Monday, 26 December 2022

Qumështori

 

Unë ja di emrin Qumështorit, por këtu po parapëlqej të shkruaj nofkën e tij, që jo të gjithë ja dinë. Qumështori ka një moshë jo fort të dallueshme ndaj shumë lehtë mund të thuash se është 42 vjet, por nuk gabon shumë edhe nëse thua 70. Kjo nga që ka “baby face” dhe mbase është arsyeja kryesore që i kanë ngjitur nofkën Qumështori. A ndoshta e pëlqente shumë këtë gatim të anëve tona, që është e zorshme ta gjesh në ndonjë lokal. Nuk është e pazakontë në anët tona që dikush të njihet me emër gjelle ose ëmbëlsire, nga që e pëlqen shumë, ose ka karakter që të kujton ëmbëlsirën ose gjellën. Kështu një këngëtar njihet me nofkën Turta, një shofer e thërresin Comleku dhe një ish-hetues Akullorja.

Dikur, në vitet e largëta të ndryshimit të sistemit, për arsye të paqarta politike, njëra nga partitë në pushtet (e majta ose e djathta) e kishte futur në burg Qumështorin se ishte ose i majtë ose i djathtë. Qumështori kishte bërë pak kohë brenda, por kjo nuk kishte ndikuar as në shëndetin, as në buzëqeshjen e tij dhe as në fytyrën e tij të parrudhë. Kishte mbetur po aq i qumësht.

E dallova nga larg ndërsa vinte drejt meje në trotuar dhe i fola. Më ktheu përshëndetjen, por nuk i ndali hapat. “Kot më fole”- i thashë“se nuk më njohe.” “Si o s’të njoha!” mu përgjegj dhe ndali. “ E kush jam?”-vazhdova me mënyrën time ngacëse. “Ti je ay…ay i Kanadasë!”- dhe ndërkohë picërroi sytë për të kujtuar emrin, që nuk i vinte ndërmend. “Cili ay i Kanadasë?” “Po dale bre se në gojë e kam…edhe të kemi zënë në gojë pardje….që shite shtëpinë….edhe që shpërdorove bibliotekën e titeti!” dhe më zuri dorën për të mos më lënë të ikja pa më kujtuar emrin.

E pashë që Qumështori me të vërtetë e dinte se cili isha, por nuk i kujtohej emri im. Kurse unë ja kujtoja edhe emrin edhe nofkën. Edhe që e kishin futur në burg të shtyrë nga motive politike. Por i sëndisur nga akuza për “shpërdorim biblioteke të tim eti” nuk ja thosha emrin. Mendja më shkonte në disa kafene të qyetetit tim, ku shkojnë kohën Qumështorët, Asudet, Sodhanikët, Ashuret, Pispilitë dhe gjithfarë njerëzish të tjerë me nofka ëmbëlsirash ose llojesh të tjera gatimi dhe tjerrin për të bërat e të pabërat e të tjerëve. Dhe nuk e bëjnë se janë dashakeqas.

Thjesht nuk kanë se ç’bëjnë!

No comments:

Post a Comment