Wednesday, 22 August 2018

Të parët në ngjyrë smeraldi

“…Kisha dashur të ta thoja po kisha frikë. E mbajta mbi njëzetepesë vjet fshehur. Isha i sigurt se kishte ndodhur, por ti do qeshje me të madhe…dhe i shtova mundimin vetes.”
Bulëza djerse i mbuluan të gjithë pjesën e sipërme të kokës të posarruar. Me dorë fërkonte mollëzat dhe më pas e zbriste dorën deri pranë qafës. Më shihte ngultas, si kurrë ndonjëherë, si për tu siguruar nëse e besoja vërtet. Unë mundohesha që vijëzimet në fytyrë të mos më tradhëtonin. Isha vendosur ta dëgjoja deri në fund.
“…Pas herës të parë më mundonte pyetja – përse mua? Cdo gjë kishte qënë kristalisht e qartë, si në një film të kuruar me shumë kujdes… Në filim pata menduar se mos ishe ti dhe Ziku të maskuar, por nuk ju thërrisja dot të më linit rehat. Më pas pata ndjerë ftohtësinë e shtratit të metaltë poshtë kurrizit tim dhe e pata kuptuar që nuk isha në dhomën time…Gjithë ajo dritë e bardhë, sa e bardhë… dhe ato dy koka të mëdha mbi qafa të holla. Lëkurën nuk e kishin si tonën ndaj pata menduar se kishit vënë në kokë veshje si ato që kishim në Teatrin e Buratinëve. Ngjyrë smeraldi po pa shkëlqim. I gjithë shkëlqimi ishte tek sytë e tyre të mëdhenj. Sy pa bebëza.
- Mos u frig- shqiptuan dy buzët e holla të gojës së vogël që ishte më pranë meje. Atëhere u tremba më shumë dhe dukej se nisa të dridhesha ndaj qënia tjetër e smeraldtë më preku me njërën dorë dhe ndjeva një prehje të plotë të trupit. Nuk kisha më frikë, por një kthjelltësi të plotë të mendjes. Isha në një mjedis të mbyllur të cilit nuk ja shihja dot kufijtë për shka të dritës së lbyrtë. Dy qëniet mbi mua i shikoja deri pranë mesit, por ende nuk arrija të kuptoja nëse mbi qafat e holla, supet e ngushta dhe gjokset e rrafshët kishin një lëkurë të trashë pa shkëlqim apo një lloj veshje të bërë njësh me trupin.
Qetësonjësi foli me një zë pak më metali se i pari përsëri në shqip:
Kem zgledhur si gluhëtar?
U përpoqa të lëvizja buzët për të formuar fjalët që më vinin në mendje, por arrita të nxirrja vetëm një fishkëllimë. Tetri më preku lehtë në gjoks dhe atëhere vura re se dora e tij kishte vetëm katër gishta të gjatë, që pëkuleshin në mes. Mund të flisja.
Unë jam rrobaqepës.
Ty të kujtohet ato dy vjet pasi mbarova ushtrinë, që nisa të qepja pantallona fshehtazi. Tek unë vinin të gjithë studentët.
Ti flet kthjellët shqip. Je zgledhja jonë.
Më pas, qetësonjësi më preku më gjatë mbi kofshë dhe gjithshka u shua…U zgjova pas disa kohësh, që më ishin dukur si vite përësri në shtratin tim. Ishte një pasdite me diell shumë të fortë dhe në derë dikush trokiste fort.”

(vijon)

Monday, 20 August 2018

Kosove - e panjohura ime (fund)

(vijim)
Në nëntor të vitit 1997, në Toronto pata për herë të parë një bisedë me një shqiptar nga Kosova. Ishin muajt e parë në emigrim dhe nëpërmjt një miku në Detroit, më ishte dhënë numuri i telefonit i tavernës “Oda”, pronari i të cilit ishte kosovari në fjalë. Më vjen keq, që nuk ja kujtoj emrin. Isha i interesuar të gjeja një punë dhe duke mos patur asnjë lidhje në Toronto, pas ndrimit të disa autobuzave e gjeta tavernën e vogël dhe pronarin e saj. I dhashë të falat e Binakut nga Detroiti dhe për 15-20 minuta folëm rreth mundësive për punë në Toronto ose në lokalin e tij. Ishte një hapësirë e vogël, që tani që njoh më mirë jetën në emigrim, mendoj se nuk sillte fitime të mjaftueshme, po qe se nuk përdorej si mbulesë për biznese të paligjshme. Nuk më telefonoi kurrë.
1998 dhe 1999-ta dëshmuan se ne, shqiptarëve të Shqipërisë, vërtet na dhembte Kosova. Nuk ishte diçka e mësuar as në familje dhe as në shkollë, por duket , që njeriu është “i njëanshëm”(bias), kur vjen fjala për njerëz që flasn në të njëjtën gjuhë. Gjatë jetës kishim parë shumë popuj, që vuanin. Kishim parë kronika televizive të kampeve të përqëndrimit në Bosnjë, por asgjë nu kishte të krahasuar me ndienjën që provoje kur dëgjoje në shqip “oh nënë“ nga njerëz që përpiqeshin t’i iknin luftës. Njeriu është krijuar ndoshta në mënyrë të tillë, që të ndjejë më shumë dhimbje për vuajtet e të afërtit, se sa për ato të dikujt në një vend të panjohur.
I ndoqa me aq sa më lejonte koha, lajmet e CNN-it për ngjarjet në Kosovë, që paraprinë bombardimet e NATO-s dhe simpatizova John McCain, që ishte zëri më i fuqishëm mes politikanëve amerikanë për çështjen e Kosovës. CNN-i ishte burimi më i besueshëm, pasi mediat shqiptare nuk i besoja. Kisha qënë në atdhe deri në mesin e vitit 1997 dhe kisha parë se ç’ishin në gjendje të bënin jo vetëm politikanët Berisha, Nano, Shehu, Pëllumbi, Pollo, Meta e të tjerë, por edhe botuesit Kokëdhima, Lesi e Frangaj, për të mos folur për shtypin partiak të Braçeve me kompani. Deri vonë më 1998, ameriakanët e cilësonin UCK-në, sin jë organizatë terroriste dhe nuk arrija të kuptoja se ç’përfaqësonin në të vërtetë. Nuk më mbushte mendjen as Rugova me poitikën e tij gandiane, që dukej si e panatyrshme për popujt e Ballkanit.
Ngjarjet e vitit 1999 ishin vërtet tronditëse dhe i vendosën shqiptarët e Kosovës në qendrën e vëmendjes ndërkombëtare. Por si gjithmonë, shqiptarët nuk ishin në një mendje as në Rambuje dhe as në Prishtinë, sa dukej se gjithshka që po bënte Amerika dhe Europa për Kosovën do dështonte sërish për faj të shqiptarëve.
Cdo orë ishte një ankth më vete pasi filluan bombardimet, me grupet e kosovarëve që shpërnguleshin të ndjekur nga sërbët, me Rugovën që takohej në zjarrin e luftës me Millosheviçin në Beograd dhe njoftimet e Pentagonit për dëmtimin e makinës ushtarake sërbe. Dy-tre herë, ndërsa ndiqnim të heshtur dhe me ankth lajmet, më të habitura na shihnin vajza ime e madhe dhe shoqja e saj Aleksandra nga Beogradi, që bënin detyrat bashkë në tavolinën e madhe të ngrënies. Nuk dinim ç’tju theshim dhe se si t’ju spjegonim, që sërbët përndiqnin e vrisnin shqiptarët dhe NATO-ja mundohej me armë të ndalte genocidin.
Ishin muajt kur Kosova dhe çështja e shqiptarëve të saj u bë më e rëndësishme se çdo problem vetiak apo famijar për shumicën e emigrantëve shqiptarë. Ndienje dhëmshuri, revoltë, nëpërkëmbje, shpresë, pafuqi, inferioritet dhe një sërë ndjenjash të tjera kontradiktore. Në përgjithësi, vendasit me të ciët punonim solidarizoheshin me ne dhe çështjen shqiptare edhe pse një pjesë e tyre ishin sllavë.
Për fat të mirë, bombardimet nuk zgjatën shumë dhe filluan bisedimet e paqes dhe u hap një tjetër epokë për popullin e Kosovës, të cilën përsëri nuk munda ta kuptoja mirë, sepse përziheshin heronj me bataçinj, çlirimtarë me vrasës, intelektualë me spiunë, karrieristë me idealistë dhe të kudondodhurit, njerëzit me shumë fytyra dhe shumë flamuj në xhep. Jam mundua të bëj analogji me Tiranën politike, por nuk ka se si të jetë e njëjtë, sepse shumë e ndryshme ka qënë e kaluara e 100 viteve të fundit.
Ndjenjave të simpatisë, dashurisë për të panjohurën e madhe shqiptare u zëvendësuan me skepticizëm dhe droje për ta prekur. Më duket se po të shkoj në Prishtinë do shikoj të njëjtit politikanë arrogantë, të njëjtit sekserë të lyrshëm dhe të njëjtat budallaqe të stërlyera, që shoqërohen me meshkujt me pushtet restoranteve dhe kafeneve, sikundër i kam parë në Tiranë 14-15 vite më parë.
Nuk ka shkruar kurrë rreth Kosovës dhe problemeve të saj në Blog, pikërisht sepse e njoh shumë pak dhe nuk dua ta gjykoj keq apo në mënyrë tërësisht të gabuar. Para dy vitesh, kur Haradinaj u ndalua në Francë shkrojta disa paragrafë kundër histerisë të solidarizimit me të dhe denigrimit të Francës. Edhe pse di pak rreth “bëmave” të Ramushit, më mjafton që është akuzuar për krime lufte, që ta diskualifikoj si kryeministër edhe pse është i shpallur i pafajshëm në Hagë.
Ne duhet të jemi të bindur, që po mos i pastruam vetë politikanët që kanë bërë krime lufte, ata një ditë të bukur do na vrasin ne, Kosovën dhe Shqipërinë. Eshtë në natyrën e kujt bën krime mbi të pambrojturit, të bëjë çdo lloj të lige ndaj kujtdo, përfshi këtu edhe popullin e tij.
A është Prishtina pasqyra e Tiranës politike me të njëjtat prapaskena dhe korrupsion? Me siguri. Eshtë folur haptazi edhe për vrasje të dëshmitarëve qofshin sërbë, shqiptarë apo romë. Eshtë folur haptaz edhe për shumë mynxyra të tjera.
E megjithatë Kosova nuk është Thaçi, Haradinaj, Limaj apo Veseli.
Eshtë ajo e njerëzve të vojtur dhe pa pushtet, e njerëzve të vërtetë, që ende nuk i kam takuar dhe nuk di nëse do i takoj ndonjë ditë.

Sunday, 19 August 2018

Kosove - e panjohura ime (4)

(vijim)
Kërkesat e rinisë të Universitetit të Prishtinës i kapën në befasi edhe zyrtarët e Tiranës, të cilët duhet të zgjidhnin mes heshtjes dhe mbështetjes. Disa javë pas fillimit të tyre, duket se për Enver Hoxhën, mbështetja e rinisë kosovare ishte politikisht e volitshme për brenda vendit. Gjendja ekonomike pas ndërprerjes së ndihmave nga Kina po rëndohej, tre “grupe antiparti” ishin zbuluar dhe asgjesuar, ndaj për të hequr vëmendjen e njerëzve nga hallet e përditshme, përqëndrimi në protestat e kosovarëve ishte zgjidhja më e mirë. Nuk kishte në të as patriotizëm dhe as ëndër për të bashkuar trojet shqiptare. Edhe t’ja falnin Enver Hoxhës Kosovën, me kosovarët, me liritë dhe problemet e tyre nuk do ta kishte marrë kurrë. Të mësuar me më shumë liri, të lidhur me familjet e tyre në Gjermani e Zvicër, shqiptarët e Kosovës do e rrëzoning brenda vitit bacë Enverin. Atij i mjaftonte Shqipëria, që kishte vënë në zap pas 35 vitesh terrori dhe propaganda.
Brenda Jugosllavisë, kazani me shumë etni kishte filluar të valonte, që pas vdekjes së Titos një vit më parë dhe të gjitha etnitë po mundoheshin të fitonin më shumë liri nga sundimi në rritje i sërbëve, që kishin më shumë peshë në ushtri dhe në UDB.
Në planin ndërkombëtar, me dobësimin e Bashkimit Sovjetik dhe fillimin e investimeve të mëdha në armatime nga Ronald Regën, dukej se rusët nuk përbënin më rrezik shumë të madh as për Jugosllavinë dhe as për Shqipërinë. Periudha e konservatorëve të Theçërit dhe Regënit, që do sillte rrëzimin e Perandorisë komuniste e bënte më të lehtë prishjen e marëveshjes midis komunistëve të Tiranës dhe atyre të Beogradit.
Propaganda e “Zërit të Popullit” nga heshtja e viteve ’70, kaloi në artikuj të përdishëm në mbështetje të hapur “të irredentistëve shqiptarë“. Sërbët gjithashtu kaluan në masa ekstreme shtypëse ndaj kosovarëve.
Për shqiptarët brenda kufijve të Shqipërisë, çështja e Kosovës më në fund po bëhej një çështje kombëtare.
E tillë vazhdoi gjatë gjithë viteve ’80, duke mbështetur protestat e shqiptarëve për kushte më të mira jetese, për të fituar statusin e Republikës së Kosovës brenda Federatës Jugosllave. Në përgjigje, sërbët u munduan të kufizonin gjithnjë e më shumë autonominë e Kosvës, e cila ngjallte indinjatë brenda Shqipërisë. Pamjet televizive nga grevat e urisë të minatorëve të Trepçes ishin nga pamjet më mbresëlënëse dhe emocionuese të fundit të viteve ’80. Edhe pse me shumë kufizime ekonomiko dhe ushqimore, të gjithë shqiptarët ishin me mendje nga Kosova ato vite.
Rënia e Murit të Berlinit me të gjithë erërat liberale në Bashkimin Sovjetik dhe në vendet e tjera të Lindjes, e largoi mendjen e shqiptarëve nga Kosova dhe shqetësimi kryesor ishte se cili do ishte fati jonë. Parrullat e Ramiz Alisë se “ne nuk jemi as Lindje as Perëndim”, së bashku me frikën e ekzagjeruar nga Sigurimi i Shtetit na bënim të ishim të mpirë rreth fatit tonë në ngjarjet, që po rridhnin shpejt në Europë. Ndaj edhe hyrja e mijra shqiptarëve në ambasadat e huaja më 2 korrik, e la në hijem shpalljen e Republikës së Kosovës nga Kuvendi i Kosovës. Diktatura jonë u mundua ta paraqiste ngjarjen e ambasadave si të organizuar nga shërbimet e huaja dhe UDB-ja, pikërisht për të sfumuar rëndësinë e shpalljes së Republikës së Kosovës, por e vërteta ishte se njerëzit ishin të mbushur deri në grykë dhe donin të iknin një orë e më parë nga Shqipëria e Ramiz Alisë.
Me ndryshimin e sistemit në  Shqipëri, marëdhëniet me Kosovën dhe sidomos me kosovarët e Gjermanisë dhe Zvicrës, që mund të vinin lehtësisht në Tiranë, u bënë shumë më të ngushta. Nuk ishte vetëm Hajdin Sejdia i sjellë nga Ramizi më 1990, i cili premtoi shumë por vetëm rrëmbeu në Shqipëri. Shumë biznesmenë kosovarë, oportunistë dhe aventurierë, seriozë dhe batakçinj, patriotë dhe agjentë erdhën në Shqipërinë pa përvojë në biznes për të përfituar nga ndryshimi i sistemit. Dëgjoje nga historitë më të bukura dhe deri në mashtrimet, gjë që krijonte një pasqyrë më të plotë se ç’ishin shqiptarët që jetonin jashtë trojeve të Shqipërisë. Jo gjithmonë përshtypjet ishin të mira. E megjithatë, sërish nuk arrinim të kuptonim se si ishin grupimet politike të tyre në Kosovë. Sa ishin marksistë-leninistë, sa ishin patriotë të kullluar, sa ishin pro-europianë, sa ishin pro-turq dhe sa kishin mbetur shërbëtorë të sërbëve. Kjo vazhdoi deri në kohën kur unë u largova nga Shqipëria dhe ende nuk pata kuptuar se ç’përfaqësonte Rugova dhe Bukoshi dhe çfarë Demaçi, Qosja, Bakalli, Pajaziti dhe të tjerë emra kosovarësh të lakuar në shtypin tone.
Ndoshta jo kristalisht të pastër e kishte në kokë qëndrimin që duhet të mbante me Kosovën edhe qeveria shqiptare. Në një bisedë në Uashington në vitin 1996, mes Tritan Shehut(atë kohë Ministër i Jashtëm) dhe Zgibnjev Bërzhinskit (ish këshilltar i Sigurisë Kombëtare të SHBA), kur ky i fundit pyeste se a mbështeste Shqipëria një lëvizje të armatosur të kosovarëve kundër Sërbisë, Tritani i përgjigjej me të njëjtat slogane bajate të “mosndryshimit të kufijve”, “mospërdorimit të dhunës” e të tjera parrulla të pëlqyeshme për veshët e burokratëve të Brukselit, por jo për njohësit e mirë të problemeve të Lindjes në Amerikë si Bërzhinski.

(vijon)

Saturday, 18 August 2018

Kosove - e panjohura ime (3)

(vijim)
Pas vitit 1974, kur Kosovës ju dha statusi i Krahinës Autonome brenda Republikës së Sërbisë, filluan këmbimet kulturore mes Tiranës dhe Prishtinës, me siguri me nismën e kosovarëve, të cilët jetonin në një Diktaturë më liberale se e jona. Atë kohë u shfaqën në shtypin kulturor shqiptar emrat e Ali Podrimes, Anton Pashkut, Esad Mekulit, Ali Aliut, Agim Vincës dhe të tjerëve autorë kosovarë. Edhe pse të censuruar, sidomos sepse botimi i krijimeve të tyre përkonte me periudhën pas Pleniumit të IV, ndjehej që poetët dhe shkrimtarët kosovarë shkruanin më lirshëm dhe pa “çarë kokën” për realizmin socialist. Gjithashtu flitej se në Prishtinë botoheshin të përkthyera shumë vepra autorësh të huaj, një pjesë e të cilave hynin në Shqipëri individualisht, por nuk arrinin të “zbrisnin” deri në Korçë.
Tashmë përfytyrimi ishte disi më i ndryshëm për inteligjencën kosovare, që shkruante bukur dhe pastër në shqip. Një shfaqje teatrale e “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur” e vënë në skenë nga trupa e Prishtinës, të cilën e pashë në Korçë në fundin e viteve ’70, mu duk interesante nga skenografia dhe vënia në skenë, por jo nga interpretimi. “Gjenerali” i Teatrit Popullor me Sandër Prosin dhe Pjetër Gjokën mbetej i një niveli shumë më të lartë.
Në tekstet shkollore të së mesmes, qoftë në Folklor, Letërsi apo Histori e Shqipërisë, edhe pse me disa përmirësime, bota shqiptare e Kosovës gjente pak pasqyrim. Historiografia komuniste kishte copëzuar shumë aspekte të historisë të para dhe pas Skënderbeut dhe ishte e vështirë, që vetëm me tekstin shkollor të kuptoje se ç’kishte ndodhur me të vërtetë në trojet shqiptare. Ishte e pamundur, që me ato tekste të ngjallej një dashuri e fortë për Kosovën dhe kosovarët.
Kishte gjithashtu një marëveshje të pashkruar me Titon për të mos u përzjerë në punët e njëri tjetrit, ndoshta që nga koha e agresionit rus mbi Cekosllovakinë. Të dy vendet këmbenin të arratisurit edhe pse në dukje ne vazhdonim t’i kritikonim si revizionistë. Në lajmet e TV Shkupit thuajse nuk kishte asnjë lajm rreth Shqipërisë. Por gjithashtu nuk kishte asnjëherë protestë zyrtare për qeverinë e Tiranës për nacionalizëm dhe shovinizëm, sikundër disa herë jugosllavët protestonin ndaj bullgarëve. Edhe pse nuk merrnim pjesë në konferencat e vendeve të paangazhuara, që kryesoheshin nga Jugosllavia e Titos, politika e jashtme shqiptare, nën ndikimin e kinezëve i përkrahte ato.
Në vitet e para të studimeve të mija në Tiranë (1979-1981) Kosova kishte pamjen e bukur të Shpresa Gashit, që ato vite studionte kanto në Konservatorin e Tiranës. Binin në sy përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit’, së bashku me një studente tjetër kosovare, të veshura si europiane, të gjata e të “kuruara” me kujdes. Shpresa Gashin e kishim parë disa herë në televizionin jugosllav, sepse ishte që pa ardhur në Tiranë, një këngëtare e talentuar. Nuk më kujtohet të kishte studentë kosovarë në fakultetet e tjera, por ato kohë, veç dy-tre vietnamezëve dhe disa afrikanëve, studentët e ardhur nga jashtë Shqipërisë ishin të rrallë. Ishin vitet e para pas prishjes me kinezët dhe Diktatura ishte më e egër edhe për shak të vështirësive ekonomike, që kalonte vendi.
Një ekspozitë pikture e piktorëve kosovarë e hapur më 1980, edhe pse me më tepër larmi stilesh se sa të mirënjohurëve tanë Buza(ati), Shijaku, Bakalli, Nallbani, Jukniu, Kamberi, Jonuzi, që ekspozonin në Tiranë në ato vite, ishte më prapa nivelit artistik dhe teknikës të piktorëve tanë. Për më tepër, vetë autorët kosovarë nuk ishin të pranishëm në hapjen e ekspozitës.
Më pas, filluan protestat e vitit 1981 në Universitetin e Prishtinës dhe gjithshka u ngri sërish, por këtë rradhë nga pala jugosllave.

(vijon)

Friday, 17 August 2018

Kosove - e panjohura ime (2)

(vijim)

Bekim Fehmiun, si yll kinematografie, babai duhet ta kishte dëgjuar nga lajmet e RAI-t, të cilat i dëgjonte rregullisht edhe në vitet e mëvonshme, kur ndiqnim më tepër programet televizive. Bekimi kishte kapërcyer pragun e aktorit shqiptar ndërkombëtar, që deri atëhere konsiderohej i arritur vetëm nga Aeksandër Moisiu. Xhon Belushi ende nuk ishte shfaqur në skenën dhe ekranin amerikan. Nuk ishte pak. Kinematografia shqiptare ishte ende në hapat foshnjore dhe shumë aktorë, të cilësuar si të mëdhenj më vonë, në filma luanin njëlloj si në skenë.
Për Rexhep Qosen, si studiues dhe kritik të zotin të letërsisë, duhej t’i kishin folur miqtë e tij në Tiranë. Më kujtohet, që me një lloj ekzaltimi më tregonte për kompetencën e këtij rioshi, që kishte mbrojtur doktoratën me një temë rrethh poezisë së Asdrenit. I vlerësonte shumë tezat e Qoses rreth Asdrenit, të cilat, si e përmenda, duhej t’i kishte dëgjuar në një bisedë të hollësishme me ndonjë njohës së veprës të studiuesit kosovar. Prej asaj kohe, dhe më vonë kur e kisha parë në tv gjatë Kongresit të Drejtshkrimit, më mbeti një ndienjë e lartë admirimi për Rexhep Qosen, si për dikë në pararojë të mendimit në Prishtinën e largët.
Hyrja e valëve televizive të TV Shkupit (TV Skopje) në pranverën e vitit 1970 në Korçë ishte një ngjarje, që solli hapjen e një “frëngjie” të vogël në muret e “kështjellës në brigjet e Adriatikut”, prej të cilës mund të shihnim botën dhe njëkohësisht se ç’ndodhte në trojet shqiptare jashtë kufijve. Do të ndodhte një ndryshim i madh tek njerëzit, që si të huaj, prej kohës së largimit të eoropiano-lindorëve, shihnin vetëm fytyra të ngjashme kinezësh dhe tek tuk, ndonjë korçaro-amerikan, që vizitonte të afërmit, pasi kishte marrë me shumë zor vizën hyrëse për në Shqipëri.
Në edicionet e lajmeve shqip(shumë të kufizuara) arrinim të kuptonim diçka rreth jetës së shqiptarëve në Jugosllavi, por diça shumë të cekët dhe të përgjithshme, se edhe pse më të lirë se tek ne, edhe në Jugosllavi mediat kishin një program zyrtar të kontrolluar mirë. Flitej për sukseset e socializmit të Titos, për avantazhet e “vetadministrimit”, epopetë e luftës partizane dhe jetën e lumtur të kombeve të Jugosllavisë. Bota shqiptare e Jugosllavisë, qoftë kulturore apo sportive, pasqyrohej shumë pak. Mësuam vetëm emrat e Nexhmije Pagarushës, Sabri Fejzullahut dhe ndonjë tjetri, por jo më shumë se kaq. Ndjehej nënvleftësimi I më të mëdhenjve ndaj shqiptarëve. Ne, adoleshentët, nisëm të kishim preferencat tona për këngëtarët jugosllavë si Zdravko Coliç, Tereza Kesovija, Kiço Slabinja, Leo Martin apo për grupet “Bjello Dugme”, “Ambasador”, “Korni Grupa” e të tjerë, por artistët shqiptarë mbeteshin pas tyre, sepse zinin edhe shumë pak vend në emisionet televizive.
Emrat e politikanëve shqiptarë, që dëgjonm në emisionet e lajmeve, si Fadil Hoxha apo Azem Vllasi, na dukeshin si “shërbëtorë të Titos” edhe pa na i thënë kush. Noshta bënim analogji me “byroistët tanë, të cilët kishin shumë pak vlera individuale, po qe se krahasoheshin me Enver Hoxhën.

Deri në vitin 1973, kur televizioni jugosllav ndiqej hapur, bile me grupe të mëdh njerëzish, se jo të gjithë kishin në shtëpitë e tyre aparate televizive, rreth botës jugosllave flitej hapur, por bota shqiptare e Kosovës zinte shumë pak vend në diskutime. Nuk shprehej ndonjë simpati për Titon, por të gjithë qeshnim me një të njohurin tonë ish-partizan, që sa herë dilte Titoja në emisionet e lajmeve, i kthente kurrizin. Admirimi për lirinë më të madhe të lëvizjes, për sukseset e basketbollit dhe futbollit jugosllav, për mënyrën bashkëkohre të veshjes të të rinjve dhe të tjera gjëra, na bënin të kishim simpati për jugosllavët dhe njëkohësisht të ndjenim thellë vetës, se shqiptarët e Jugosllavisë rronin më mirë se ne. Kutohet, që prej tv jugosllav nuk mund të kuptonim kufizimet e tyre dhe shtypjen, që ushtronin sërbët. Për më tepër, këto nuk zinin vend as në mediat zyrtare të Shqipërisë. Kosova përsëri mbetej një enigmë e madhe për ne.

(vijon)

Thursday, 16 August 2018

Kosovë - e panjohura ime

Nuk është faji im, që e njoh shumë pak Kosovën, edhe pse fare pa faj nuk duhet të mbetem.
Në kohën, kur fëmija lexon gjithshka, që i bie në dorë thuajse nuk kishte asgjë rreth kësaj pjese të madhe të Shqipërisë të mbetur jashtë kufijve të vendit. Ishte vetëm një poemë për fëmijë e Shefqet Musarajt, e botuar si libërth më vete, për më tepër edhe atje nuk kujtoj të përmendej emri i Kosovës, por disa emra të tjera vendesh, ku jetonte një djalë i vogël, familja e të cilit vuante nga UDB-ashët. E kujtoj si një vjershë të gjatë e të dhimbshme, me disa ilustrime të Dolli Gjinalit.
Në librat e shkollës gjithashtu nuk prekej Kosova. Ishin vitet ’60 dhe edhe pse mund t’ja dija emrin, dukej krejtësisht e largët. Edhe më e largët se Kotorret e Reja në “Tregime të moçme shqiptare” të Dhimitër Paskos, që pas “Na ishte njëhere” të vëllezërve Grim ishte libri që më tërhiqte më shumë. (Disi më pak tërheqës ma bënin ilustrimet e Agim Fajës, stili i të cilit më ishte dukur gjithnjë pak i ashpër në fëmijëri.) Në njohuritë e para të gjeografisë të Shqipërisë, që jepeshin në fillore, gjithashtu nuk flitej asgjë për trojet shqiptare jashtë kufijve. Ishte sikur t’i përkisnin një bote të huaj dhe armiqësore. Matanë piramidave të bardha, që ruheshin me devotshmëri nga kufitarët trima dhe qentë e tyre.
Më vjen për të qeshur sot, kur lexoj se sho Enver e ka dashur shumë Kosovën dhe ka bërë shumë për të. Në gjysmën e dytë të viteve ’60, kur fiova të mësoja rreth botës në shkollë, për Kosovën ishte një heshtje e plotë, me siguri në mirkuptim me jugosllavët. Ndoshta edhe një ndikim i kinezëve, të cilët mbanin marëdhënie shumë të mira me Titon.
Qyteti im ishte larg Kosovës dhe thuajse nuk kishte patur kurrë këmbime apo krushqira. Edhe kur kufijtë kishin qënë të hapur. Kishte ende familje, që kujtonin bandat me kosovarë të dimrit të ’44-ës, që kishin plaçkitur disa lagje të Korçës, kishin arrestua të rinj, bile edhe kishin vrarë. Kuptohet, që nuk ishte faji i tyre, se kishin qënë të manipuluar nga Xhaferr Deva dhe të tjerë krerë kosovarë nacionalistë, por gjithsesi kishin lënë kujtime shumë të këqija në qytet. Më pas, kontaktet kishin qënë thuajse zero, ndaj shumë korçarë ende i kujtonin kosovarët si turma bashibozukësh, që bënin raprezalje.
Kosovari më pozitiv i fëmijërisë sime ishte Adili, heroi i romanit “Lumi i Vdekur” i Jakov Xoxës, por dhe ai thuajse nuk i përkiste Kosovës, se jetonte në Myzeqe.
Asokohe dinim për poetë arbëreshë si De Rada e Serembe; për aktorë shqiptarë që kishin interpretuar në gjuhë të huaja, si Aleksandër Moisiu; për shkrimtarë shqiptarë që shkruanin në gjuhë të huaja si Viktor Eftimiu; për qeveritarë turq të shquar me origjinë shqiptare, s Qyprillinjtë, por asnjë emër të vetëm nga Kosova. Bile edhe Sulejman Vokshi u përfshi në tekstet e shkollës në fundin e viteve ’70.
Nuk jam i sigurt nëse kam dëgjuar në fillim nga babai për Bekim Fehmiun apo për Rexhep Qosen. Ishin të parët personalitete shqiptarë bashkëkohës të matanë kufirit, emrat e të cilëve duhet t’i kem dëgjuar në vitin 1969 ose 1970.

(vijon)

Wednesday, 15 August 2018

Eshtë atentati ndaj Zamir Manes sekret shtetëror?

Faqja “Lolita” në facebook, e njohur për ironitë therrëse dhe kritikat ndaj qeveritarëve dhe jo vetëm atyre, dha para disa ditësh një njoftim për një atentat të dështuar ndaj biznesmenit Zamir Mane. Atentati sipas tyre, kishte ndodhur në lokalin “Padam”  të Aleksandër Frangajt dhe çdo gjë ishte mbyllur në fshehtësi të plotë brenda lokalit.
Le të supozojmë një çast se kemi të bëjmë me një “fake news” edhe pse gjatë historisë të “Lolitas”, kur ka pasur “shaka” të këtij lloji, janë trajtuar si shaka të kripura ose jo. Pyetja e parë që lind është, a është e mundur, që një ngjarje e tillë, në lokalin e një nga pronarëve më të mëdha të medias të “mbytet”?
Nëse bëhet një sondazh në popullsinë e Tiranës, shumica dërmuese do thonë se një gjë e tillë është plotësisht e mundur.
Kredibileti i medias është shumë i ulët.
Kredibiletiti i pronarëve të medias akoma më i ulët.
Kredibiliteti i Aleksandër Frangajt edhe më i ulët.
Ka disa preçedentë, që të shpien në një përfundim të tillë. Kanë pasur të vdekur ndaj nuk mund të mbylleshin nga bashkëpunimi media-ministri e brendëshme. E megjithatë, ata që paguhen për të informuar publikun, qoftë nga taksat e e qytetarëve, apo edhe nga bandat e valëve kombëtare që ju vihen në dispozicion bënë ç’është e mundur të mbahej e fshehtë ç’mund të shpëtohej.
Rasti i parë ishte ai I pronarit të medias “Top chanel”, Artan Hoxhës, i aksidentuar me makinë, në mes të Tiranës, në rrethana jo shumë të pëlqyeshme për të, ku emri vajzës në marëdhënie jashtëmartesore me të, e aksidentuar për vdekje edhe ajo, nuk u përmend asnjëherë në shtyp.
Rasti tjetër, ai I gazetarit dhe politikanit Sokol Olldashi, në rrethana të ngjashme, kaloi pa informim rreth gjendjes të së plagosurës rëndë.
I treti, i gazetarit Cim Peka, me një vajzë të aksidentuar për vdekje, në aksidentin me makinë të drejtuar nga gazetari, u mbulua gati plotësisht.
Kreu i një shoqate gazetarësh proteston se i përmendet xhaxhai se këndonte një këngë për “Skënderbeun” para Edi Ramës, por as ai as gazetarë të tjerë nuk ngrihen të shkruajnë për diçka, e cila është a-ja e profesionit të tyre.
Nëse lajmi është i vërtetë, mediat, të cilat në mënyrë të ndërgjegjshme e fshehin, i bëjnë “atentat” publikut shqiptar pikërisht me armën që ju kanë dhënë në dorë.
Lajmi për tetativë vrasje ndaj njeriut më të pasur në Shqipëri duhet të jetë kryelajm, jo për të shuar kureshtjen e njerëzve, por për të pasqyruar se cila është:
Situata e rendit në vend.
Se nëse ka apo jo lidhje me politikën. (Në Rusinë e Putinit ka disa raste kur biznesmenë të fuqishëm janë vrarë ose ju anë shpëtuar atentateve pas, të cilëve është dora e Kremlinit.)
Për të kuptuar se si është amosfera e biznesit në Shqipëri.
Edhe në rast se atentati është kryer pët motive të dobta dhe për të janë të interesuar të mbyllet edhe Zamiri, edhe Frangaj edhe Qeveria, është pikërisht media, e cila nuk është e interesuar të mbyllet sepse shkon në fund besueshmëria ndaj saj.
Kjo aleancë mafioze mes institucioneve të rendit dhe medias është e rrezikshme për publikun shqiptar. Kur ende nuk janë gjetur vrasësit e bankierit Santo, mbajtja në heshtje e tentativeës për vrasje ndaj Manes, është kriminale dhe e ndëshkueshme nga ligji.
Disa vjet më parë, famëkeqi Adriatik Llalla goditi me grusht një kolegun e tij, në sy të një numuri prokurorësh, në pushimin e një mbedhjeje në hotel “Tirana”. Bodigardët e tij u kujdesën edhe për disa grushta shtesë në korridor. Mediat nuk raportuan asgjë dhe Prokuroria e Përgjithshme u kujdes të fshinte edhe videot e kamerave të sigurisë të hotelit. Llalla dihet tashmë si përfundoi por jo për atë që bëri faqe njerëzve.
A po kujdeset edhe Arta Marku të mbetet në heshtje çështja Mane apo vetëm ka mbyllur sytë?
Apo kemi të bëjmë me një sekret shtetëror?