Thursday, 5 June 2014

Unë votova – Voto edhe ti!

Ky është slogan që nuk i drejtohet askujt, se askujt nuk i bie ndërmend nëse votova unë dhe aq mç pak mund të ndikohet nga unë e të ngrihet e të votojë. Sigurisht nuk jam budallallosur aq sa të shkruaj për rëndësinë e votimit, për procesin demokratik të zgjedhjes të përfaqësuesit apo të partisë që të pëlqen, apo për ushtrimin e të drejtës tënde bazë e porrdhë të tjera si këto. Unë votova sot se më erdhi për të votuar, sikundër nuk votova herën e fundit, kur kishte zgjedhje sepse nuk më erdhi për të votuar.
(“Sa i paekulibruar , që je!”- do hidhet këshilltari juridik i avokatit tim, që nuk heziton të më kritikojë, sa herë bëj veprime të nxituara, të papeshuara mirë dhe sidomos që nuk kanë asnjë efekt në jetën time apo të familjes sime.) Po ja unë arrita që e hodha vetën dhe si më ndodh rëndom këto 6 muajt e fundit nuk rri dot edhe pa e thënë.
Pasi hodha votën e pyeta veten “Përse votova?”, po nuk gjeta dot përgjigje. Jam fare në hava për sa i përket politikës në Kanada dhe në Ontario(për parlamentin e Provincës votohet këtë rradhë). Në pushtet, siç ndodh edhe në rang vendi, vijnë njëherë në fuqi Konservatorët dhe pasi bien ata rrinë për ca vjet më shumë Liberalët. Janë sin jë lloj imitimi i partive engleze, por me dallimin, që Liberalët e këtushëm kanë qeverisur më gjatë duke filluar nga vitet ’60, se Laburistët englezë. Ka edhe një parti të tretë, e cila nuk është as e Qendrës së Djathtë dhe as e asaj të Majtë, po është si më shumë e Majtë e Majtë pa qënë e ekstremit të Majtë. Dhe për këtë Parti votova sot. Dhe për këtë parti pata votuar edhe herën e fundit, që ishte edhe e vetmja herë që votoja. Kam si qejf kur votoj për Partitë që nuk vijnë kurrë në pushtet. Se  në këtë mënyrë mund të grindem e të llomotis ditë e natë. Dhe njëkohësisht ndjehem xhepërisht dhe shpirtërisht pranë Partive të Kripave.
Po përse votova për Partinë e Kripave dhe jo ndonjë parti tjetër të majtë(kripash) si Ekologjikja apo edhe Komunistja. Ka një emër që më pëlqen. Shpresëdhënës. Partia e Re Demokratike . Po mos sjellë risi në jetën demokratike të vendit Partia e Re Demokratike kush mund ta bëjë? Ngre supet.
Nëse je edhe ti një zgjedhës si unë, që ke një kokë mbi supe, por këto të fundit i mban ngritur sa herë të pyesin, bëj si bëra unë;

-Voto edhe ti!

Oh sa e pëlqej këtë këngë!

Një duet i mrekullueshëm, ku gërshetohet muzika klasike dhe notat e larta të kapura nga tenori Kastriot Tusha me tingujt e gërrnetës, fyellit dhe timbrin e ngrohtë burimor të këngëtares Eli Fara. Ah po ndjehet qartë edhe kitara elektrike bass, që e sjell kombinimin e barokut me karadyzenin në kohët më moderne. Pa le fjalët!
Oh lirika e dashurisë të munguar, bërë kotkë me thirrjet gjakderdhëse të kasapëve!
“ Në se ka mbetur zemra ime
Brenda teje si dikur nga Dashuriaaaa
Unë do të të pres të të takoj
Edhe njëherë në këtë jetë nga Rastësiaaaa”
Menjëherë të shkon mendja në ritet e fiseve Maja, që në tempujt plot shkallë të Jukatanit, sakrifikonin të rinj e të reja të kapur rob, duke ju hequr zemrën nga gjoksi dhe duke e gëlltitur. Me siguri mes tempujve të shumtë dhe me emra abstraktë apo filozofikë duhet të ketë qënë edhe Tempuli i Rastësisë, ku I sakrifikuari shpreson të takojë zemërgëlltitësen. Një frymëzim qiellor dhe gati gati alien.
“Dhe nëse fryma po më mbahet
Më beso se unë gjithë jetën të kam dashur
Je marrëzia e buzës sime
Je trishtimi më i bukur që kam pasur.”
Ja kjo është poezi! Metafora ‘marrëzia e buzës sime” e “papame” deri më sot. Për më tepër mosbesimin që të sjell frymëmbajtja e tjetrit, tretet në vend kur i thua “Je trishtimi më i bukur që kam pasur”.
Kënga fillon që në vargun e parë të të trondisë me atmosferën anatomike të fjalëve. Pritet diçka e pazakontë të ndodhë.
“…zemra më ka ngrirë
Që kur s’të kam parë.
E mbylle derën më le vetëm
Ndoshta ti s’më doje tepër…”
C’do ndodhë- pyet i tmerruar dëgjonjësi me një fantazi mesatare. Diçka mes një operacioni të transplatimit të zemrës, kur në kutinë e mbushur me akull vjen zemra, që i është hequr një të vrari në aksident dhe vargjeve të bejtes popullore “dy zemra të lidhura, dy ushkurë të zgjidhura”. Gjeniale! E paparashikueshme! Dhe e paparashikueshmja është në fjalën “Asnjëherë“ (Pak a shumë si në “Korbi”)
“ Asnjëherë s’ja fala vetes,
Asnjëherë jo nuk guxova,
Asnjëher atë që ndjeja të ta them…”
Dhe kur të gjithë presin me gojë hapur fjalët magjike , që kanë mbetur ndrydhur në një nga organet e tjera veç zemrës së hequr ai përsërit:
“ Në se ka mbetur zemra ime
Brenda teje si dikur nga Dashuriaaaa…”
Ik o pirdhu!
Po nëse e harron ti zemrën ku të mundësh ne ta kemi fajin?!!





Endrra jonë e Lundrimit

Nuk di nëse ëndrra jonë për të lundruar, ka zënë fill në kohën e “mbylljes së rrugëve”, kur shumë njerëz donin të shkonin në Botën e Lirë, për t’u bashkuar me të afërmit e tyre a për të jetuar si ja u thoshte mendja dhe jo Sekretari I Partisë. Më kishte rënë në sy, që njerëzit përmendin me adhurim vaporët, anijet, motoskafët. Nuk zinte njeri në gojë jahtet, se në Korçë nuk kishte det apo liqen të madh dhe Lumi I Korçës ose Drenica kishte shumë pak ujë. Diçka më shumë kishte Dunaveci, por as ai nuk ishte i lundrueshëm dhe  vetëm Rikardo Jorganxhiu kishte besuar në fund të viteve ’60, që “flota e 6-të amerikane kishte hyrë në Dunavec” dhe kishte hipur biçikletën dhe qe sulur ta shikonte.
Me siguri, në qytetet e tjera, që lageshin nga Adriatiku apo Joni, apo edhe Liqeni i Shkodrës, fëmijët rriteshin me ëndrrën për të lundruar apo projektuar anije. Flitet , që edhe Noe-ja një ëndërr të tillë kishte dhe ju lut gjithë jetë Perëndisë ta bënte ujë dynjanë, se jetonte në një vend malor dhe nuk kishte hipur kurrë ne një gjemi.
Po le të kthehemi në qytetin tim të lindjes, ku deri në Luftën e dytë Botërore 90% e meshkujve nuk dinin not, ndërsa femrat edhe pse më të emancipuara se në qytetet e tjera shqiptare, në ujë kishin hyrë vetëm kur lanin me kopanë levenxet. Kur isha në fillimet e ëndrrës për tu bërë arkitekt, u bënë disa prishje në qendër të qytetit, që do hapnin një shesh më të madh, ku do ndërtoheshin Komiteti i Partisë, Pallati i Kulturës dhe një MAPO- shumëkatëshe. Partia, Kultura dhe Ekonomia do ishin 3 shtyllat e qytetit në vitet ’80 e tëhu. Të gjithë nostalgjikët e qytetit të vjetër bashkoheshin në mendimin “po prishej o Farmacia e Cekanit! Ku kishte si ajo! Si vapor!” Vetë nuk më ishte dukur ndonjëherë e tillë ndërtesa 4 katëshe e ngjashme me çdo ndërtim në qytetet Europiane, kur ka një bigëzim rrugësh të ngushtë. E megjithatë, refreni “ishte si vapor”, më qe ngulitur në mendje, aq shumë sa gjatë shkollës projektova një hotel, të ngjashëm me një anije, që dukej se krijoi xhelozi tek një bashkëstudenti im, I cili me siguri urrente ujrat, se zhgryhej tërë ditën në Ura e Lanës. Ai ma mbushi gjithë pamjen kryesore të hotelit me gryka topash luftarakë, disa prej të cilëve edhe tymosnin, që bëri të dukej si një kryqëzor dhe kjo të shkaktonte uljen e një note. E megjithatë ëndrra ime jo vetëm mbeti e gjallë, por më vonë pashë se të njëjtën kishin edhe shumë arkitektë të tjerë të rinj. Njëri syresh projektoi një kompleks disa katësh në Plazhin e Durrësit, diku prapa Breshkës, që u quajt menjëherë “vapori”.
E megjithatë, kulmin e Arkitekturës shqiptare Antidilluviane(këtë degë të arkitekturës sonë e ka shpikur i njëjti arkitekt ujramosdashës, që ka kritikuar edhe hotelin e famshëm në Dubai) e mban një ndërtim në Shijak(ose në një pjesë tjetër fushore të atdheut), që duket tamam sin jë vapor mallrash i shartuar me jaht. Në të janë ndërthurur luksi i jahtit të Bill Gates, me soliditetin e anijes sonë të famshme “Arbëria”. Duhet të jetë hotel , po aq sa mund të jetë edhe fabrikë e përpunimit të kumbllave apo zyrat e një kompanie stërmadhe sigurimesh shqiptare. Por nuk do çuditesha edhe sikur të ishte një kompleks fetar i një rryme të re evangjelisto-muhamedane e pasuesve të Nuhit.
Pasi pashë këtë objekt, që ka qënë ëndrra e të gjithë projektuesve shqiptarë thirra:

“Tani le të bëhet Qameti!”

Wednesday, 4 June 2014

Izabelë

Mbase dhe ky një emër çifut (Ka në Bibël Izabelë). Me siguri që ka. Zabel është një emër ermen femre, të  cilin e kam dëgjuar prej fëmijërisë dhe me siguri duhet të ketë ndonjë referencë në Bibël. Pastaj janë pak, shumë pak Izabela në histori. Mbase më e famshmja ajo që i dha paratë Kolombit të gjente Indinë dhe në vend të saj ai gjeti Fidel Kastron…uuppss…Fidel Kastroja në atë kohë duhet të ishte vetëm një avokat i thjeshtë, që mbase kishte ndonjë të dashur , që quhej Izabel, por jo vetëm komunizmi, që nuk ishte shpikur, por nuk ishin shpikur as purot “Guantanamera”. E megjithatë Izabela, “mon amour” shiti ca nga xhevairet personale, si investim me një rikthim shumë të lartë se ato, që i quajnë sot 401K. Por e gjora Izabel, nuk e dinte që investimi do binte në duar të këqija dhe do përdorej për të shpënë para skuadrave të pushkatimit edhe trashëgimtarët e fundit të saj, të vetë Izabelës së bukur, që nuk deshte më shumë se një rritje të vlerës së gjerdhanëve të saj të shtrenjtë, të cilët përkuleshin mbi gjoksin e saj të masës D, por qe gojët e liga thonin se ishte vetëm C dhe kishte një ‘theksim” në sajë të përdorimit të një lënde të re , sekretin e të cilës e njihnin vetëm magjistarët e oborrit të Izabelës. Nuk quhej silikon. Aspak mundet ajo të parashikonte se i jati i një Izabele tjetër të famshme do vetvritej, për mos ju dorëzuar i gjallë armikut të klasës, që donte të rikthente kohët e lavdishme të Izabelës dhe “konkuistadorëve”. Dhe Alendja ishte e vetmja Izabel e famshme e kohëve moderne, se dhe e bukura vajzë e Ingrid Bergmanit, pati një trashje të paparë të qafës, sa humbi gjithë elegancën e të jëmës dhe Izabelave të bukura latine.

Ndërsa unë dëgjoj Aznavurin , që të “lodh kokën” duke përsëritur 362 herë brenda tre minutave Izabel, Izabel, Izabel…

Pas 23 vjetësh e kuptoi edhe… Paridi.

Të kuptosh se në Shqipëri ka një korrupsion të “papam” edhe pa shkelur në Mëmëdhe nuk ka nevojë të kesh ndonjë arsim të veçantë apo gradë shkencore. Bile edhe analfabet të jesh, por thjesht në gjendje të njohësh paratë. Kujtoja se e dinin të gjithë pa përjashtim, që në krye të këtij korrupsioni qëndrojnë dy partitë, që kanë qeverisur Shqipërinë në këto 23 vjet. Paskam qënë i gabuar. Këto ditë e paska mësuar Parid Turdiu dhe me një deklaratë në FB, ka hequr mbështetjen e tij ndaj PD-së.
Me sa kujtoj, Paridi duhet të jetë vëllai i Silva Turdiut dhe studionte inxhinieri një vit ose dy sipër meje. Për fatin e tij të keq ndodhën ato , që i dinë të gjithë dhe ai humbi të drejtën të vazhdonte studimet dhe pësoi me siguri edhe persekutime të tjera.
Problemi nuk është thjesht Paridi, një burrë i shkolluar, që kupton me shumë vonesë, se PD-ja ka të njëjtin kontribut në korrupsionin  e tmerrshëm që ka zaptuar politikën shqiptare. Po sa Paridë të tjerë ka ende në Shqipërid he jashtë saj, që edhe pse kanë mend dhe nuk janë të implikuar, mbështesin njërën Parti për “inat të tjetrës”?
Në politkën shqiptare nuk ka të majtë e të djathtë sikundër mendojnë njerëz që ideologjikisht i përkasin një krahu të caktuar. Politikat e partive, që kanë qeverisur, nuk kanë pasur nuance të tilla. Shpesh vendimet e një qeverie të Djathtë kanë qënë më të majta se mund t’I donin të tjerët dhe anasjelltas. Për më tepër tek to ka mbizotëruar e njëjta mënyrë e rrëmbimit me të dy duart nga pasuria e përbashkët.
C’do ndodhë pas deklaratës së Parid Turdiut?
Politikanët e PD-së me siguri do hezitojnë një çast, do mendohen dhe në fund do vazhdojnë “drugën” duke thënë:
 “Je uon Parid, je uon!”


Monday, 2 June 2014

Lagjistat (3)

(vijim)
U deshën disa pasdite dhe të djela që burrat e Bllokut të hapnin gropën e madhe të v/strehimit. Ishte një punë që bëhej vetëm me kazma dhe lopata dhe sa më thellë shkohej, aq më të vështirë e kishin burrat që nuk kishin punuar ndonjëherë në bujqësi, të hidhnin dheun e gërmuar jashtë gropës stërmadhe. Një pasdite edhe vetë Sekretari i Parë i Partisë, që banonte në Bllokun tonë, mori pjesë për disa orë në gërmim sistemimin e gropes. Sigurisht që kjo rriti më shumë entusiazmin e pjesëmarrësve dhe sidomos të lagjistave, të cilët ndjenin nga afër dorën e Partisë dhe vlerësimin e punës së tyre të shkëlqyer organizative. Më i gëzuari ishte burri i gjatë serioz, i cili i kërkoi djalit të tij të vogël, të recitonte një vjershë për Partinë në prani të shokut Mihallaq dhe të atyre që e shoqëronin. Djali i vogël dhe i mençur i burrrit të gjatë serioz recitoi një vjershë të gjatë e cila në fund u prit me duartrokitje. Kjo e entusiazmoi babanë lagjist, që kërkoi nga i biri edhe një vjershë të dytë. Vogëlushi ndoshta i lodhur, herën e dytë recitoi një vjershë të shkurtër, e cila më vonë u bë proverbiale:
“I biri I Maqkës
Me të bijën e Taqkës
Shkonin në dëborë,
I binin me dorë.”
-Ore Guri- thirri i tmerruar babai serioz, por djali që vraponte të largohej  përsëriste duke e theksuar “…I binin me dorë!”. Edhe thirrja e fundit e dëshpëruar:”More Guri po është xhaxhi Mihallaq!” mori të njëjtën përgjigje lakonike ‘…I binin me dorë!”
Nuk kujtoj reagimin e sho Mihallaq dhe se si vazhdoi ajo pasdite me punë vullnetare, por vendstrehimet mbinë si kërpudha në gjithë qytetin dhe vite më vonë u kthyen në gropa septike të një lloji të veçantë. E megjithatë nuk ka pse të bëjmë me faj Lagjistat, të cilët jo vetëm nuk kishin në dorë politikën e mbrojtjes nga sulmet ajrore, por me devotshmëri dhe pa shpërblim bënin punën që ju pëlqente, e cila kishte të bënte më shumë me “futjen e hundëve në punët e të tjerëve”.

Kur u rritëm, patëm të bënim shumë pak me Lagjistat, të cilët edhe pse të devotshëm përbuzeshin nga shumica e qytetarëve. Sot më vjen keq për ta, se shoh që puna vullnetare, në vendin ku jetoj vlerësohet, por në atë kohë, sepse kishte diçka që nuk shkonte me punën vullnetare të atyre që kalonin pasditet në Bllokun e Frontit Demokratik. Puna e tyre zjente sidomos  gjatë fushatave elektorale dhe në mënyrë të veçantë ditën e zgjedhjeve. Anëtarë të Frontit Demokratit ishin të gjithë shqiptarët mbi 18 vjeç, përveç atyre të përjashtuar ndoshta me vendim gjykate. Lagjistat zbukuronin qendrën e Bllokut dhe ngrinin edhe një ose dy kabina të frikshme elektorale, ku votuesit duhet të hynin dhe të ndryshonin emrat e kandidatëve, të cilët ishin vetëm të Frontit, por ishin shumë të rrallë ata që e bënin,se nuk donte t’ju shkonte emri në Vendet e Tmerrshme të makinës diktatoriale, në rast se kishte vota kundër. Në përgjithësi qytetet nuk kishin problem, se njerëzit kishin hyrë të gjithë “në vathë“, por në fshatra kisht e njerëz, që këmbëngulnin se nuk do votonin nëse nuk ju plotësohej një kërkesë e caktuar. Lagjistat tanë kishin problem të vetëm, që t’ja u kalonim qendrave të tjera të votimit. E djela e parë e votimit tim duhet të ketë qënë më 1977 dhe nuk e di nëse kam votuar për deputetët apo për këshillat dhe gjykatat popullore. E di që u ngritëm shpejt se na trokiti një lagjiste në dera duke thirrur “Hajde t’ja u kalojmë qendrave të tjera!” Para qendrës që nuk ishte hapur prisnin shumë njerëz të përgjumur, që mendonin të mbaronin punë shpejt e të shkonin të futeshin sërish në rroba. Nga altoparlantët buçisnin këngë popullore ose të tjera rreth partisë, po pas 5 minutave,të pritjes, Qendra e Votimi hapej dhe të gjithë në rradhë kryenin ritualin. Paraqisnin letërnjoftimin tek mësuesi i të mesmes, që nuk donte t’i fusnin qeraxhinj në shtëpi dhe pasi ai kontrollonte listën dhe hiqte vijën ja kalonte mësuesit të fillores, që e kishte pasur të jatin hoxhë dhe ai shkruante diçka shpejt dhe më pas njëra nga gratë në kemp të jepte fletën e votimit. Pranë “dhomës së fshehtë“ priste kapteri i liruar, ndërsa pranë kutisë të vendosur në një vend të stolisur, rrinte gruaja tjetër në kemp , që i buzëqeshte të gjithëve para dhe pasi futnin fletën e votimit të palosur në kuti. Ishte një rit pa zhurrmë, por me një lloj tensioni të brendshëm, sidomos për ata, të cilët kishin palosur keq fletën dhe mezi e fusnin në të çarën e kutisë. Me siguri nuk donin që t’ju merrej nervozizmi, si shenjë proteste ndaj Partisë. Të pakët ishin ata që nderonin me grusht pasi shpëtonin nga fletëfutja.
(vijon)

Sunday, 1 June 2014

Përse jam kundër “hosanave”.

Sot në Tiranë po shënjtërohet Katedralja e madhe e Tiranës, ose si disa të tjerë e quajnë Kompleksi Ortodoks. Një ditë e bukur për të gjithë besimtarët e sidomos për klerikët, që e kanë vendin e tyre të punës dhe të lutjeve.
Ceremonitë dhe festat janë pjesë e pandarë dhe e domosdoshme e një shoqërie. Edhe në përurimin e një shtese në shtëpi, shqiptarët duan ta festojnë me miqtë e të afërmit duke shtruar dreka e darka. Ndaj festa për shenjtërimin e një tempulli fetar, patjetër që do jetë më e madhe më e bukur dhe më “gjithpërfshirëse”.
Nuk më ka qëlluar të marr pjesë në një ceremoni të tillë. Të vetmen herë, që kam qënë në një ceremoni “bekimi”, ka qënë rreth vitit 1995, me rastin e hapjes së një salle Bilardosh, ku njëri nga prftërinjtë e dashur të qytetit tim(PapaJani, PapaIloja apo PapaSpiroja) spërkati muret dhe neve bashkë me ‘ujë të bekuar”, i cili shpërndahej me anë të një tufe dafinash, ose të një bime tjetër erëmirë. Nuk di se sa i shërbente “bekimi” funksionit të ndërtesës, se dihej që atje gjysmën e kohës do luhej kumar.
Po le të hidhemi në Festa e sotme e shënjtërimit dhe raporti i saj me shoqërinë shqiptare dhe politikën. Në ceremoninë e shenjtërimit(Nuk di, se si mund të shenjtërohet një vend dhe një bina. Katedralja ze më duket një pjesë lulishteje dhe një pjesë të një oborri të madh të pasëm të Ministrisë së Mbrojtjes, që kushedi sa gjynahe mban nga kohët e Diktaturës.)
Sot, në vend që në rradhët e para të Katedrales të ishin fëmijët, handikapatët dhe ata të cilët Jezui i priste krahëhapur muajve të famshëm të Galilesë dhe Jeruzalemit, ishin “djajtë“. Rama, Nishani, Meta, Basha dhe kompania bella. Nuk arrij të kuptoj, se përse në një ceremoni thellësisht fetare edhe pse festive duhen ftuar “supergjynahqarët”. Për të na kujtuar edhe sot që këta kemi në krye?
Asnjë nuk e di se kur do kthehet Krishti në tokë. Ndoshta dhe s’ka për tu kthyer kurrë. Po nëse do ishte kthyer sot në Tiranë, me siguri do ju futej me kamzhik politikanëve tanë me mustaqe e pa mustaqe dhe t’i nxirrte jashtë Tempullit të Zotit.

Atëhere të gjithë do përuleshim e do thërrisnim “Hosana!”