
Në nëntor të vitit 1997, në Toronto pata për herë të parë një bisedë me një shqiptar nga Kosova. Ishin muajt e parë në emigrim dhe nëpërmjt një miku në Detroit, më ishte dhënë numuri i telefonit i tavernës “Oda”, pronari i të cilit ishte kosovari në fjalë. Më vjen keq, që nuk ja kujtoj emrin. Isha i interesuar të gjeja një punë dhe duke mos patur asnjë lidhje në Toronto, pas ndrimit të disa autobuzave e gjeta tavernën e vogël dhe pronarin e saj. I dhashë të falat e Binakut nga Detroiti dhe për 15-20 minuta folëm rreth mundësive për punë në Toronto ose në lokalin e tij. Ishte një hapësirë e vogël, që tani që njoh më mirë jetën në emigrim, mendoj se nuk sillte fitime të mjaftueshme, po qe se nuk përdorej si mbulesë për biznese të paligjshme. Nuk më telefonoi kurrë.
1998 dhe 1999-ta dëshmuan se ne, shqiptarëve të Shqipërisë, vërtet na dhembte Kosova. Nuk ishte diçka e mësuar as në familje dhe as në shkollë, por duket , që njeriu është “i njëanshëm”(bias), kur vjen fjala për njerëz që flasn në të njëjtën gjuhë. Gjatë jetës kishim parë shumë popuj, që vuanin. Kishim parë kronika televizive të kampeve të përqëndrimit në Bosnjë, por asgjë nu kishte të krahasuar me ndienjën që provoje kur dëgjoje në shqip “oh nënë“ nga njerëz që përpiqeshin t’i iknin luftës. Njeriu është krijuar ndoshta në mënyrë të tillë, që të ndjejë më shumë dhimbje për vuajtet e të afërtit, se sa për ato të dikujt në një vend të panjohur.
I ndoqa me aq sa më lejonte koha, lajmet e CNN-it për ngjarjet në Kosovë, që paraprinë bombardimet e NATO-s dhe simpatizova John McCain, që ishte zëri më i fuqishëm mes politikanëve amerikanë për çështjen e Kosovës. CNN-i ishte burimi më i besueshëm, pasi mediat shqiptare nuk i besoja. Kisha qënë në atdhe deri në mesin e vitit 1997 dhe kisha parë se ç’ishin në gjendje të bënin jo vetëm politikanët Berisha, Nano, Shehu, Pëllumbi, Pollo, Meta e të tjerë, por edhe botuesit Kokëdhima, Lesi e Frangaj, për të mos folur për shtypin partiak të Braçeve me kompani. Deri vonë më 1998, ameriakanët e cilësonin UCK-në, sin jë organizatë terroriste dhe nuk arrija të kuptoja se ç’përfaqësonin në të vërtetë. Nuk më mbushte mendjen as Rugova me poitikën e tij gandiane, që dukej si e panatyrshme për popujt e Ballkanit.
Ngjarjet e vitit 1999 ishin vërtet tronditëse dhe i vendosën shqiptarët e Kosovës në qendrën e vëmendjes ndërkombëtare. Por si gjithmonë, shqiptarët nuk ishin në një mendje as në Rambuje dhe as në Prishtinë, sa dukej se gjithshka që po bënte Amerika dhe Europa për Kosovën do dështonte sërish për faj të shqiptarëve.
Cdo orë ishte një ankth më vete pasi filluan bombardimet, me grupet e kosovarëve që shpërnguleshin të ndjekur nga sërbët, me Rugovën që takohej në zjarrin e luftës me Millosheviçin në Beograd dhe njoftimet e Pentagonit për dëmtimin e makinës ushtarake sërbe. Dy-tre herë, ndërsa ndiqnim të heshtur dhe me ankth lajmet, më të habitura na shihnin vajza ime e madhe dhe shoqja e saj Aleksandra nga Beogradi, që bënin detyrat bashkë në tavolinën e madhe të ngrënies. Nuk dinim ç’tju theshim dhe se si t’ju spjegonim, që sërbët përndiqnin e vrisnin shqiptarët dhe NATO-ja mundohej me armë të ndalte genocidin.
Ishin muajt kur Kosova dhe çështja e shqiptarëve të saj u bë më e rëndësishme se çdo problem vetiak apo famijar për shumicën e emigrantëve shqiptarë. Ndienje dhëmshuri, revoltë, nëpërkëmbje, shpresë, pafuqi, inferioritet dhe një sërë ndjenjash të tjera kontradiktore. Në përgjithësi, vendasit me të ciët punonim solidarizoheshin me ne dhe çështjen shqiptare edhe pse një pjesë e tyre ishin sllavë.
Për fat të mirë, bombardimet nuk zgjatën shumë dhe filluan bisedimet e paqes dhe u hap një tjetër epokë për popullin e Kosovës, të cilën përsëri nuk munda ta kuptoja mirë, sepse përziheshin heronj me bataçinj, çlirimtarë me vrasës, intelektualë me spiunë, karrieristë me idealistë dhe të kudondodhurit, njerëzit me shumë fytyra dhe shumë flamuj në xhep. Jam mundua të bëj analogji me Tiranën politike, por nuk ka se si të jetë e njëjtë, sepse shumë e ndryshme ka qënë e kaluara e 100 viteve të fundit.
Ndjenjave të simpatisë, dashurisë për të panjohurën e madhe shqiptare u zëvendësuan me skepticizëm dhe droje për ta prekur. Më duket se po të shkoj në Prishtinë do shikoj të njëjtit politikanë arrogantë, të njëjtit sekserë të lyrshëm dhe të njëjtat budallaqe të stërlyera, që shoqërohen me meshkujt me pushtet restoranteve dhe kafeneve, sikundër i kam parë në Tiranë 14-15 vite më parë.
Nuk ka shkruar kurrë rreth Kosovës dhe problemeve të saj në Blog, pikërisht sepse e njoh shumë pak dhe nuk dua ta gjykoj keq apo në mënyrë tërësisht të gabuar. Para dy vitesh, kur Haradinaj u ndalua në Francë shkrojta disa paragrafë kundër histerisë të solidarizimit me të dhe denigrimit të Francës. Edhe pse di pak rreth “bëmave” të Ramushit, më mjafton që është akuzuar për krime lufte, që ta diskualifikoj si kryeministër edhe pse është i shpallur i pafajshëm në Hagë.
Ne duhet të jemi të bindur, që po mos i pastruam vetë politikanët që kanë bërë krime lufte, ata një ditë të bukur do na vrasin ne, Kosovën dhe Shqipërinë. Eshtë në natyrën e kujt bën krime mbi të pambrojturit, të bëjë çdo lloj të lige ndaj kujtdo, përfshi këtu edhe popullin e tij.
A është Prishtina pasqyra e Tiranës politike me të njëjtat prapaskena dhe korrupsion? Me siguri. Eshtë folur haptazi edhe për vrasje të dëshmitarëve qofshin sërbë, shqiptarë apo romë. Eshtë folur haptaz edhe për shumë mynxyra të tjera.
E megjithatë Kosova nuk është Thaçi, Haradinaj, Limaj apo Veseli.
Eshtë ajo e njerëzve të vojtur dhe pa pushtet, e njerëzve të vërtetë, që ende nuk i kam takuar dhe nuk di nëse do i takoj ndonjë ditë.
No comments:
Post a Comment