Sunday, 10 September 2017

Skënderbeu i menduar


Nuk di pse kam bindjen, që Gjergj Kastrioti duhet të jetë në Purgator. Ndoshta nga , që ka vrarë shumë dhe ka vrarë edhe turq, edhe kaurë, edhe venedikas, edhe mercenarë, edhe sërbë, edhe bullgarë, edhe shqiptarë me qëndrim jo të mirë ideo-politik.
Ndaj s’ka se si të jetë në Parajsë, ku ka shumë shqiptarë të tjerë, por as në Ferr, ku ka shumë e më shumë bashkëatdhetarë. Se ka bërë më shumë të mira se të këqija Kryezoti ynë, ndaj nuk ka se si të jetë në rrathët e Ferrit.
(Nuk e kam edhe shumë të qartë, se si është Purgatori, se atë pjesë të Komedisë Hyjnore, e kam lënë në mes, në kohën e gjimnazit, kur lexoja më me lehtësi vargje.)
Me siguri edhe që rri i menduar në Purgator, se atje është tamam vendi për të qënë para dilemës së madhe – “Pse nuk jam në Parajsë, ku ka edhe më pak të nderçim se unë?” Por kësaj pyetje nuk ka se si t’i përgjigjet, se ai ka marrë vendin e tij në bazë të një vendimi të formës së prerë, që i jepet kujtdo nga Perëndia jonë.
Ndaj Gjergj Kastrioti Skënderbeu vetëm mund të mendohet dhe të kqyrë, se çndodh këtu poshtë në botën e vdekëtarëve me trashëgimtarët e gjakut dhe gjuhës së tij.
Që zihemi dhe prihemi nuk çuditet, se kështu e ka gjetur dhe kështu e ka lënë këtë vend. Për më tepër edhe vetë ishte bajagi gjaknxehtë.
Vetëm çuditet dhe mendohet : “Pse zihen për mua?”
“Kur isha unë çdo gjë ishte para dhe gjak. Do derdhje gjak të fitoje më shumë dukate nga vasalët, që do të shtoheshin dhe do jepje më pak në ata, që kishe mbi krye. Dhe Arbëri i theshim anëve tona, se kështu e kishte lënë Dhimitër Progoni, pa na u bërë vonë se çdo bëhej më vonë. Paratë i ndanim me gjermanë, danezë, napolitanë, spanjollë, që ishin luftëtarë të zanatit dhe kishin para të paguanin për kuajt, armët, prazmoret dhe ndihmësit e tyre. Ja Vrana Kontit, që ishte gjeneral i zoti nga Napoli, i dhashë Matin si shpërblim edhe pse ishte në mykët. Nuk dinte asnjë llaf arbërishte. Nuk e shkruanim gjuhën tonë dhe nuk ja u mësonim dot të tjerëve. As me turqit nuk pata ndonjë inat. Ata ishin të fuqishëm dhe paguanin më pak. Po nuk kishim gjë me ata. Babaj kishte qënë vasal dhe kishte luftuar deri në Ankara, kurse Hamzaj herë hidhej në anën e tyre dhe herë kundër. Kështu bënin edhe sërbët edhe grekët. Rumunët dhe bullgarët po e po. Hungarezët më pak, kurse venedikasit kishin shumë para dhe nuk ju zije dot besë kurrë.
Tani këta që flasin një gjuhë, që ngjan me timen zihen. Më kanë bërë edhe prej bronxi në një qytet pranë Krujës, po më shumë i ngjan kraljeviç Markos se sa mua. Unë shpatën nuk e mbaja kurrë përpjetë, se kur ecja mbi kalë gjatë ceremonive, në dorë mbaja shtizën.
Këtu në Purgator nuk vlejnë as shpata, as monumentet dhe as ceremonitë.
Po të vija atje poshtë, do ju thesha të mos zihen dhe të mblidhemi edhe njëherë ose në Lesh, ose në Berat dhe të gjykojmë se si mund të nxjerrim ca florinj më shumë në këtë kohë, që nuk ndryshon shumë me kohën time.
Vasalë të Gjermanisë është mirë të jemi, por nuk duhet t’i dëgjojmë shumë për Maqedoninë, Malin e zi dhe Greqinë. Dy të parat t’i ndajmë me sërbët dhe të fundit me Turqinë dhe Venedikun. Si luftëtarë të mirë të marim irlandezë, baskë dhe çeçenë. T’i paguajmë më shumë, që mos luftojnë për armiqtë tanë. Sa më shumë beteja të fitojmë, aq më shumë dukate dhe më shumë mercenarë.
Në më pranofshin si prijës, sikundër thonë tani, do ju mbaj fjalën e zakonshme: Tahmaqarllëkun nuk ja u solla unë, por e gjeta mes jush!

Nejse kot i mendoj edhe këto, se nga Purgatori nuk të lenë të ikësh.”

No comments:

Post a Comment