Nuk di nëse ëndrra jonë për të lundruar, ka zënë fill në kohën
e “mbylljes së rrugëve”, kur shumë njerëz donin të shkonin në Botën e Lirë, për
t’u bashkuar me të afërmit e tyre a për të jetuar si ja u thoshte mendja dhe jo
Sekretari I Partisë. Më kishte rënë në sy, që njerëzit përmendin me adhurim
vaporët, anijet, motoskafët. Nuk zinte njeri në gojë jahtet, se në Korçë nuk
kishte det apo liqen të madh dhe Lumi I Korçës ose Drenica kishte shumë pak ujë.
Diçka më shumë kishte Dunaveci, por as ai nuk ishte i lundrueshëm dhe vetëm Rikardo Jorganxhiu kishte besuar në fund
të viteve ’60, që “flota e 6-të amerikane kishte hyrë në Dunavec” dhe kishte
hipur biçikletën dhe qe sulur ta shikonte.
Me siguri, në qytetet e tjera, që lageshin nga Adriatiku apo
Joni, apo edhe Liqeni i Shkodrës, fëmijët rriteshin me ëndrrën për të lundruar
apo projektuar anije. Flitet , që edhe Noe-ja një ëndërr të tillë kishte dhe ju
lut gjithë jetë Perëndisë ta bënte ujë dynjanë, se jetonte në një vend malor
dhe nuk kishte hipur kurrë ne një gjemi.
Po le të kthehemi në qytetin tim të lindjes, ku deri në Luftën
e dytë Botërore 90% e meshkujve nuk dinin not, ndërsa femrat edhe pse më të
emancipuara se në qytetet e tjera shqiptare, në ujë kishin hyrë vetëm kur lanin
me kopanë levenxet. Kur isha në fillimet e ëndrrës për tu bërë arkitekt, u bënë
disa prishje në qendër të qytetit, që do hapnin një shesh më të madh, ku do ndërtoheshin
Komiteti i Partisë, Pallati i Kulturës dhe një MAPO- shumëkatëshe. Partia,
Kultura dhe Ekonomia do ishin 3 shtyllat e qytetit në vitet ’80 e tëhu. Të
gjithë nostalgjikët e qytetit të vjetër bashkoheshin në mendimin “po prishej o
Farmacia e Cekanit! Ku kishte si ajo! Si vapor!” Vetë nuk më ishte dukur ndonjëherë
e tillë ndërtesa 4 katëshe e ngjashme me çdo ndërtim në qytetet Europiane, kur
ka një bigëzim rrugësh të ngushtë. E megjithatë, refreni “ishte si vapor”, më
qe ngulitur në mendje, aq shumë sa gjatë shkollës projektova një hotel, të
ngjashëm me një anije, që dukej se krijoi xhelozi tek një bashkëstudenti im, I cili
me siguri urrente ujrat, se zhgryhej tërë ditën në Ura e Lanës. Ai ma mbushi
gjithë pamjen kryesore të hotelit me gryka topash luftarakë, disa prej të cilëve
edhe tymosnin, që bëri të dukej si një kryqëzor dhe kjo të shkaktonte uljen e
një note. E megjithatë ëndrra ime jo vetëm mbeti e gjallë, por më vonë pashë se
të njëjtën kishin edhe shumë arkitektë të tjerë të rinj. Njëri syresh projektoi
një kompleks disa katësh në Plazhin e Durrësit, diku prapa Breshkës, që u quajt
menjëherë “vapori”.
E megjithatë, kulmin e Arkitekturës shqiptare
Antidilluviane(këtë degë të arkitekturës sonë e ka shpikur i njëjti arkitekt
ujramosdashës, që ka kritikuar edhe hotelin e famshëm në Dubai) e mban një ndërtim
në Shijak(ose në një pjesë tjetër fushore të atdheut), që duket tamam sin jë
vapor mallrash i shartuar me jaht. Në të janë ndërthurur luksi i jahtit të Bill
Gates, me soliditetin e anijes sonë të famshme “Arbëria”. Duhet të jetë hotel ,
po aq sa mund të jetë edhe fabrikë e përpunimit të kumbllave apo zyrat e një
kompanie stërmadhe sigurimesh shqiptare. Por nuk do çuditesha edhe sikur të
ishte një kompleks fetar i një rryme të re evangjelisto-muhamedane e pasuesve të
Nuhit.
Pasi pashë këtë objekt, që ka qënë ëndrra e të gjithë
projektuesve shqiptarë thirra:
“Tani le të bëhet Qameti!”
No comments:
Post a Comment