(vijim)
Kërkesat e rinisë të Universitetit të Prishtinës i kapën në befasi edhe zyrtarët e Tiranës, të cilët duhet të zgjidhnin mes heshtjes dhe mbështetjes. Disa javë pas fillimit të tyre, duket se për Enver Hoxhën, mbështetja e rinisë kosovare ishte politikisht e volitshme për brenda vendit. Gjendja ekonomike pas ndërprerjes së ndihmave nga Kina po rëndohej, tre “grupe antiparti” ishin zbuluar dhe asgjesuar, ndaj për të hequr vëmendjen e njerëzve nga hallet e përditshme, përqëndrimi në protestat e kosovarëve ishte zgjidhja më e mirë. Nuk kishte në të as patriotizëm dhe as ëndër për të bashkuar trojet shqiptare. Edhe t’ja falnin Enver Hoxhës Kosovën, me kosovarët, me liritë dhe problemet e tyre nuk do ta kishte marrë kurrë. Të mësuar me më shumë liri, të lidhur me familjet e tyre në Gjermani e Zvicër, shqiptarët e Kosovës do e rrëzoning brenda vitit bacë Enverin. Atij i mjaftonte Shqipëria, që kishte vënë në zap pas 35 vitesh terrori dhe propaganda.
Brenda Jugosllavisë, kazani me shumë etni kishte filluar të valonte, që pas vdekjes së Titos një vit më parë dhe të gjitha etnitë po mundoheshin të fitonin më shumë liri nga sundimi në rritje i sërbëve, që kishin më shumë peshë në ushtri dhe në UDB.
Në planin ndërkombëtar, me dobësimin e Bashkimit Sovjetik dhe fillimin e investimeve të mëdha në armatime nga Ronald Regën, dukej se rusët nuk përbënin më rrezik shumë të madh as për Jugosllavinë dhe as për Shqipërinë. Periudha e konservatorëve të Theçërit dhe Regënit, që do sillte rrëzimin e Perandorisë komuniste e bënte më të lehtë prishjen e marëveshjes midis komunistëve të Tiranës dhe atyre të Beogradit.
Propaganda e “Zërit të Popullit” nga heshtja e viteve ’70, kaloi në artikuj të përdishëm në mbështetje të hapur “të irredentistëve shqiptarë“. Sërbët gjithashtu kaluan në masa ekstreme shtypëse ndaj kosovarëve.
Për shqiptarët brenda kufijve të Shqipërisë, çështja e Kosovës më në fund po bëhej një çështje kombëtare.
E tillë vazhdoi gjatë gjithë viteve ’80, duke mbështetur protestat e shqiptarëve për kushte më të mira jetese, për të fituar statusin e Republikës së Kosovës brenda Federatës Jugosllave. Në përgjigje, sërbët u munduan të kufizonin gjithnjë e më shumë autonominë e Kosvës, e cila ngjallte indinjatë brenda Shqipërisë. Pamjet televizive nga grevat e urisë të minatorëve të Trepçes ishin nga pamjet më mbresëlënëse dhe emocionuese të fundit të viteve ’80. Edhe pse me shumë kufizime ekonomiko dhe ushqimore, të gjithë shqiptarët ishin me mendje nga Kosova ato vite.
Rënia e Murit të Berlinit me të gjithë erërat liberale në Bashkimin Sovjetik dhe në vendet e tjera të Lindjes, e largoi mendjen e shqiptarëve nga Kosova dhe shqetësimi kryesor ishte se cili do ishte fati jonë. Parrullat e Ramiz Alisë se “ne nuk jemi as Lindje as Perëndim”, së bashku me frikën e ekzagjeruar nga Sigurimi i Shtetit na bënim të ishim të mpirë rreth fatit tonë në ngjarjet, që po rridhnin shpejt në Europë. Ndaj edhe hyrja e mijra shqiptarëve në ambasadat e huaja më 2 korrik, e la në hijem shpalljen e Republikës së Kosovës nga Kuvendi i Kosovës. Diktatura jonë u mundua ta paraqiste ngjarjen e ambasadave si të organizuar nga shërbimet e huaja dhe UDB-ja, pikërisht për të sfumuar rëndësinë e shpalljes së Republikës së Kosovës, por e vërteta ishte se njerëzit ishin të mbushur deri në grykë dhe donin të iknin një orë e më parë nga Shqipëria e Ramiz Alisë.
Me ndryshimin e sistemit në Shqipëri, marëdhëniet me Kosovën dhe sidomos me kosovarët e Gjermanisë dhe Zvicrës, që mund të vinin lehtësisht në Tiranë, u bënë shumë më të ngushta. Nuk ishte vetëm Hajdin Sejdia i sjellë nga Ramizi më 1990, i cili premtoi shumë por vetëm rrëmbeu në Shqipëri. Shumë biznesmenë kosovarë, oportunistë dhe aventurierë, seriozë dhe batakçinj, patriotë dhe agjentë erdhën në Shqipërinë pa përvojë në biznes për të përfituar nga ndryshimi i sistemit. Dëgjoje nga historitë më të bukura dhe deri në mashtrimet, gjë që krijonte një pasqyrë më të plotë se ç’ishin shqiptarët që jetonin jashtë trojeve të Shqipërisë. Jo gjithmonë përshtypjet ishin të mira. E megjithatë, sërish nuk arrinim të kuptonim se si ishin grupimet politike të tyre në Kosovë. Sa ishin marksistë-leninistë, sa ishin patriotë të kullluar, sa ishin pro-europianë, sa ishin pro-turq dhe sa kishin mbetur shërbëtorë të sërbëve. Kjo vazhdoi deri në kohën kur unë u largova nga Shqipëria dhe ende nuk pata kuptuar se ç’përfaqësonte Rugova dhe Bukoshi dhe çfarë Demaçi, Qosja, Bakalli, Pajaziti dhe të tjerë emra kosovarësh të lakuar në shtypin tone.
Ndoshta jo kristalisht të pastër e kishte në kokë qëndrimin që duhet të mbante me Kosovën edhe qeveria shqiptare. Në një bisedë në Uashington në vitin 1996, mes Tritan Shehut(atë kohë Ministër i Jashtëm) dhe Zgibnjev Bërzhinskit (ish këshilltar i Sigurisë Kombëtare të SHBA), kur ky i fundit pyeste se a mbështeste Shqipëria një lëvizje të armatosur të kosovarëve kundër Sërbisë, Tritani i përgjigjej me të njëjtat slogane bajate të “mosndryshimit të kufijve”, “mospërdorimit të dhunës” e të tjera parrulla të pëlqyeshme për veshët e burokratëve të Brukselit, por jo për njohësit e mirë të problemeve të Lindjes në Amerikë si Bërzhinski.
(vijon)
No comments:
Post a Comment