Thursday, 5 June 2014

Oh sa e pëlqej këtë këngë!

Një duet i mrekullueshëm, ku gërshetohet muzika klasike dhe notat e larta të kapura nga tenori Kastriot Tusha me tingujt e gërrnetës, fyellit dhe timbrin e ngrohtë burimor të këngëtares Eli Fara. Ah po ndjehet qartë edhe kitara elektrike bass, që e sjell kombinimin e barokut me karadyzenin në kohët më moderne. Pa le fjalët!
Oh lirika e dashurisë të munguar, bërë kotkë me thirrjet gjakderdhëse të kasapëve!
“ Në se ka mbetur zemra ime
Brenda teje si dikur nga Dashuriaaaa
Unë do të të pres të të takoj
Edhe njëherë në këtë jetë nga Rastësiaaaa”
Menjëherë të shkon mendja në ritet e fiseve Maja, që në tempujt plot shkallë të Jukatanit, sakrifikonin të rinj e të reja të kapur rob, duke ju hequr zemrën nga gjoksi dhe duke e gëlltitur. Me siguri mes tempujve të shumtë dhe me emra abstraktë apo filozofikë duhet të ketë qënë edhe Tempuli i Rastësisë, ku I sakrifikuari shpreson të takojë zemërgëlltitësen. Një frymëzim qiellor dhe gati gati alien.
Dhe nëse fryma po më mbahet
Më beso se unë gjithë jetën të kam dashur
Je marrëzia e buzës sime
Je trishtimi më i bukur që kam pasur.”
Ja kjo është poezi! Metafora ‘marrëzia e buzës sime” e “papame” deri më sot. Për më tepër mosbesimin që të sjell frymëmbajtja e tjetrit, tretet në vend kur i thua “Je trishtimi më i bukur që kam pasur”.
Kënga fillon që në vargun e parë të të trondisë me atmosferën anatomike të fjalëve. Pritet diçka e pazakontë të ndodhë.
“…zemra më ka ngrirë
Që kur s’të kam parë.
E mbylle derën më le vetëm
Ndoshta ti s’më doje tepër…”
C’do ndodhë- pyet i tmerruar dëgjonjësi me një fantazi mesatare. Diçka mes një operacioni të transplatimit të zemrës, kur në kutinë e mbushur me akull vjen zemra, që i është hequr një të vrari në aksident dhe vargjeve të bejtes popullore “dy zemra të lidhura, dy ushkurë të zgjidhura”. Gjeniale! E paparashikueshme! Dhe e paparashikueshmja është në fjalën “Asnjëherë“ (Pak a shumë si në “Korbi”)
“ Asnjëherë s’ja fala vetes,
Asnjëherë jo nuk guxova,
Asnjëher atë që ndjeja të ta them…”
Dhe kur të gjithë presin me gojë hapur fjalët magjike , që kanë mbetur ndrydhur në një nga organet e tjera veç zemrës së hequr ai përsërit:
“ Në se ka mbetur zemra ime
Brenda teje si dikur nga Dashuriaaaa…”
Ik o pirdhu!
Po nëse e harron ti zemrën ku të mundësh ne ta kemi fajin?!!





No comments:

Post a Comment