Wednesday, 22 August 2018

Të parët në ngjyrë smeraldi

“…Kisha dashur të ta thoja po kisha frikë. E mbajta mbi njëzetepesë vjet fshehur. Isha i sigurt se kishte ndodhur, por ti do qeshje me të madhe…dhe i shtova mundimin vetes.”
Bulëza djerse i mbuluan të gjithë pjesën e sipërme të kokës të posarruar. Me dorë fërkonte mollëzat dhe më pas e zbriste dorën deri pranë qafës. Më shihte ngultas, si kurrë ndonjëherë, si për tu siguruar nëse e besoja vërtet. Unë mundohesha që vijëzimet në fytyrë të mos më tradhëtonin. Isha vendosur ta dëgjoja deri në fund.
“…Pas herës të parë më mundonte pyetja – përse mua? Cdo gjë kishte qënë kristalisht e qartë, si në një film të kuruar me shumë kujdes… Në filim pata menduar se mos ishe ti dhe Ziku të maskuar, por nuk ju thërrisja dot të më linit rehat. Më pas pata ndjerë ftohtësinë e shtratit të metaltë poshtë kurrizit tim dhe e pata kuptuar që nuk isha në dhomën time…Gjithë ajo dritë e bardhë, sa e bardhë… dhe ato dy koka të mëdha mbi qafa të holla. Lëkurën nuk e kishin si tonën ndaj pata menduar se kishit vënë në kokë veshje si ato që kishim në Teatrin e Buratinëve. Ngjyrë smeraldi po pa shkëlqim. I gjithë shkëlqimi ishte tek sytë e tyre të mëdhenj. Sy pa bebëza.
- Mos u frig- shqiptuan dy buzët e holla të gojës së vogël që ishte më pranë meje. Atëhere u tremba më shumë dhe dukej se nisa të dridhesha ndaj qënia tjetër e smeraldtë më preku me njërën dorë dhe ndjeva një prehje të plotë të trupit. Nuk kisha më frikë, por një kthjelltësi të plotë të mendjes. Isha në një mjedis të mbyllur të cilit nuk ja shihja dot kufijtë për shka të dritës së lbyrtë. Dy qëniet mbi mua i shikoja deri pranë mesit, por ende nuk arrija të kuptoja nëse mbi qafat e holla, supet e ngushta dhe gjokset e rrafshët kishin një lëkurë të trashë pa shkëlqim apo një lloj veshje të bërë njësh me trupin.
Qetësonjësi foli me një zë pak më metali se i pari përsëri në shqip:
Kem zgledhur si gluhëtar?
U përpoqa të lëvizja buzët për të formuar fjalët që më vinin në mendje, por arrita të nxirrja vetëm një fishkëllimë. Tetri më preku lehtë në gjoks dhe atëhere vura re se dora e tij kishte vetëm katër gishta të gjatë, që pëkuleshin në mes. Mund të flisja.
Unë jam rrobaqepës.
Ty të kujtohet ato dy vjet pasi mbarova ushtrinë, që nisa të qepja pantallona fshehtazi. Tek unë vinin të gjithë studentët.
Ti flet kthjellët shqip. Je zgledhja jonë.
Më pas, qetësonjësi më preku më gjatë mbi kofshë dhe gjithshka u shua…U zgjova pas disa kohësh, që më ishin dukur si vite përësri në shtratin tim. Ishte një pasdite me diell shumë të fortë dhe në derë dikush trokiste fort.”

(vijon)

No comments:

Post a Comment