Friday, 17 August 2018

Kosove - e panjohura ime (2)

(vijim)

Bekim Fehmiun, si yll kinematografie, babai duhet ta kishte dëgjuar nga lajmet e RAI-t, të cilat i dëgjonte rregullisht edhe në vitet e mëvonshme, kur ndiqnim më tepër programet televizive. Bekimi kishte kapërcyer pragun e aktorit shqiptar ndërkombëtar, që deri atëhere konsiderohej i arritur vetëm nga Aeksandër Moisiu. Xhon Belushi ende nuk ishte shfaqur në skenën dhe ekranin amerikan. Nuk ishte pak. Kinematografia shqiptare ishte ende në hapat foshnjore dhe shumë aktorë, të cilësuar si të mëdhenj më vonë, në filma luanin njëlloj si në skenë.
Për Rexhep Qosen, si studiues dhe kritik të zotin të letërsisë, duhej t’i kishin folur miqtë e tij në Tiranë. Më kujtohet, që me një lloj ekzaltimi më tregonte për kompetencën e këtij rioshi, që kishte mbrojtur doktoratën me një temë rrethh poezisë së Asdrenit. I vlerësonte shumë tezat e Qoses rreth Asdrenit, të cilat, si e përmenda, duhej t’i kishte dëgjuar në një bisedë të hollësishme me ndonjë njohës së veprës të studiuesit kosovar. Prej asaj kohe, dhe më vonë kur e kisha parë në tv gjatë Kongresit të Drejtshkrimit, më mbeti një ndienjë e lartë admirimi për Rexhep Qosen, si për dikë në pararojë të mendimit në Prishtinën e largët.
Hyrja e valëve televizive të TV Shkupit (TV Skopje) në pranverën e vitit 1970 në Korçë ishte një ngjarje, që solli hapjen e një “frëngjie” të vogël në muret e “kështjellës në brigjet e Adriatikut”, prej të cilës mund të shihnim botën dhe njëkohësisht se ç’ndodhte në trojet shqiptare jashtë kufijve. Do të ndodhte një ndryshim i madh tek njerëzit, që si të huaj, prej kohës së largimit të eoropiano-lindorëve, shihnin vetëm fytyra të ngjashme kinezësh dhe tek tuk, ndonjë korçaro-amerikan, që vizitonte të afërmit, pasi kishte marrë me shumë zor vizën hyrëse për në Shqipëri.
Në edicionet e lajmeve shqip(shumë të kufizuara) arrinim të kuptonim diçka rreth jetës së shqiptarëve në Jugosllavi, por diça shumë të cekët dhe të përgjithshme, se edhe pse më të lirë se tek ne, edhe në Jugosllavi mediat kishin një program zyrtar të kontrolluar mirë. Flitej për sukseset e socializmit të Titos, për avantazhet e “vetadministrimit”, epopetë e luftës partizane dhe jetën e lumtur të kombeve të Jugosllavisë. Bota shqiptare e Jugosllavisë, qoftë kulturore apo sportive, pasqyrohej shumë pak. Mësuam vetëm emrat e Nexhmije Pagarushës, Sabri Fejzullahut dhe ndonjë tjetri, por jo më shumë se kaq. Ndjehej nënvleftësimi I më të mëdhenjve ndaj shqiptarëve. Ne, adoleshentët, nisëm të kishim preferencat tona për këngëtarët jugosllavë si Zdravko Coliç, Tereza Kesovija, Kiço Slabinja, Leo Martin apo për grupet “Bjello Dugme”, “Ambasador”, “Korni Grupa” e të tjerë, por artistët shqiptarë mbeteshin pas tyre, sepse zinin edhe shumë pak vend në emisionet televizive.
Emrat e politikanëve shqiptarë, që dëgjonm në emisionet e lajmeve, si Fadil Hoxha apo Azem Vllasi, na dukeshin si “shërbëtorë të Titos” edhe pa na i thënë kush. Noshta bënim analogji me “byroistët tanë, të cilët kishin shumë pak vlera individuale, po qe se krahasoheshin me Enver Hoxhën.

Deri në vitin 1973, kur televizioni jugosllav ndiqej hapur, bile me grupe të mëdh njerëzish, se jo të gjithë kishin në shtëpitë e tyre aparate televizive, rreth botës jugosllave flitej hapur, por bota shqiptare e Kosovës zinte shumë pak vend në diskutime. Nuk shprehej ndonjë simpati për Titon, por të gjithë qeshnim me një të njohurin tonë ish-partizan, që sa herë dilte Titoja në emisionet e lajmeve, i kthente kurrizin. Admirimi për lirinë më të madhe të lëvizjes, për sukseset e basketbollit dhe futbollit jugosllav, për mënyrën bashkëkohre të veshjes të të rinjve dhe të tjera gjëra, na bënin të kishim simpati për jugosllavët dhe njëkohësisht të ndjenim thellë vetës, se shqiptarët e Jugosllavisë rronin më mirë se ne. Kutohet, që prej tv jugosllav nuk mund të kuptonim kufizimet e tyre dhe shtypjen, që ushtronin sërbët. Për më tepër, këto nuk zinin vend as në mediat zyrtare të Shqipërisë. Kosova përsëri mbetej një enigmë e madhe për ne.

(vijon)

No comments:

Post a Comment