Wednesday, 8 November 2017

Ministri i “peshqve”

Në pranverën e këtij viti, kur po përflitej heqja e Saimir Tahirit, burime të afërta me kryeministrin, dëshmonin se ministri i brendshëm do të bëhej me siguri Niko Peleshi, në atë kohë zëvendës kryeministër. Për çudi, pas heqje së Tahirit të përfolur, që mori me vete edhe ministrat koordinatorë me emrat tipikë shqiptarë Ilir dhe Bledi, ministër u vendos një tjetër jugor me emër shqiptar, Fatmir Xhafaj.
Spjegimet jo zyrtare ishin të shumta. Kishte ateistë të thekur, që përbetoheshin se në Shqipëri nuk kanë për tu lejuar më nga komuniteti ndërkombëtar ministra të brendshëm me emra fetarë dhe për këtë sillnin shembujt famëkeq të ministrave me emrat Koçi, Mehmet, Kadri dhe Simon. Sipas tyre, të gjithë këta kishin qënë katila, gjë që nuk kishte ndodhur me ministrant më njerëzorë me emrat Hekuran, Gramoz, Bashkim dhe Saimir.
Të tjera “gojë të këqija” theshin se Nikon nuk e deshin amerikanët si ministër të brendshëm, gjë që dukej e pallogjikshme, se amerikanët kishin pranuar që ai të ishte zëvendës kryeministër, post ky më i lartë se ai i ministrit të brendshëm. (Duke qënë edhe i vetmi zëvendës p.sh. në rast të një “dhjerjeje” të plotë dhe të vazhdueshme të kryeministrit Rama, Nikoja merrte drejtimin e plotë dhe efikas të qeverisë).
Dhe ja ku erdhi vjeshta e këtij viti, me sinjalet e saj të kuptueshme dhe të pakuptueshme.
Në fillim, posti i Ministrit të Bujqësisë,u duk sin jë pikë ulje në karrierën e Nikos, që për katër vjet kishte qënë numuri Dy i ekzekutivit. Bile zëra dashakeqës u orvatën edhe të talleshin me dhitë, stallat, fushat dhe thertoret e ministrit të ri.
Një vizitë në stabiliment të peshkut përsëri mbeti jashtë vëmendjes të medias deri sa plasi për së dyti, më me zhurrmë skandali “Tahiri” dhe ambasadori amerikan Lu deklaroi se së shpejti do “hamë peshq të mëdhenj”.
Po a ka peshq pa peshkim?
Po Peshkimin kush e mbulon?
Atëhere disa “peshq” të rrahur me vaj dhe uthull” kuptuan se ku flinte Lepuri i Detit.
Në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (dhe Peshkimit).
“Peshqit e mëdhenj” janë kompetencë eskluzive e Ministrisë së Bujqësisë dhe ministrit të saj.
Ambasadori dinak Lu me filozofinë e tij aziatike, nuk e ekspozoi lojën në pranverë, se “peshqit e mëdhenj” mund të trembeshin nga Nikoja, por shtruar, krijoji gjithë “arkitekturën” e re të kapjes së të mëdhenjve të krimit nga një Ministri, ku nuk të shkon mëndja. Ku do futen tani “peshkaqenët e krimit’?
Po gjithnjë dalin cinikë mosbesues. Sidomos nga Pazari i Korçës i shquar për cinikëri të klasit të parë.
Cinikët këndojnë vargjet e famshme të Petro Dulës (me që ra fjala ç’duan Bitëllsat në Pazar, kur nuk ka një kafene me emrin “Petro Dula”?!):
“ Cironka po gërthiste
Balenën ta gëlltiste
Xumtrialalialom…

(dy vargjet e fundit përsëriten dy herë).

Lufta ndaj krimit si “Pazari i peshkut”

Deklaratat e fundit nga të gjitha krahët e politikës, të shoqëruara edhe me premtimet e ambasadorit Lu se nga janari e tutje do kapen edhe “peshqit e mëdhenj” në detin shqiptar të krimit, ka ngjallur edhe shpresë, por edhe cinizëm në publikun shqiptar. Komentet me “peshq dhe peshkaqenë“ në rrjetet shoqërore online dëshmojnë se një pjesë e mirë e shqiptarëve nuk besojnë shumë në të.
Dhe jo pa të drejtë.
Në 20 vitet e fundit, të gjithë partitë politike i fituan zgjedhjet me premtimin se do luftonin korrupsionin dhe ky jo vetëm nuk u luftua, por arriti në përmasa të paimagjinueshme.
Tash e pesë vjet, Prokurori i Përgjithshëm Llalla premton se në vjeshtë fillojnë arrestimet e politikanëve (Llalla ka qënë i kujdesshëm në përdorimin e fjalorit të Pazarit të Peshkut)dhe të gjitha sezonet e gjuetisë së tij kanë qënë të pafrytshme.
Kjo është vjeshta e parë, ku në sajë të hetimeve të Prokurorisë së Katanias, të gjithë mburren se do bëjnë namin mbi “peshq të mëdhenj”.
Kryeministri Rama është i pari, që merr atributet e “peshkatarit të madh” ndonëse “peshkulin Tahiri” e mbante në krahun e tij të djathtë.
Ministri Xhafa gjithashtu mundohet të tregojë se nuk ja u ka frikën as peshkaqenëve, por nuk është në gjendje as të largojë as Haki Cakon nga kreu i policisë së molepsur.
Politikanët e opozitës bërtasin se i dinë se cilët janë “peshqit”, por për ta nuk dorëzojnë prej vitesh asnjë fakt konkret, që mund të sjellë ndjekje të ligjshme penale.
Një tufë me gazetarë investigues janë më “të entuziasmuarit’ në këtë Pazar të Peshku me gjysëm lajme, gjysëm të vërteta dhe me shumë “shkelje syri” se “ne dimë shumë gjëra”.
Shpresa të rreme krijohen në arritjen e dy zyrtarëve të FBI-së, të cilët si gjithë të amerikanët e tjerë do përdorin shprehjen e njohur “Ne këtu nuk jemi t’ju sjellim peshk, por t’ju mësojmë si të peshkoni”.
Lufta ndaj krimit të organizuar fillon me denoncime dhe vazhdon me hetime të kujdesshme deri sa arrihet në arrestime “të mëdhenjsh”, por kjo ka gjasa mos ndodhë ende në Shqipëri.
Njerëzit dinë shumë por nuk kanë besim të denoncojnë.
Punonjësit e papërlyer në polici dhe prokuroritë janë në minoritet dhe me duar të lidhura.
Ndaj ideja se ‘le të flemë të qetë deri në janar, se pastaj është FBI-ja me dosjet e trasha që do sjellë arrestimet” është një ide naïve.
“Të mëdhenjtë“ kan]ë për tu kapur kur zhurrma e Pazarit të Peshkut të jetë fashitur.

Për të duhet kohë dh e ndërgjegjësim i të gjithëve se nuk mund të jetohet më në këtë det krimi!

I dhjerë, por krenar

Kjo shprehje e çekut Jarosllav Hashek, në gojën e Shvejkut është aq e goditur për ne shqiptarët, sa ka një kohë të gjatë, që përdoret në shumë situata.
Një nga ilustrimet më të mira të kësaj shprehjeje duhet të jetë fotoja e djeshme në Fier e kryeministrit Rama. “I dhjerë, por krenar ama!”
Qëllimisht apo nga një zgjedhje e subkoshiencës, Rama ka zgjedhur llojin e pantallonave që të “mbulojnë të dhjerën”, por n jëkohësisht, për ata që kanë vojtur në jetë  e venë edhe në pah.
Rama ka vendosur të veshë brekushe të stilizuara, pikërisht se brekushet të tregojnë se mund të jesh i dhjerë, por edhe tç të mbulojnë prej saj. Se mund të të ndodhë , që gjatë një mbledhjeje të gjatë me të huajt, për shkak të diarresë dhe pamundësisë për tu larguar të shpëton. Dhe mund t’i shpëtojë kujtdo, edhe “djalit më të mirë të Shqipërisë“ sipas Peleshit, bile edhe Skënderbeut sipas Spiropalit. (Kjo puna e të dhj… të Skënderbeut nuk duhet të më kishte shpëtuar, por Edin nuk e kanë krahasuar me ndonjë figureë tjetër historike shqiptare. Dhe sipas Barletit, nuk ka asnjë rast diarrheje të Gjergj Kastriotit gjatë betejave zulmëmëdha kundër turqve.)
Nëse ke veshur kostum të modës së sotme, me pantallona të ngushta pas mollaqeve dhe pak të shkurtra, që të duken çorapet, jo vetëm që era shpërthen menjëherë, por nuk ka tavolinë, podium apo edhe bodigard, që të të mbulojë turpin. Le të jesh sa të duash krenar! Le të përdorësh batutat më të zgjuara dhe anekdotat më pikante! Je i dhjerë.
Sa ndryshe po të kesh brekushe!
Dhe sidomos po t’i kesh të stilizuara dhe me ndonjë paisje shtesë brenda në shtrat.
Era nuk ka nga të dalë gjëkundi se lart, t’i shtrëngon për beli ushkuri (i stilizuar). Poshtë po janë të lidhura mirë si kallce dhe po të jenë edhe prej stofi pa vrima, prej lëkure ose mushamaje asnjë molekulë e vockël fekalesh nuk arrin të depërtojë në ambjentin solemn.
Shtrati i gjatë, i bollshëm dhe me një formë të papërcaktuar, të lejon të lirohesh edhe nga një drekë e plotë me antipasta, supë, të parë , të dytë dhe ëmbëlsirë.
Pa erë, pa njolla dhe pa mbushje të pantallonave askush nuk mund të dyshojë se kryeministri i nderuar është i dhjeruar për momentin. Ai mbetet largpamës, i mençur dhe me vështrim të tretur në të ardhmen, pa I kushtuar rëndësi jashtëqitjeve të mediave dhe jashtëqitjes së tij, kudo që ajo të ndodhet , thellë në palat e brekusheve të stilizuara.
Vështirësi mund të ketë kur të ecë para mes “lehjes së qenve”, të cilët për shkak se kanë nuhatje tejet të veçantë, kuptojnë, që diçka nuk shkon në figurën e kryeministrit, por nuk e shprehin dot qartësisht. Por edhe këtë mund ta zgjidhë duke përdorur nga ato makinat lëvizëse, me të cilat kalon Papa mes turmave.
Po ç’ka qënë ajo sëkëlldi, që e detyroi kryeministrin të veshë brekushet?

Mbase e ka kuptuar, që nuk mund të vazhdojë të dhj… mbi kokat tona.

Tuesday, 7 November 2017

Një popull që nuk nderon Kasëm Trebeshinën do e ketë të vështirë të ardhmen

Sot është përcjellë për në botën e të heshturve Kasëm Trebeshina.
Mes heshtjes së plotë të të gjithëve.
Pak e kishin dëgjuar se cili ishte në rininë e tij. Më pak akoma gjatë burrërimit. Pushteti i komunistëve ishte kujdesur, që jo vetëm ta mbante në burg, por të krijonte edhe legjendën e “një të sëmuri mendor”.
Pas rënies të Diktaturës, kur dukej se mund të dëgjohej më shumë rreth tij dhe veprave të shumta, përsëri ra heshtja. Më e çuditshmja se janë me dhjetra televizionet radiot, gazetat, shtëpitë botuese.
Edhe kur dikush mundohej të nxirrte në pah gjenialitetin dhe idealizmin e tij, kishte dhjetra që vraponin ta mbulonin me baltën e “themeluesit të Sigurimit të Shtetit”.
Më të shumtë janë ata, që nuk kanë dëgjuar për të dhe një pjesë tjetër e shqiptarëve e dinë të vdekur prej kohësh.
Një i ri i mençur, shumë më tepër se bashkëmoshatarët e tij, po të lexosh edhe raportimet e tij thjeshta brenda Partisë Komuniste, kur ishte vetëm 17-18 vjeç.
Promemoria e tij drejtuar Enver Hoxhës në vitin 1953, të befason për qartësinë dhe kuptimin e historiesë botërore të një rinoshi vetëm 27 vjeçar. Vetëm Migjeni ka pasur një gjenialitet të tillë në moshë të re. Të mëdhenjtë e tjerë të letrave shqip kanë arritur të shohin qartë shumë më vonë.
Në Tiranë, sot, askush nuk është kujtuar të shkruajë diçka për Trebeshinën. Thua se ende i tremben dritës së tij.
Ne jemi një popull , që presim e përcjellim me fanfara sharlatanët. Jo shënjtorët. Prej të vërtetave të tyre kemi frikë. Ndoshta se janë tepër tronditëse ose se nuk jemi në gjendje t’i rrokim me mendje.
Ndaj kemi për të mbetur një turmë që vrapon pas larushanisë të prestigjitatorëve të fjalës. Ndaj dhe do e kemi të vështirë të ardhmen.
Mundohemi t’i mbushim mendjen vetes se “Ndoshta jetohet edhe pa të vërtetën”.
Kasëm Trebeshina nuk mund të jetonte dot pa të.

Prehu në paqe njeri i mençur dhe i ndershëm!

Monday, 6 November 2017

Opozita nuk është gati për zgjedhje të reja

Një “përpëlitje” e vazhdueshme e Ramës në krye të kësaj qeverie, të dalë nga zgjedhje tashmë të kompromentuara prej “skandalit të madh të kanabisit”, që posa ka nisur me pjesën e tij “Habilaj –Tahiri”, vetëm se do i sjellë dëme të mëtejshme gjithë jetës së vendit.
Investitorët e huaj do largohen edhe më shumë dhe po të njëjtën gjë do bëjnë edhe shqiptarët që kanë mundësi për të investuar.
Ngërçi i madh politik është i pritshëm, por duhet thënë që as opozita nuk është gati “për të rrëzuar Ramën” dhe aq më pak për të shpënë vendin në zgjedhje të parakohshme dhe pët t’i fituar ato.
E Djathta ka ende probleme të mëdha të brendshme ndërsa Opozita e Majtë duhet të merret me “rrjedhjet” e anëtarësisë, që po i shtohen çdo ditë.
Në këtë lloj gjendjeje politike, e vetmja mënyrë për të mos bllokuar jetën normale të vendit duket se është krijimi i një qeverie teknike me një mandat një vjeçar dhe me objektivin e vetëm të realizimit të Reformës në Drejtësi dhe ndryshimin e Ligjit Elektoral.
Duket se kjo mund të jetë e papranueshme për kryeministrin Rama, por në bashkëpunim me ambasadorët e huaj, në bisedime mes negociatorësh, kjo mund t’i sugjerohet “liderit të çoroditur” si e vetmja mënyrë për të pasur shpresën e një “gremisjeje jo të plotë“.
Alternativat e tjera të protestave dhe bojkotimeve jo vetëm kanë rezultuar të dështuara, por as kanë pasur dhe as do kenë mbështetjen e SHBA-së dhe BE-së.
Për të qënë e besueshme për opinionin shqiptar, tashmë të zhgënjyer thellë nga politika, në qeverinë “teknike” jo vetëm që duhet të përfshihen njerëz me reputacion, por e domosdoshme është të jenë të barzlarguar nga partitë. Mundësisht edhe kritikë të të gjitha qeverive si Fatos Lubonja apo Artan Fuga.
Vendi po i drejtohet një krize të thellë qeverisëse, ku ekipi i Rilindjes është tejet i korruptuar dhe opozita e dobët dhe jo shpresëndjellëse.
Të gjithëve ju duhet kohë për tu përshtatur në situatat e reja , që do sjellë përfundimi i Reformës në Drejtësi.
Dhe në rast se palët nuk arrijnë në një marëveshje të dobishme për të gjithë dhe sidomos për vendin, atëhere duhet të shpallin se janë kundër Reformës në Drejtësi!

Dëshire në shi

Po i mbledh litarët e këtij shiu
Për të zbritur atje ku je ti.
Nuk di nëse do më duhen
Gremçat e ëndrrave,
(Kurrë më parë nuk kam provuar
Të zbres pa rëndesë)
Por më s’mund të pres
Për një doracak të pashkruar
Dhe të pa lënë mbresë,
Ku një i gjallë drejt jugut shkon nëpër shi.
Më tërhiq,
Më fort se një rruzull stërmadh
Tërheq rruzullin e vogël,
Dhe i lagur mes rrëkeve
Do rrëshqas si një gogël.
Me dashuri mbushur
Më e dëndur se uji i rëndë,
Që në shpërthim ja u kalon rrufeve
Në qiejt e ngrysur.
Tek ti do gjej
Si ndodh qysh kaherë,
Të voglat grimca që ndrijnë si ar.
Trupave t’ja uhedhim edhe këtë herë,
Të ndrisim në këtë vjeshtë
Me drurë të zhveshur

Dhe shi që bie litar.

Sunday, 5 November 2017

Kaq tahmaqarë këta Ridhj…at?!

Eshtë e çuditshme se si mund të rikthehen si figura gjysëm simpatike çifti i hajdutëve Kryemëdhënj.
Aq shumë e kanë tepruar zullumin Ridhj…at sa më të korruptuarit në Shqipëri jo vetëm pot hërresin se sit a shpëtojnë atdheun nga Rama, por nuk na duken edhe aq të shëmtuar!
Në Romën e Vjetër ishin të njohura darkat e mëdha, të gjata e plot gjellë nga më të larmishmet, sa për të shijuar të tjera e të tjera, romakët e tejngopur shkonin e fusnin gishtat në grykë, për të “nxjerrë rropullitë“ e për të vazhduar gostinë pafund.
Këta pasunarët e Ramës duket se nuk janë kaq grykës, por tahmaqarë për para dhe për ta Dhj… dhe Ridhj… Shqipërinë.
Ndaj me plot gojë mund t’i quaj - Ridhj….at!
Kudo që bie erë fondesh, tenderash janë këta!
Në ministritë me buxhetin më të madh përsëri sulen këta!
Në Bashki, në Qark, Prefekturë, në Uji, në Energjija Elektrike!
Nga që xhepat ju janë zmadhuar shumë nuk dinë se si të marrin më shumë nga xhepat e të vegjëlve duke ngritur taksat, duke rritu çmimet e ujit, dritës, librave të shkollës dhe çdo gjëje tjetër të nevojshme për ata, që i quajnë popull po i mendojnë si turmë.
Kaq të shëmtuar në lakminë e tyre, sa të shkon vetëtimthi në mendje “Të lumtë goja moj Mona!” dhe më pas kafshon gjuhën se mendon se ç’lloj hajdutësh ishin ata para këtyre.
Ja do rrëzohet edhe Edi Rama!
Po kush të vijë në krye?
Ata që vjedhin më pak.
Mbase ekzistojnë, por është shumë e vështirë t’i gjesh