Wednesday, 4 June 2014

Izabelë

Mbase dhe ky një emër çifut (Ka në Bibël Izabelë). Me siguri që ka. Zabel është një emër ermen femre, të  cilin e kam dëgjuar prej fëmijërisë dhe me siguri duhet të ketë ndonjë referencë në Bibël. Pastaj janë pak, shumë pak Izabela në histori. Mbase më e famshmja ajo që i dha paratë Kolombit të gjente Indinë dhe në vend të saj ai gjeti Fidel Kastron…uuppss…Fidel Kastroja në atë kohë duhet të ishte vetëm një avokat i thjeshtë, që mbase kishte ndonjë të dashur , që quhej Izabel, por jo vetëm komunizmi, që nuk ishte shpikur, por nuk ishin shpikur as purot “Guantanamera”. E megjithatë Izabela, “mon amour” shiti ca nga xhevairet personale, si investim me një rikthim shumë të lartë se ato, që i quajnë sot 401K. Por e gjora Izabel, nuk e dinte që investimi do binte në duar të këqija dhe do përdorej për të shpënë para skuadrave të pushkatimit edhe trashëgimtarët e fundit të saj, të vetë Izabelës së bukur, që nuk deshte më shumë se një rritje të vlerës së gjerdhanëve të saj të shtrenjtë, të cilët përkuleshin mbi gjoksin e saj të masës D, por qe gojët e liga thonin se ishte vetëm C dhe kishte një ‘theksim” në sajë të përdorimit të një lënde të re , sekretin e të cilës e njihnin vetëm magjistarët e oborrit të Izabelës. Nuk quhej silikon. Aspak mundet ajo të parashikonte se i jati i një Izabele tjetër të famshme do vetvritej, për mos ju dorëzuar i gjallë armikut të klasës, që donte të rikthente kohët e lavdishme të Izabelës dhe “konkuistadorëve”. Dhe Alendja ishte e vetmja Izabel e famshme e kohëve moderne, se dhe e bukura vajzë e Ingrid Bergmanit, pati një trashje të paparë të qafës, sa humbi gjithë elegancën e të jëmës dhe Izabelave të bukura latine.

Ndërsa unë dëgjoj Aznavurin , që të “lodh kokën” duke përsëritur 362 herë brenda tre minutave Izabel, Izabel, Izabel…

No comments:

Post a Comment