministrave shqiptarë, nuk ka aq shumë të bëjë me personalitetin  e të sipërpërmendurve dhe as më “kryeneçësinë“ tonë legjendare.
Politikanët të cilët japin lehtë dorëheqje nuk janë të shumtë edhe në botë. Zaten vendosmëria për të qënë në pushtet është cilësi nga kryesoret e një politikani të karrierës. Pjesa më e madhe e atyre, që dorëhiqen, detyrohen ta bëjnë këtë. Detyrohen nga Partia e tyre, nga grupe ekonomike të fuqishme, nga grupe ushtarake, ose edhe nga udhëheqësit fetarë.
Cdo shoqëri, demokratike apo më pak demokratike, ka një “stof” të sajin, i cili përbëhet nga forca me fuqi ekonomike, politike, gjyqësore apo me autoritet moral.
Tek ne ky “stof” u prish në 50 vite Diktaturë dhe askush nuk ka bërë përpjekje për ta rithurrur.
Mund të arrijnë edhe më keq se deri më sot skandalet e Ramës (ky i Tahirit duket se po harrohet) dhe brenda Partisë së tij, nuk ka asnjë grupim të vogël, që të bëjë përpjekje t’i thotë “Dorëhiqu , të paktën për disa kohë“.
Opozita nuk ka numurat e nevojshme për ta rrëzuar dhe nuk po bën përpjekje  të sugjerojë ndonjë lëshim në këmbim të dorëheqjes së Ramës.
Presidenti me njërën këmbë në LSI nuk ka autoritetin e të paanshmit, që të shprehet publikisht largimin e Ramës për hir të Shqipërisë.
Grupimet ekonomike mendojnë vetëm për çastin, pa parë se në planet afatgjata të ekonomisë së vendit, largimi i kreut të qeverisë pas disa skandalesh vetëm forcon Demokracinë.
Sa për autoritete të tjera morale me peshë, as nuk mund të bëhet fjalë në Shqipëri dhe Kosovë.
Kokëfortësia e kryeministrave shqiptarë, do i mbajë edhe këtë vit pezull ekonominë dhe problemet e tjera kryesore të Kombit.
Ka pak gjasa, që BE të miratojë hapjen e negociatave brenda vitit, me këtë gjendje konfliktuale politike, skandalet dhe korrupsionin e lartë në vend.
Në vend numuro do mbetet edhe ]ështja e Kosovës, sidomos pas përpjekjeve të koalicionit qeveritar për të anulluar ligjin për Gjykatën Speciale.
Eshtë i domosdoshëm largimi sa më shpejt i Edi Ramës dhe Ramush Haradinajt nga postet e tyre.

Po a është i mundshëm?

Monday, 29 January 2018

Ti mish të bëhesh me presh!

Papa Nuçi nuk besonte në forcën e tij çudibërëse, kur para se të nisej për në kishë, i thoshte mishit që do gatuhej atë ditë “Ti mish të bëhesh me presh!”. Por ai ende besonte në bindjen e gruas ndaj “komandës” së burrit. Dhe vërtet, priftëresha e bënte gjellën me presh edhe pse nuk fliste me burrin e saj.
Historia e “mishit me presh” edhe pse për të qeshur, tregon se në Korçë kishte nisur krisja e shoqërisë maskiliste shqiptare. Priftëresha guxonte të rebelohej, të grindej me burrin, të mundohej t’i dëgjohej fjala e saj.  Pikërisht sepse në ndryshim nga zonat e tjera të Shqipërisë, korçarët kishin bërë më shumë kurbet, kishin marëdhënie më të hapura me popujt fqinjë dhe po futnin mënyrën e jetesës europiane, ku e ku më parë se ata , që banonin në vendbanimet e tjera shqiptare.
Sot, shoqëria shqiptare nuk është më ajo e gjysmës së parë të shekullit të XX-të, e megjithatë maskilizmi mbetet një problem i madh, që jo vetëm dëshmon prapambetjen e saj, por njëkohësisht është edhe faktori kryesor, që pengon zhvillimin.
Bota shqiptare sundohet nga burrat dhe ata nuk kanë asnjë predispozicon të “lëshojnë pe”.
Mjaft të shohësh se si janë raportet e “lojtarëve” kryesorë të politikës shqiptare me gratë e tyre apo me vartëset dhe duket se të gjithë “i tremben” një përparimi të grave në rolin vendimmarrës në çështjet e shoqërisë shqiptare. Edhe pas 27 vjetëve të shembjes së Diktaturës, roli i grave në politikë, institucione shtetërore , arsimore apo shkencore, mbetet në nivelin “dekorativ” të kohës së Lenkave, Gjela Bibave apo Lumturi Rexhave.
Tipik “maskilist” është kryeministri Rama, edhe pse shtiret sikur po inkurajon emërimet e grave në postet më të larta. Rama i përbuz gratë (zaten KM përbuz edhe të gjithë ata, që ka rrotull) dhe përfshirja e tyre në qeveri bëhet sipas nje skeme të caktuar : Gra me personalitet dhe arritje të pamjaftueshme për të thënë JO. Në qeverinë Rama-2, ashtu si në të parën, janë gra që nuk i njihte kush para se të përfshiheshin në qeveri, ose ishin militante të sprovuara. Në komunikimet me sms apo e-maile(të dëshmuara edhe nga Helena Kadare) me gra që i njeh mirë, apo edhe pak, kryeministri Rama përdor fjalë si “zemra”, “shpirti” apo “o yll”, që nuk dëshmojnë respekt, por përkundrazi, që gratë mund të manipulohen kollaj. Zaten gratë e zonja dhe me personalitet refuzojnë të pranojnë një gjuhë të tillë, të pështirë.
Berisha me patriarkalizmin e tij, kishte raporte të ngjashme me gratë, “që i dilnin nga rrjeshti”. Rasti i Prokurores së Përgjithshme Ina Rama, që nga e quajtur “Silvia Konti”, përfundoi në “lavire bulevardi” ishte një nga rastet më tipike, por nga të paktët e shfaqur në publik. Me kalimin e viteve në pushtet, nga PD-ja u larguan gradualisht gratë e zonja si Rushen Golemi, nënkryetarja e Kuvendit Qirko, Marieta Pronjari etj., për tu zëvendësuar me Grida Dumat dhe Mesila Dodat.
Por shembuj të tillë mund të jepen pafund edhe për politikanë më të rinj në moshë si Ben Blushi, që u soll në mënyrën më të pahijshme të mundshme me bashkëkrijuesen e lëvizjes LIBRA, Mimoza Hafizin.
Karriera e grave në Shqipëri mbetet po aq e mbyllur sot, po aq sa ka qënë në vitet ’80 dhe ’90, pa bërë as përmirësimin më të vogël. Këtë gjë e shton edhe emërimi në poste të burrave të pazotë e të pashkolluar, të cilët mund të mbledhin rreth vetes vetëm “të pazonja” ose “të nënshtruara”.
Sigurisht, është më e lehtë të bësh me faj shkaktarët kryesorë, por edhe vetë gratë dhe vajzat nuk mund të përjashtohen nga përgjegjësia, sepse janë pak të organizuara, për të bërë atë që duhet si gjysma e shoqërisë që janë. Lëvizja feministe në Shqipëri duket se është mjaftuar me fitimin e të drejtës “për të ndenjur kafeneve” po aq edhe sa burrat dhe jo për të marrë pjesë denjësisht në vendimmarrje. Eshtë absurde të mendohet se burrat do e lëshojnë vetë pushtetin e plotë, që kanë në shoqërinë shqiptare.
Mbase priftëresha nuk kishte bërë më shumë se të kundërshtonte Papa Nuçin për problemet e familjes deri sa kishin mbetur për kohë të gjatë“të mëritur”, por kohë më parë, edhe pse jo e shkolluar, edhe pse shtëpijake e kishte detyruar burrin të lëshonte diçka nga pushteti i tij dhe të detyrohej t’i drejtohej mishit: “Ti mish të bëhesh me presh!”

80 vjet më vonë, Edi Ramës i mjafton t’i shkruajë (të themi Manastirliut) “Zemra mos çaj kokën për shkeljen e ligjit, por këtë tender do ja japësh filonit!”

Saturday, 27 January 2018

Rruga e gështenjave

Pse e vranë atë rrugë,
Rrugën,
Që më shpinte në të filmave botë
Sa shpejt vrapoja trotuararëve të saj
Me rrasa mbuluar,
Për të arritur tek porta e kinemasë
Edhe pse ishte vonë
Edhe pse ishte e kotë?
Hapësirën me kurora gështenjash mbuluar
Ku nuk lagesha as në shi;
Dhe mes të rriturve dredhoja,
Për t’ju shpëtuar pellgjeve
Dhe indiferencës së tyre
Pështjellë në fësh-fëshe të hirta
Dhe këpucë të zeza
C’ka atë kohë quhej rini.
Murin e lindjes i hoqën
Dhe me dritë të bardhë
E vranë pafajësinë e saj intime,
Të mbuluar me trungje gështenjash
Me të trashë lëvore,
Dhe bashkë me të fëmijërinë time
Të hazdisur të djelash
Të stolisur kristalesh dëbore.
Me shumë kripë vranë
Pasqyrat e krijuara në akull
Ku rrëshqisnim mbi mijra hargalisje
Binim
Dhe ringriheshim sërish,
Pa ditur se kolovajzeve të jetës
Ku dhjetra ranë,
Do ishte e pamundur të gjeje rinisje,
Si është e pamundur të ardhme të ngresh
Mbi themele të vjetra shtëpish.
Mua ma vranë atë rrugë gështenjash
Pa thyer vitrinat ku mbështesja hundën,
Ishte një “natë e ngadaltë kristalesh”
Natë shumëvjeçare
Edhe pse përzjehej me ditën,
Vrasja,
Që më bëri të merrja udhën.

Thursday, 25 January 2018

E ke që e ke të fryrë, hyrë edhe këtej, nga dhoma e grave!

Këtë thënie nga një anekdotë e anëve tona me dasmë dhe gajdexhi, më kujtoi vendimi i Lali Erit të Tiranës, për të blerë apartamentet e Kadaresë dhe Dritëro Agollit dhe për t’i kthyer në muze.
“Shoqërizimi” nuk ka lidhje as me “Dasmën” e Kadaresë dhe as me ndonjë gajdexhi në poezitë apo tregimet e Dritëroit. Më shkoi mendja se si mund të funksionojnë “ dy apartamente muze” njëri përmbi tjetrin, kur personalitetet kanë një diferencë aq të madhe mes tyre.
Mendova, që një “udhërrëfyes”, pasi i shpie turistët e huaj të vizitojnë studion ku ka shkruar Kadareja “ Dimrin e Madh” apo “Pallatin e Endrrave”, vepra këto të njohura mes dashamirësve të letërsisë në botë, ju thotë edhe “ Një kat më lart kemi edhe studion ku është shkruar “Nënë Shqipëri” dhe “Njeriu me top”. Doni t’i hidhni një sy?”.
Turistët e huaj(këta të grupeve janë zakonisht të moshuar), pasi “ju ka dalë xhani” në tre kate për të parë makinën e shkrimit të Helenës dhe stilografin e Ismailit, duhet të ngjiten edhe 20 basamakë të tjerë, të takojnë Sadijen, që do ju tregojë se sa marrëzisht e donte Dritëroi.
Amatorizmi i Rilindasve, së bashku me mungesën e kulturës, sensin e masës dhe një prirje për të idealizuar të kaluarën në Diktaturë, shpije në çdo lloj absurditeti.
Kjo është një më shumë, në vazhdën e lyerjes së pallateve nga Rama, ishulli i Beratit dhe Kulla Vrojtuese e Peleshit, muraleja e Tepelenës e Tërmet Peçit, Veliera e Dakos dhe sa e sa të tjera, të cilat më kanë shpëtuar mua, por që i dinë ata, të cilët jetojnë në Bashkitë e drejtuara nga Rilindasit.
Këta “birko injorantësh”, që nuk kanë pasur kohë të lexojnë, se janë marrë me militantizëm mitingjesh, kanë edhe delirin se mund të bëjnë gjëra të mëdha, me të cilat do hyjnë në histori.
Dhe në histori mund të hysh vërtet.
Por hyn edhe si Osman Gazepi dhe të tjerë personalitete qesharake të trevave tona.

Tuesday, 23 January 2018

Celentano- Mbreti (jo vetëm i injorantëve)

Adriano mbushi para dy javësh 80 vjet. Edhe pse sot, e quaj ndër këngëtarët e mij më të preferuar, të të gjitha kohrave, nuk ka qënë që shumë herët i tillë. Edhe pse dija suksesin e tij dhe famën në gjithë Europën me “24 milla bacci”, “Ragazzo della via Gluck” apo edhe “Chi non lavora- Non fa l’amore”, preferoja Morandin dhe Ranierin. Afrimin e vërtetë ndaj tij ja dedikoj Rikut dhe më vonë Binit.
Riku kishte një manjetofon italian, me disa shirita me këngë të viteve ’60 të Adrianos dhe jo vetëm, që i dëgjonim shpesh gjatë viteve të adoleshencës, por edhe na i përkthente tekstet, që të bënin më të afërt me botën e këngëve të tij. Atë kohë dija vetëm njëzet fjalë italisht, nga ato që i dinin të gjithë ata, që dëgjonin “Hit Parade”. Në Korçë nuk kishte kanale televizive italiane ndaj, ç’kishte mbetur në mendje nga Sanremot e Majk Bonxhornos, përzjehej me “Hit Parade” dhe “Canzone per l’estate”, të cilat ishin të vetmet emisione radiofonike, të cilat edhe i dëgjoja ndonjëherë (Nuk kam qënë kurrë i apasionuar pas radios, as në zbore, plazhe apo udhëtime).
Riku dinte shumë mirë italisht dhe nuk jam i sigurt, nëse kishte mësuar me ndonjë metodë apo duke lexuar e dëgjuar nga pak. Në këngët , që kishte në shiritat e tij, “shkëlqente” “Storia d’amore”, por unë kisha të preferuarën time “E voi ballate”. Ende  e kujtoj fillimin: “…riempite il mio bichiere…”
Në Tiranë, kur shkova në universitet,  ishin thuajse të gjithë “fansa” të Celentanos, me përjashtim të atyre që ishin të apasionuar pas “hard rock”. Bini e njihte italishten po  aq mirë sa dinte frëngjisht dhe herë herë më tregonte për këngë të veçanta të Adrianos, kohën që ishin krijuar dhe historinë, që kishin pas.
Ende e kam në mendje spjegimin e tij të hollësishëm të “Preghero”, të cilit i jepte edhe llogjikën e kuptueshme të një artisti, që ndodhet në një sukses të paparë dhe duket se po shkëputet nga besimi tek Zoti.
Ne ishim materialistë të bindut në rininë tonë, se na dukej se çdo gjë spjegohej aq logjikshëm nga filozofia marksiste, por Bini edhe pse nuk ishte fetar, kishte më shumë një lloj agnosticizmi në raportet e tij me natyrën, Zotin, jetën edhe vdekjen. Megjithatë duhet të them, se bisedat e thella filozofike nuk kanë qënë kurrë pjesë e bisedave tona. C’ka reflektohej, ishte në bisedat e zakonshme rreth historisë, letërsisë dhe artit dhe personaliteteve botërore.
Në rini, pra, Adrianoja u bë për mua, këngëtari italian më i preferuar dhe që kur filluan kanalet italiane edhe në Korçë, nuk humba kurrë asnjë “show” të tij. “Il Re” është i tillë jo vetëm për forcën artistike, por mbi të gjitha për botën e tij të madhe dhe shpirtin e madh.
Duket, që të vonuar më se tre dhjetvjeçarë nga shoqëria perëndimore, ne jemi ende në brezin e Sinatrës, Presllit dhe Celentanos.
Edhe dhjetra vite të tjera për ty Adriano!