Sunday, 10 September 2017

Skënderbeu i menduar


Nuk di pse kam bindjen, që Gjergj Kastrioti duhet të jetë në Purgator. Ndoshta nga , që ka vrarë shumë dhe ka vrarë edhe turq, edhe kaurë, edhe venedikas, edhe mercenarë, edhe sërbë, edhe bullgarë, edhe shqiptarë me qëndrim jo të mirë ideo-politik.
Ndaj s’ka se si të jetë në Parajsë, ku ka shumë shqiptarë të tjerë, por as në Ferr, ku ka shumë e më shumë bashkëatdhetarë. Se ka bërë më shumë të mira se të këqija Kryezoti ynë, ndaj nuk ka se si të jetë në rrathët e Ferrit.
(Nuk e kam edhe shumë të qartë, se si është Purgatori, se atë pjesë të Komedisë Hyjnore, e kam lënë në mes, në kohën e gjimnazit, kur lexoja më me lehtësi vargje.)
Me siguri edhe që rri i menduar në Purgator, se atje është tamam vendi për të qënë para dilemës së madhe – “Pse nuk jam në Parajsë, ku ka edhe më pak të nderçim se unë?” Por kësaj pyetje nuk ka se si t’i përgjigjet, se ai ka marrë vendin e tij në bazë të një vendimi të formës së prerë, që i jepet kujtdo nga Perëndia jonë.
Ndaj Gjergj Kastrioti Skënderbeu vetëm mund të mendohet dhe të kqyrë, se çndodh këtu poshtë në botën e vdekëtarëve me trashëgimtarët e gjakut dhe gjuhës së tij.
Që zihemi dhe prihemi nuk çuditet, se kështu e ka gjetur dhe kështu e ka lënë këtë vend. Për më tepër edhe vetë ishte bajagi gjaknxehtë.
Vetëm çuditet dhe mendohet : “Pse zihen për mua?”
“Kur isha unë çdo gjë ishte para dhe gjak. Do derdhje gjak të fitoje më shumë dukate nga vasalët, që do të shtoheshin dhe do jepje më pak në ata, që kishe mbi krye. Dhe Arbëri i theshim anëve tona, se kështu e kishte lënë Dhimitër Progoni, pa na u bërë vonë se çdo bëhej më vonë. Paratë i ndanim me gjermanë, danezë, napolitanë, spanjollë, që ishin luftëtarë të zanatit dhe kishin para të paguanin për kuajt, armët, prazmoret dhe ndihmësit e tyre. Ja Vrana Kontit, që ishte gjeneral i zoti nga Napoli, i dhashë Matin si shpërblim edhe pse ishte në mykët. Nuk dinte asnjë llaf arbërishte. Nuk e shkruanim gjuhën tonë dhe nuk ja u mësonim dot të tjerëve. As me turqit nuk pata ndonjë inat. Ata ishin të fuqishëm dhe paguanin më pak. Po nuk kishim gjë me ata. Babaj kishte qënë vasal dhe kishte luftuar deri në Ankara, kurse Hamzaj herë hidhej në anën e tyre dhe herë kundër. Kështu bënin edhe sërbët edhe grekët. Rumunët dhe bullgarët po e po. Hungarezët më pak, kurse venedikasit kishin shumë para dhe nuk ju zije dot besë kurrë.
Tani këta që flasin një gjuhë, që ngjan me timen zihen. Më kanë bërë edhe prej bronxi në një qytet pranë Krujës, po më shumë i ngjan kraljeviç Markos se sa mua. Unë shpatën nuk e mbaja kurrë përpjetë, se kur ecja mbi kalë gjatë ceremonive, në dorë mbaja shtizën.
Këtu në Purgator nuk vlejnë as shpata, as monumentet dhe as ceremonitë.
Po të vija atje poshtë, do ju thesha të mos zihen dhe të mblidhemi edhe njëherë ose në Lesh, ose në Berat dhe të gjykojmë se si mund të nxjerrim ca florinj më shumë në këtë kohë, që nuk ndryshon shumë me kohën time.
Vasalë të Gjermanisë është mirë të jemi, por nuk duhet t’i dëgjojmë shumë për Maqedoninë, Malin e zi dhe Greqinë. Dy të parat t’i ndajmë me sërbët dhe të fundit me Turqinë dhe Venedikun. Si luftëtarë të mirë të marim irlandezë, baskë dhe çeçenë. T’i paguajmë më shumë, që mos luftojnë për armiqtë tanë. Sa më shumë beteja të fitojmë, aq më shumë dukate dhe më shumë mercenarë.
Në më pranofshin si prijës, sikundër thonë tani, do ju mbaj fjalën e zakonshme: Tahmaqarllëkun nuk ja u solla unë, por e gjeta mes jush!

Nejse kot i mendoj edhe këto, se nga Purgatori nuk të lenë të ikësh.”

Saturday, 9 September 2017

Keshille nga Dalla


Luco Dalla ishte poet i nje lloji te vecante, qe dinte te pershkruante me ironi edhe dhimbjen e ndarjes, sikunder mund ta paraqiste edhe me ngjyrat e errta te trishtimit, si bejne gjithe poetet e tjere. Pavaresisht nga fjalori disi vulgar, e tija "Disperato Erotico Stomp", mbetet nje poezi filozofike mbi raportin mes te dashuruarve, ndarjes dhe vazhdimesise se jetes.







Të kishin parë tek pije në një burim
I ndryshëm nga unë;
Të kishin parë mëngjesit të dilje cullak
Si flloçkat në lumë
Kurse me mua nuk xhvisheshe
As në shtrat.
Si për inat, o Zot, për inat.
Të kishin parë ta ngrije fundin
Fundin deri në kërthiza
O ç’xixa!...

Pastaj ma kthen: “Ti gjynahqar
Bën mirë ta futësh në sirtar!”
Më vonë më le pendët me atë mikeshën
Atë të gjatën, shumë qejfleshë.
Që të dyja për të bërë diçka të veçantë
Me rëndësi dhe të madhe
Unë mbetem brenda, mendoj nga pak
Dhe rri vetëm me mbathje

Mendoj për zhgënjimet, punët e randa.
Dhe një kurvë nga Tailanda,
Po çshtja më e jashtëzakonshme, me të drejtë
Eshtë të jesh  si të tjeret.

Kështu, natyrshëm, pas një jave dola
I rrashë qytetit në çdo anë
Nuk ishte shumë ftohtë dhe sigurisht
Që do gjeja një putanë
Përveç parrukes, sytjenave,
peliçes  dhe një jeleku për dreq,
Kishte probleme, bile serioze,
Por nuk arsyetonte keq.
Nuk di në se kisha të bëja
Me një putanë optimiste të së Majtës,
Ndenjëm goxha dhe gjë s’bëmë dot,
Vetëm rrija në këmbë si idiot

U vërtita ca dhe takova
Një që kishte humbur
I thashë “Në qëndër të Bolonjës
S’mund të humbë as një kalaman”
Më pa me një fytyrë të ngrysur
Dhe më tha që jam gjerman.
“Në Berlin kam qënë me Bonetin,
Ishte i trishtë dhe i pamatë.”
U mërzita, u ktheva në shtëpi
Dhe ndenja me brekë prapë

Para se të ngjitesha lart, u ndala
Dhe drejt yjeve hodha një sy
Isha shumë i preokupuar
Sa diçka poshtë u fry.
I ngjita shkallët nga tre
Dhe u plasa në divan si i gjorë,
Mbylla sytë dhe ëmbël e ëmbël
Ja valova me dorë

Thursday, 7 September 2017

Zoti zuzar

Se je i zoti dhe i mban zotimet,
Zoti zuzar, i njohur, zulmëplotë.
Në t’ngrohtat netë nuk ndahesh nga dëfrimet,
Lëneshat le të lagura në lotë.

Po pse aspak nuk të pulitet qerpiku
Zoti zuzar, i zbrazët, zëmërgur,
Cullak, felat freskon me fletë fiku
Hareshëm kur harbon haur m’haur?

Ty turpi kurrë s’të ka turpëruar,
Se cipë s’mund të ketë një cipëplasur,
Dërmën i dhe kujt të ka ëndërruar,
Gazin i ngrive grave që ke ngalasur.

Ndaj nuk do ndalem kurre për të të ndihur,
Në t’pafsha përunjur edhe plak,
Mendo sa mijra jetë ke mihur

Zoti zuzar, i zbehtë dhe zbatharak!

Laku po zgjerohet

Në një shkrim të botuar në gazeta "Mapo", në fillim të shkurtit të këtij viti, të titulluar “A po ngushtohet laku?” hamendësoja se viti në vazhdim do kishte arrestime të bujshme të politikanëve të korruptuar ose të kriminelëve me “kravata” të lidhur me ta. E tillë dukej klima politike menjëherë pas shkarkimit të ministrit Manjani. Aktorët kryesorë politikë akuzonin njëri tjetrin dhe i tregonin burgun. Impenjimi i plotë i ambasadorit amerikan për Reformën në Drejtësi dhe Vetingun, jepte shpresë se dhe aleatët tanë të mëdhenj, po ndihmonin në nisjen e një pastrimi rrënjësor të politikës dhe institucioneve shqiptare.
Në mënyrë tërësisht të gabuar, parashikoja, se fjala “burg” do ishte fjala, që do mbizotëronte në mediat shqiptare gjatë vitit 2017.
Pas 8 muajsh, gjithshka duket plotësisht e “relaksuar”.
Ish ministri Manjani njoftoi së fundmi se largohet përfundimisht nga politika.
Taulant Balla dhe Shkëlzen Berisha nuk këmbejnë më hakërrime.
Klement Balili gëzon lirinë i fshehur diku dhe ai që bërtiste për arrestimin e tij, Ilir Meta është President i vendit.
Këto janë vetëm disa hollësi, që dëshmojnë se sa më larg nga tensioni i shkurt-marsit është tani gjendja politike shqiptare.
Po a është kjo një qetësi para furtunës? A do fillojë laku sërisht të ngushtohet dhe rreth cilave qafa?
Rezultati i zgjedhjeve, solli një raport krejt të papritur në jetën shqiptare. Edi Rama mund të qeverisë i vetëm dhe po i vetëm mund të shpjerë para edhe “programin” e ndërkombëtarëve për Reformën në Drejtësi. Deri këtu duket se punët janë mbroth dhe shqiptarët mjaft të kenë durimin e duhur dhe viti 2018 nuk do jetë vetëm viti i Gjergj Kastriotit, por edhe viti i fillimit të pastrimit të politikës shqiptare.
Por Rama nuk po ndjehet dhe as e prek këtë ]ështje kaq esenciale të jetës së shoqërisë shqiptare. Ai po i mëshon “zhdukjes së burokratizmit në 100 ditë“ (pa përdorur kontrollin punëtor), ristrukturimit të administratës dhe “qeverisjes me ndihmën e popullit”. Pa dyshim, që përmirësimet në “makinës gul]use” të shtetit shqiptar nuk janë pa vend, por këto nuk janë ato që do sjellin besimin e njerëzve për të mos u larguar nga Shqipëria, besimin e e të pasurve shqiptarë për të investuar në vend, besimin e investitorëve të huaj për të bërë bzines në Shqipëri.
Ajo që është e domosdoshme është goditja e krimit të madh të lidhur me politikën.
Rama nuk duket se është i prirur ta bëjë dhe arsyet janë nga “moskrijimi i pre]edentit” dhe deri në “sundimi i gjatë“ duke ju rënë borive rreth “opozitës së korruptuar”.
E paspjegueshme është edhe heshtja e ambasadorit Lu, i cili ngjalli shpresë se di]ka e mirë do fillonte së shpejti.
Reformat në Drejtësi janë bërë kudo me shumë vështirësi. Rasti i fundit i Polonisë, flet qartë se sa pengesa ligjore, jashtëligjore, politike, jopolitike mund të sajohen për të mos ndërtuar një Shtet të së Drejtës.
Tek ne vështirësia është e shumëfishtë sepse Kryeministri, Presidenti dhe shefi i Opozitës janë akuzuar hapur për afera korruptive. Ndaj është më e lehtë, që edhe mediat të kumbojnë me ]ështje të sajuara si ajo e “mbulimit të Skënderbeut”, apo e “kalbëzimit të Akademisë“, sepse të gjithë mund të flasin rreth tyre pa vënë gishti në plagën e madhe të Shqipërisë - Korrupsionin Stërmadh.
Eshtë urgjente “të aspirohet” për procese të “duarve të pastra” dhe të flitet e të shkruhet gjatë rreth tyre dhe t’ju lihen vende më të vogla “debateve të Artan Fugës apo Spartak Ngjelës”.

Në fund të fundit, Laku më i madh është opinioni publik i cili duhet të ngushtohet rreth qafës të përgjegjësve për stanjacionin e zgjatur shqiptar.

Wednesday, 6 September 2017

Dumbabistat

Kete shkrim e kisha nisur disa dite para histerise te "mbulimit te Skenderbeut". Sharlatanet pseudopatriote te tipit Spartak Ngjela, Artan Lame apo edhe te tjere si ta, nuk ju dhimset as Shqiperia, as kombi dhe aq me pak populli shqiptar. Njerezit duhen lene te besojne ne ato, qe duan dhe si i duan, pa i "trembur" me asnje lloj gogoli ideologjik apo nacionalist. Te gjithe kane te drejte te jetojne jeten e tyre si e mendojne vete, pa ju rene me qafe te tjereve, si besimtare myslymane, te krishtere, budiste, ateiste, filoeuropiane, filogreke, filoserbe, filoturq, filoamerikane apo filotinglimajmun.
Mjaft me me kete nacionalizem te peshtire qe sjell vetem urrejtje!

Ka një përcaktim tejet negativ të banorëve të rrethinave të Shijakut, Ishmit, Peqinit, Pezës si “dumbabista”, epitet ky i vënë nga Kadareja në veprën e tij “Viti i mbrapshtë“. Një tjetër përcaktim i tyre përsëri negativ është “haxhiqamilsa”, për shkak të emrit të udhëheqësit Haxhi Qamili.
Të gjithë shqiptarët patriotë , progresistë dhe ateistë janë kundër “dumbabistave”, se i quajnë të prapambetur, anadollakë, joperëndimorë, antishqiptarë dhe antiEuropistë. Dhe ndoshta “haxhiqamilsave” kurrë nuk ju ka dashur të kenë të bëjnë as me botën perëndimore dhe as pjesët e tjera të Shqipërisë, Kanë dashur të kenë gjithnjë Babën në krye, Sulltanin.
Ka diçka të çuditshme, por dhe romantike në përpjekjet e tyre për t’i qënë besnikë Babës dhe “Stamollit” edhe pse në pjesën më perëndimore të Ballkanit.
Shqiptarët që i quajmë “dumbabista” janë njerëz të butë, pak kokëtrashë, besnikë dhe jo ngatërrestarë. Po qe se gjithnjë kanë jetuar në ato troje kanë parë dhe vuajtur shumë.
Më 1214, Durrësin dhe rrethinat e tij i pushtoi Despoti Mihal i Epirit, por 40 vjet më vonë i mori Theodhori i II, Perandori i Nikeas, i cili nuk i mbajti më shumë se 2 vjet se ja mori djali doç i Frderikut të II, Manfredi i Siçilisë, të cilin e vrau Sharl D’Anzhu 4 vjet më pas dhe përlau edhe Durrësin.
Po francezi D’Anzhu, që ishte edhe Mbret i Napolit dhe që kishte vrarë Mbretin e Siçilisë gjysëm gjerman e gjysëm italian Manfred, la pas ca vitesh në Durrës si mëkëmbës kuqon francez Hughues de Sully, i cili pasi deshte të merrte Beratin ra rob i grekëve të Perandorisë së Nikeas dhe humbi edhe Durrësin, të cilin pasi e mbajti disa vjet Andronikos II, ja dha në pajë të bijës, që u martua me sërbin Stefan Milutin, të cilin pas 8 vjetësh e dëbuan katolikët shqiptarë për t’ja dhënë Durrësin Filipit të Tarantos, djalit të djalit të Sharl D’Anzhusë.
Në më pak se 90 vjet, Durrësi dhe rrethinat kishin “hequr” nën 7 sundime të huajsh, që kërkonin para, të mira materiale, vasha të pashme dhe aheng. Veç fëmijëve të racës shqiptare “të pastër” me lëkurë të bardhë në ngjyrë gruri, flokë të çelura dhe sy të kaltër dhe ngjyrë lajthie, filluan të dalin edhe kuqalashë, ezmerë të theksuar, hundëmëdhenj, flokë kokorithër dhe deri me sy të vogla si të mongolëve.
Por nuk ishte vetëm shekulli i XIII i tillë. Filipi i Tarantos e mbajti krahinën për 30 vjet, por pas vdekjes së tij, i biri, Roberti i Tarantos ja shiti të xhaxhajt, Johanit të Gravinos, që u quajt Duka i Durrësit, titull të cilin e trashëgoi edhe i biri Karli, që ja la pas vdekjes së bijës Johanës, kur ajo ishte vetëm 4 vjeçare. Vërtet këta ishin të gjithë Anzhuinë, por nga martesat kishin gjak italian, grek, hungarez veç atij francez.
Johana u martua me Sharlin e Navarrës, që u quajt pas martese Duka i Durrësit, por sundimi i tij në Shqipëri nuk zgjati më shumë se 3 vjet, pasi Karl Topia, i pari sundimtar shqiptar, mori Durrësin dhe krijoi principatën e tij, por vazhdoi të luftonte me Anzhuinët për të mbrojtur zotërimet e marra me forcë. Pas 15 vjetësh, Balshajt, që nuk dihet nëse janë më shumë malazezë se shqiptarë, apo anasjelltas, sulmuan disa herë Durrësin deri sa e pushtuan, por nuk mundën ta mbanin gjatë, se Karl Topia thirri në ndihmë Sulltan Muratin, që shkatërroi ushtrinë e Balshajve, vrau Balshën II dhe ja ridha qytetin Karl Topisë, nën suzerenitetin e tij.
Në shekullin e XV, Durrësin e bleu Republika e Venedikut dhe pas disa dekadave ra përfundimisht në dorën e Otomanëve, si gjithë territoret e banuara nga shqiptarët.
Kjo ishte e vetmja qeverisje stabël, që zgjati më se 4 shekuj në Durrës dhe rrethinat e tij.  Një pjesë e mirë e popullsisë u islamizua (pa dhunë) dhe gjeti “karar” me një sundim “stabël”, dhe me më pak luftra për pushtet. Mizoritë e sundimtarëve mesjetarë grekë, francezë, italianë, hungarezë, sërbë, por dhe shqiptarë, të ushtruara edhe nëpërmjet mercenarëve gjermanë, afrikanë, sllavë, nuk kishte se si të kishin qënë më të buta se ato të sundimtarëve të rinj turq. Në kujtesën e popullsisë të këtyre trojeve, nuk ishin larguar ende vrasjet, përdhunimet, lincimet, zjarret dhe sëmundjet që sjellin betejat. Në kohën e sundimit turk, nuk përmendet as ndonjë epidemi kolere në këtë zonë, gjë që kishte ndodhur disa herë më parë.
Ndaj edhe pse “jashtë kohe” në fillimin e shekullit të XX-të, “dumbabistat” nuk janë për tu përcmuar.

Europianët e para Turqisë, nuk ishin Europianët e shekullit të XIX-të.

Monday, 4 September 2017

“Grupi i 4 Vaskave”

 Këtë shënim po e përcjell si ma ka dërguar një dëshmitar dëgjimor dhe nuk kam pasur mundësit a verifikoj se sa e vërtetë është që ka ndodhur, apo nëse vërtet ekziston një grup i tillë. (Dërgonjësi më siguroi edhe , që nuk ka asnjë lidhje apo kundërlidhje të këtij grupi me atë të “5 dyqaneve” apo të “6 çobenëve”. “Grupi i 4 Vaskave” është një grup muzikor, që do të risjellë muzikën e Bitëllsave në peisazhin muzikor të serenatës korçare.)
Gjithashtu, dëgjimori nuk më dha hollësi se pse grupi quhet i Katër Vaskave. Hamendjet e mija shkojnë në katër këngëtarë adashë, por mund të ketë lidhje edhe me vaskat e birrës në fabrikën e Hysenbelliut, ose vaskat-kaskadë para Luftëtarit Kombëtar. Më poshtë është tregimi i plotë:
“Ishte një mbrëmje e bukur gushti dhe unë kisha dalë andej nga ishin qëmoti vreshtat. Hëna ndriçonte mbi Moravëdhe rrezet e saj binin në Hotelin “Kristal” dhe pasi përthyheshin ndriçonin një çati të bukur në formë vele, po jo si Veliera e Gjushit të Durrësit. Një velë elegante si ndozot e atyre pupeve të shekullit të kaluar, që ne korçarët ju këndonim”e bukur si pupe” dhe që theksi ju binte në zanoren e fundit. Po nuk isha fillikat në atë mbrëmje tëngrohtkë të këtij behari që na theku mirë. Jo larg meje, po që dot nuk më shikonin se drita e hënës përthyhej në mënyrë të favorshme për mua, “Grupi i 4 Vaskave” sa kishte kurdisur kitarat dhe po bënte serenatë me avazin e një kënge, që e kisha dëgjuar më parë, por që nuk ta ç’koqit dot tamam të ta them cila është. Këndonin aq shtruar e bukur dhe hëna si me magji më ngjethte mishtë sa  nuk harrova asnjë llaf të asaj kënge:

O sa i mënçur që je Nikua jonë,
Larg sheh sa arrin der’ në profeci,
Për ty do këndojmë ne gjithmonë,
Më nuk duam jo një Lider të Ri!

O ju të vogla që rrini në dritare,
Sonte kitara për ju nuk do këndojë,
Nesër për Tiranë ai rrugën do marë,
Fshatin si qytetin ta rregullojë.

O Korça jonë sa shumë ke pritur
Që shpejt të bëheshe e Bukura e Dheut
Atë që e bëri biri, që ke rritur
Se qulli dot as Presori i Liceut.

Ndaj sonte mos flini të mira korçarka
Ndonjera flamuj së të ardhmes le t’qepë,
I jepni Peleshit një grusht me kokarka
Dhe shpejt ja u kthen ai një kurorë me qepë.

Si ngriti Vrojtuesen në mes të Pazarit,
Si kthevi në Bashki Pallatin “Mio”,
Të drejtën e pronës do ja kthejë të parit
Do hani dhe pini veç prodhime Bio.

Kjo e prodhimeve Bio më bëri medemek më shumë përshtypje se tërë të tjerat dhe si i pangrënë, që isha ja futa tatëpjetë kodrës dhe sokakëve dhe e mbajta frymën në shtëpi pa e dëgjuar tërë këngën e “Grupit të 4 Vaskave”. Do  e durojmë deri në të vjelat e motit tjetër  thashë gruas. Bio të tëra. O mot o kurrë!"


Friday, 1 September 2017

Dëshirë pasditeje

Dua të derdhem në tëndin mendim
Me gërthitje të egra të të grish
Mornicat të mbulojnë tëndin mish
Puthjet të presësh plot përdëllim.

Krakaritjet e korbave në kodër,
Gjëmimet që të ngjethin në gjumë,
Shëndrimet që të shkundin aq shumë,
Lemë t’i lehtësoj si një lodër.

Do dashurohemi deri në fund,
Me trupat tërësisht të lektisur,
Natën do ngrihemi për të rinisur

Magjinë e mistershme pa mund.