(vijim)
Pas vitit 1974, kur Kosovës ju dha statusi i Krahinës Autonome brenda Republikës së Sërbisë, filluan këmbimet kulturore mes Tiranës dhe Prishtinës, me siguri me nismën e kosovarëve, të cilët jetonin në një Diktaturë më liberale se e jona. Atë kohë u shfaqën në shtypin kulturor shqiptar emrat e Ali Podrimes, Anton Pashkut, Esad Mekulit, Ali Aliut, Agim Vincës dhe të tjerëve autorë kosovarë. Edhe pse të censuruar, sidomos sepse botimi i krijimeve të tyre përkonte me periudhën pas Pleniumit të IV, ndjehej që poetët dhe shkrimtarët kosovarë shkruanin më lirshëm dhe pa “çarë kokën” për realizmin socialist. Gjithashtu flitej se në Prishtinë botoheshin të përkthyera shumë vepra autorësh të huaj, një pjesë e të cilave hynin në Shqipëri individualisht, por nuk arrinin të “zbrisnin” deri në Korçë.
Tashmë përfytyrimi ishte disi më i ndryshëm për inteligjencën kosovare, që shkruante bukur dhe pastër në shqip. Një shfaqje teatrale e “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur” e vënë në skenë nga trupa e Prishtinës, të cilën e pashë në Korçë në fundin e viteve ’70, mu duk interesante nga skenografia dhe vënia në skenë, por jo nga interpretimi. “Gjenerali” i Teatrit Popullor me Sandër Prosin dhe Pjetër Gjokën mbetej i një niveli shumë më të lartë.
Në tekstet shkollore të së mesmes, qoftë në Folklor, Letërsi apo Histori e Shqipërisë, edhe pse me disa përmirësime, bota shqiptare e Kosovës gjente pak pasqyrim. Historiografia komuniste kishte copëzuar shumë aspekte të historisë të para dhe pas Skënderbeut dhe ishte e vështirë, që vetëm me tekstin shkollor të kuptoje se ç’kishte ndodhur me të vërtetë në trojet shqiptare. Ishte e pamundur, që me ato tekste të ngjallej një dashuri e fortë për Kosovën dhe kosovarët.
Kishte gjithashtu një marëveshje të pashkruar me Titon për të mos u përzjerë në punët e njëri tjetrit, ndoshta që nga koha e agresionit rus mbi Cekosllovakinë. Të dy vendet këmbenin të arratisurit edhe pse në dukje ne vazhdonim t’i kritikonim si revizionistë. Në lajmet e TV Shkupit thuajse nuk kishte asnjë lajm rreth Shqipërisë. Por gjithashtu nuk kishte asnjëherë protestë zyrtare për qeverinë e Tiranës për nacionalizëm dhe shovinizëm, sikundër disa herë jugosllavët protestonin ndaj bullgarëve. Edhe pse nuk merrnim pjesë në konferencat e vendeve të paangazhuara, që kryesoheshin nga Jugosllavia e Titos, politika e jashtme shqiptare, nën ndikimin e kinezëve i përkrahte ato.
Në vitet e para të studimeve të mija në Tiranë (1979-1981) Kosova kishte pamjen e bukur të Shpresa Gashit, që ato vite studionte kanto në Konservatorin e Tiranës. Binin në sy përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit’, së bashku me një studente tjetër kosovare, të veshura si europiane, të gjata e të “kuruara” me kujdes. Shpresa Gashin e kishim parë disa herë në televizionin jugosllav, sepse ishte që pa ardhur në Tiranë, një këngëtare e talentuar. Nuk më kujtohet të kishte studentë kosovarë në fakultetet e tjera, por ato kohë, veç dy-tre vietnamezëve dhe disa afrikanëve, studentët e ardhur nga jashtë Shqipërisë ishin të rrallë. Ishin vitet e para pas prishjes me kinezët dhe Diktatura ishte më e egër edhe për shak të vështirësive ekonomike, që kalonte vendi.
Një ekspozitë pikture e piktorëve kosovarë e hapur më 1980, edhe pse me më tepër larmi stilesh se sa të mirënjohurëve tanë Buza(ati), Shijaku, Bakalli, Nallbani, Jukniu, Kamberi, Jonuzi, që ekspozonin në Tiranë në ato vite, ishte më prapa nivelit artistik dhe teknikës të piktorëve tanë. Për më tepër, vetë autorët kosovarë nuk ishin të pranishëm në hapjen e ekspozitës.
Më pas, filluan protestat e vitit 1981 në Universitetin e Prishtinës dhe gjithshka u ngri sërish, por këtë rradhë nga pala jugosllave.
(vijon)
No comments:
Post a Comment