Wednesday, 6 September 2017

Dumbabistat

Kete shkrim e kisha nisur disa dite para histerise te "mbulimit te Skenderbeut". Sharlatanet pseudopatriote te tipit Spartak Ngjela, Artan Lame apo edhe te tjere si ta, nuk ju dhimset as Shqiperia, as kombi dhe aq me pak populli shqiptar. Njerezit duhen lene te besojne ne ato, qe duan dhe si i duan, pa i "trembur" me asnje lloj gogoli ideologjik apo nacionalist. Te gjithe kane te drejte te jetojne jeten e tyre si e mendojne vete, pa ju rene me qafe te tjereve, si besimtare myslymane, te krishtere, budiste, ateiste, filoeuropiane, filogreke, filoserbe, filoturq, filoamerikane apo filotinglimajmun.
Mjaft me me kete nacionalizem te peshtire qe sjell vetem urrejtje!

Ka një përcaktim tejet negativ të banorëve të rrethinave të Shijakut, Ishmit, Peqinit, Pezës si “dumbabista”, epitet ky i vënë nga Kadareja në veprën e tij “Viti i mbrapshtë“. Një tjetër përcaktim i tyre përsëri negativ është “haxhiqamilsa”, për shkak të emrit të udhëheqësit Haxhi Qamili.
Të gjithë shqiptarët patriotë , progresistë dhe ateistë janë kundër “dumbabistave”, se i quajnë të prapambetur, anadollakë, joperëndimorë, antishqiptarë dhe antiEuropistë. Dhe ndoshta “haxhiqamilsave” kurrë nuk ju ka dashur të kenë të bëjnë as me botën perëndimore dhe as pjesët e tjera të Shqipërisë, Kanë dashur të kenë gjithnjë Babën në krye, Sulltanin.
Ka diçka të çuditshme, por dhe romantike në përpjekjet e tyre për t’i qënë besnikë Babës dhe “Stamollit” edhe pse në pjesën më perëndimore të Ballkanit.
Shqiptarët që i quajmë “dumbabista” janë njerëz të butë, pak kokëtrashë, besnikë dhe jo ngatërrestarë. Po qe se gjithnjë kanë jetuar në ato troje kanë parë dhe vuajtur shumë.
Më 1214, Durrësin dhe rrethinat e tij i pushtoi Despoti Mihal i Epirit, por 40 vjet më vonë i mori Theodhori i II, Perandori i Nikeas, i cili nuk i mbajti më shumë se 2 vjet se ja mori djali doç i Frderikut të II, Manfredi i Siçilisë, të cilin e vrau Sharl D’Anzhu 4 vjet më pas dhe përlau edhe Durrësin.
Po francezi D’Anzhu, që ishte edhe Mbret i Napolit dhe që kishte vrarë Mbretin e Siçilisë gjysëm gjerman e gjysëm italian Manfred, la pas ca vitesh në Durrës si mëkëmbës kuqon francez Hughues de Sully, i cili pasi deshte të merrte Beratin ra rob i grekëve të Perandorisë së Nikeas dhe humbi edhe Durrësin, të cilin pasi e mbajti disa vjet Andronikos II, ja dha në pajë të bijës, që u martua me sërbin Stefan Milutin, të cilin pas 8 vjetësh e dëbuan katolikët shqiptarë për t’ja dhënë Durrësin Filipit të Tarantos, djalit të djalit të Sharl D’Anzhusë.
Në më pak se 90 vjet, Durrësi dhe rrethinat kishin “hequr” nën 7 sundime të huajsh, që kërkonin para, të mira materiale, vasha të pashme dhe aheng. Veç fëmijëve të racës shqiptare “të pastër” me lëkurë të bardhë në ngjyrë gruri, flokë të çelura dhe sy të kaltër dhe ngjyrë lajthie, filluan të dalin edhe kuqalashë, ezmerë të theksuar, hundëmëdhenj, flokë kokorithër dhe deri me sy të vogla si të mongolëve.
Por nuk ishte vetëm shekulli i XIII i tillë. Filipi i Tarantos e mbajti krahinën për 30 vjet, por pas vdekjes së tij, i biri, Roberti i Tarantos ja shiti të xhaxhajt, Johanit të Gravinos, që u quajt Duka i Durrësit, titull të cilin e trashëgoi edhe i biri Karli, që ja la pas vdekjes së bijës Johanës, kur ajo ishte vetëm 4 vjeçare. Vërtet këta ishin të gjithë Anzhuinë, por nga martesat kishin gjak italian, grek, hungarez veç atij francez.
Johana u martua me Sharlin e Navarrës, që u quajt pas martese Duka i Durrësit, por sundimi i tij në Shqipëri nuk zgjati më shumë se 3 vjet, pasi Karl Topia, i pari sundimtar shqiptar, mori Durrësin dhe krijoi principatën e tij, por vazhdoi të luftonte me Anzhuinët për të mbrojtur zotërimet e marra me forcë. Pas 15 vjetësh, Balshajt, që nuk dihet nëse janë më shumë malazezë se shqiptarë, apo anasjelltas, sulmuan disa herë Durrësin deri sa e pushtuan, por nuk mundën ta mbanin gjatë, se Karl Topia thirri në ndihmë Sulltan Muratin, që shkatërroi ushtrinë e Balshajve, vrau Balshën II dhe ja ridha qytetin Karl Topisë, nën suzerenitetin e tij.
Në shekullin e XV, Durrësin e bleu Republika e Venedikut dhe pas disa dekadave ra përfundimisht në dorën e Otomanëve, si gjithë territoret e banuara nga shqiptarët.
Kjo ishte e vetmja qeverisje stabël, që zgjati më se 4 shekuj në Durrës dhe rrethinat e tij.  Një pjesë e mirë e popullsisë u islamizua (pa dhunë) dhe gjeti “karar” me një sundim “stabël”, dhe me më pak luftra për pushtet. Mizoritë e sundimtarëve mesjetarë grekë, francezë, italianë, hungarezë, sërbë, por dhe shqiptarë, të ushtruara edhe nëpërmjet mercenarëve gjermanë, afrikanë, sllavë, nuk kishte se si të kishin qënë më të buta se ato të sundimtarëve të rinj turq. Në kujtesën e popullsisë të këtyre trojeve, nuk ishin larguar ende vrasjet, përdhunimet, lincimet, zjarret dhe sëmundjet që sjellin betejat. Në kohën e sundimit turk, nuk përmendet as ndonjë epidemi kolere në këtë zonë, gjë që kishte ndodhur disa herë më parë.
Ndaj edhe pse “jashtë kohe” në fillimin e shekullit të XX-të, “dumbabistat” nuk janë për tu përcmuar.

Europianët e para Turqisë, nuk ishin Europianët e shekullit të XIX-të.

No comments:

Post a Comment