Thursday, 5 June 2014

Unë votova – Voto edhe ti!

Ky është slogan që nuk i drejtohet askujt, se askujt nuk i bie ndërmend nëse votova unë dhe aq mç pak mund të ndikohet nga unë e të ngrihet e të votojë. Sigurisht nuk jam budallallosur aq sa të shkruaj për rëndësinë e votimit, për procesin demokratik të zgjedhjes të përfaqësuesit apo të partisë që të pëlqen, apo për ushtrimin e të drejtës tënde bazë e porrdhë të tjera si këto. Unë votova sot se më erdhi për të votuar, sikundër nuk votova herën e fundit, kur kishte zgjedhje sepse nuk më erdhi për të votuar.
(“Sa i paekulibruar , që je!”- do hidhet këshilltari juridik i avokatit tim, që nuk heziton të më kritikojë, sa herë bëj veprime të nxituara, të papeshuara mirë dhe sidomos që nuk kanë asnjë efekt në jetën time apo të familjes sime.) Po ja unë arrita që e hodha vetën dhe si më ndodh rëndom këto 6 muajt e fundit nuk rri dot edhe pa e thënë.
Pasi hodha votën e pyeta veten “Përse votova?”, po nuk gjeta dot përgjigje. Jam fare në hava për sa i përket politikës në Kanada dhe në Ontario(për parlamentin e Provincës votohet këtë rradhë). Në pushtet, siç ndodh edhe në rang vendi, vijnë njëherë në fuqi Konservatorët dhe pasi bien ata rrinë për ca vjet më shumë Liberalët. Janë sin jë lloj imitimi i partive engleze, por me dallimin, që Liberalët e këtushëm kanë qeverisur më gjatë duke filluar nga vitet ’60, se Laburistët englezë. Ka edhe një parti të tretë, e cila nuk është as e Qendrës së Djathtë dhe as e asaj të Majtë, po është si më shumë e Majtë e Majtë pa qënë e ekstremit të Majtë. Dhe për këtë Parti votova sot. Dhe për këtë parti pata votuar edhe herën e fundit, që ishte edhe e vetmja herë që votoja. Kam si qejf kur votoj për Partitë që nuk vijnë kurrë në pushtet. Se  në këtë mënyrë mund të grindem e të llomotis ditë e natë. Dhe njëkohësisht ndjehem xhepërisht dhe shpirtërisht pranë Partive të Kripave.
Po përse votova për Partinë e Kripave dhe jo ndonjë parti tjetër të majtë(kripash) si Ekologjikja apo edhe Komunistja. Ka një emër që më pëlqen. Shpresëdhënës. Partia e Re Demokratike . Po mos sjellë risi në jetën demokratike të vendit Partia e Re Demokratike kush mund ta bëjë? Ngre supet.
Nëse je edhe ti një zgjedhës si unë, që ke një kokë mbi supe, por këto të fundit i mban ngritur sa herë të pyesin, bëj si bëra unë;

-Voto edhe ti!

No comments:

Post a Comment