Monday, 2 June 2014

Lagjistat (3)

(vijim)
U deshën disa pasdite dhe të djela që burrat e Bllokut të hapnin gropën e madhe të v/strehimit. Ishte një punë që bëhej vetëm me kazma dhe lopata dhe sa më thellë shkohej, aq më të vështirë e kishin burrat që nuk kishin punuar ndonjëherë në bujqësi, të hidhnin dheun e gërmuar jashtë gropës stërmadhe. Një pasdite edhe vetë Sekretari i Parë i Partisë, që banonte në Bllokun tonë, mori pjesë për disa orë në gërmim sistemimin e gropes. Sigurisht që kjo rriti më shumë entusiazmin e pjesëmarrësve dhe sidomos të lagjistave, të cilët ndjenin nga afër dorën e Partisë dhe vlerësimin e punës së tyre të shkëlqyer organizative. Më i gëzuari ishte burri i gjatë serioz, i cili i kërkoi djalit të tij të vogël, të recitonte një vjershë për Partinë në prani të shokut Mihallaq dhe të atyre që e shoqëronin. Djali i vogël dhe i mençur i burrrit të gjatë serioz recitoi një vjershë të gjatë e cila në fund u prit me duartrokitje. Kjo e entusiazmoi babanë lagjist, që kërkoi nga i biri edhe një vjershë të dytë. Vogëlushi ndoshta i lodhur, herën e dytë recitoi një vjershë të shkurtër, e cila më vonë u bë proverbiale:
“I biri I Maqkës
Me të bijën e Taqkës
Shkonin në dëborë,
I binin me dorë.”
-Ore Guri- thirri i tmerruar babai serioz, por djali që vraponte të largohej  përsëriste duke e theksuar “…I binin me dorë!”. Edhe thirrja e fundit e dëshpëruar:”More Guri po është xhaxhi Mihallaq!” mori të njëjtën përgjigje lakonike ‘…I binin me dorë!”
Nuk kujtoj reagimin e sho Mihallaq dhe se si vazhdoi ajo pasdite me punë vullnetare, por vendstrehimet mbinë si kërpudha në gjithë qytetin dhe vite më vonë u kthyen në gropa septike të një lloji të veçantë. E megjithatë nuk ka pse të bëjmë me faj Lagjistat, të cilët jo vetëm nuk kishin në dorë politikën e mbrojtjes nga sulmet ajrore, por me devotshmëri dhe pa shpërblim bënin punën që ju pëlqente, e cila kishte të bënte më shumë me “futjen e hundëve në punët e të tjerëve”.

Kur u rritëm, patëm të bënim shumë pak me Lagjistat, të cilët edhe pse të devotshëm përbuzeshin nga shumica e qytetarëve. Sot më vjen keq për ta, se shoh që puna vullnetare, në vendin ku jetoj vlerësohet, por në atë kohë, sepse kishte diçka që nuk shkonte me punën vullnetare të atyre që kalonin pasditet në Bllokun e Frontit Demokratik. Puna e tyre zjente sidomos  gjatë fushatave elektorale dhe në mënyrë të veçantë ditën e zgjedhjeve. Anëtarë të Frontit Demokratit ishin të gjithë shqiptarët mbi 18 vjeç, përveç atyre të përjashtuar ndoshta me vendim gjykate. Lagjistat zbukuronin qendrën e Bllokut dhe ngrinin edhe një ose dy kabina të frikshme elektorale, ku votuesit duhet të hynin dhe të ndryshonin emrat e kandidatëve, të cilët ishin vetëm të Frontit, por ishin shumë të rrallë ata që e bënin,se nuk donte t’ju shkonte emri në Vendet e Tmerrshme të makinës diktatoriale, në rast se kishte vota kundër. Në përgjithësi qytetet nuk kishin problem, se njerëzit kishin hyrë të gjithë “në vathë“, por në fshatra kisht e njerëz, që këmbëngulnin se nuk do votonin nëse nuk ju plotësohej një kërkesë e caktuar. Lagjistat tanë kishin problem të vetëm, që t’ja u kalonim qendrave të tjera të votimit. E djela e parë e votimit tim duhet të ketë qënë më 1977 dhe nuk e di nëse kam votuar për deputetët apo për këshillat dhe gjykatat popullore. E di që u ngritëm shpejt se na trokiti një lagjiste në dera duke thirrur “Hajde t’ja u kalojmë qendrave të tjera!” Para qendrës që nuk ishte hapur prisnin shumë njerëz të përgjumur, që mendonin të mbaronin punë shpejt e të shkonin të futeshin sërish në rroba. Nga altoparlantët buçisnin këngë popullore ose të tjera rreth partisë, po pas 5 minutave,të pritjes, Qendra e Votimi hapej dhe të gjithë në rradhë kryenin ritualin. Paraqisnin letërnjoftimin tek mësuesi i të mesmes, që nuk donte t’i fusnin qeraxhinj në shtëpi dhe pasi ai kontrollonte listën dhe hiqte vijën ja kalonte mësuesit të fillores, që e kishte pasur të jatin hoxhë dhe ai shkruante diçka shpejt dhe më pas njëra nga gratë në kemp të jepte fletën e votimit. Pranë “dhomës së fshehtë“ priste kapteri i liruar, ndërsa pranë kutisë të vendosur në një vend të stolisur, rrinte gruaja tjetër në kemp , që i buzëqeshte të gjithëve para dhe pasi futnin fletën e votimit të palosur në kuti. Ishte një rit pa zhurrmë, por me një lloj tensioni të brendshëm, sidomos për ata, të cilët kishin palosur keq fletën dhe mezi e fusnin në të çarën e kutisë. Me siguri nuk donin që t’ju merrej nervozizmi, si shenjë proteste ndaj Partisë. Të pakët ishin ata që nderonin me grusht pasi shpëtonin nga fletëfutja.
(vijon)

No comments:

Post a Comment