“Ke frikë se të rrezikohet karriera nga inteligjenca artificiale?” – më pyeti para një jave një i njohur, i cili nuk ishte nga këta që flasin kot, sepse ka një PhD në matematikë, përpos që i jati kishte qënë fitues i çmimit Nobël në fizikë. Matematikani është 45 vjeç dhe padyshim që njeh mirë zhvillimet më të fundit në fushën e kompjuterave dhe të Inteligjencës Artificiale.
Ju përgjigja si çdo i paditur në moshën time, që jam drejt
fundit të karrierës dhe nuk më bëhet vonë për inteligjencën artificiale. (I
trembem më shumë një reumatizme të mundshme.)
Më vonë mendova të lëçit se deri ku është kjo puna e “artificiales”
dhe nëse “intelektualët artificialë“ do jenë në gjendje të zëvendësojnë “intelektualët
bio”, që janë aq të shumtë në botë dhe më të shumtë në Ballkan.
Mësova që unë e kam “inteligjentin artificial”, i cili quhet
Siri në telefonin tim, por e përdor vetëm kur takohem me nipin, që ka qejf të
flasë me telefonin dhe t’i bëjë Siri-t pyetje, të cilave ai nuk ju përgjigjet
dot. Mësova edhe se Siri dhe të ngjashmit me të hyjnë në ANI, ose po ta shqipëroj,
në “inteligjentët artificialë mendjengushtë“, që mund të zgjidhin vetëm problem
të caktuara. Si të thuash Siri është një “axhami” në këtë fushën e artificialëve.
Por “axhaminjtë“ mund të rriten dhe të arrihet në makina që janë në gjendje të
mendojnë sa njerëzit mesatarë dhe të tilla, që mund të mendojnë më shumë edhe
se gjenijtë (ASI).
Kjo më trembi dhe
thashë me vete “ndalu beg se ka hendek”!
Mbi bazën e ndërtimit të tyre hyn “mendimi racional” dhe
kushedi ç’përbindësha racionalë do krijohen, që nuk do kenë pikën e altruizmit,
dhembshurisë dhe mëshirës. Se të gjitha ndjenjat e mësipërme janë e kundërta e
të qënit racional. Racionalët mbijetojnë, grumbullojnë dhe fitojnë. Kjo është
motoja e tyre.
Unë nuk dua të jetoj në një botë, kur “një mangë mafioz” është
në gjendje të blejë makinën mëë të përparuar të inteligjencës artificiale dhe të
marrë prej saj këshilla se si të sundojë një vend, një grup vendesh madje edhe
tërë globin.
Mund të më thoni se trembem kot, se për këtë do ketë
legjislacione të studiuara mirë, të cilat nuk do lejojnë abuzime me Inteligjencën
Artificiale , por do përdoret vetëm në dobi të popujve.
Këto pordhë me rigon
ka më se 60 vjet që i dëgjoj!
No comments:
Post a Comment