Wednesday, 7 December 2022

Le ta quajmë Suelka

 


Unë zgjodha ta quaj Suelka, sepse nuk ja di emrin, por di vetëm që i gjyshi quhej Sulo. I gjyshi Sulo ishte ushtarak dhe jo polic, për të mos u ngatërruar me të famshmin policin Sulo me dhëmbë të florinjtë.

Gruaja që zgjodhëm ta quajmë Suelka pa qënë të sigurt për të, është e gjatë, e hijshme dhe pëlqen të vishet bukur. Në të ritë e saj mund të kishte qënë edhe fotomodele, por në të ritë e saj, Partia dhe Qeveria nuk lejonin të kishte modele dhe për më tepër gjyshi Sulo ishte edhe shumë i vendosur në çështjen e Partisë dhe të Popullit. Kishte shumë dhjetvjeçarë, që ai përgatitej vetëm për një ditë. Ditën kur armiqtë e shumtë të jashtëm të sulmonin Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë. Atë ditë ata do përballeshin me vendosmërinë e ushtarakut Sulo dhe të gjithë Sulove të tjerë, që do derdhnin edhe pikën e fundit të gjakut për çështjen e Partisë dhe të Popullit. Për fatin e mirë të Sulos dhe të Suelkës ajo ditë nuk erdhi, por erdhi dita kur armiqtë e brendëshëm rrëzuan shtatoret e Komandantit dhe gjyshin Sulo mezi e mbanin mos rrëmbente sëpatën dhe bënte ndonjë të pabërë. Fjalët e Suelkës e kishin qetësuar.

Më pas Suelka emigroi në Selanik, ku u njoh edhe me burrin e saj Cenin, dhe krijuan një familje të shëndoshë, punëtore dhe tepër patriotike. Ceni punonte në ndërtim dhe Suelka bënte lakrorë. I bënte aq të mirë, sa gjithë shitoret e Selanikut nuk porosisnin më tiropita, spanakopita dhe turli lloj pitash të tjera, por lakrorët e Suelkës. Në tre vjet Suelka tëholli mbi 1 milion e gjysëm petë dhe përdori mbi një ton e gjysëm gjalpë për lakrorët që “rrëmbeheshin” shitoreve të Selanikut. Nga grekët, se nga shqiptarët po e po.

Pas tre vjetësh me gjithë atë prokopi që kishin bërë vendosën të kthehen në Atdhe, pikërisht në qytetin ku kishte dhënë shpirt gjyshi Sulo. Ndërtuan një shtëpi me një restorant-piceri në katin e parë, se korçarët nuk hanë lakrorë jashtë, por me një picë edhe gënjehen se ndjehen kozmopolitë. E megjithatë, ajo nuk mund t’i harronte lekrorët, që i kishin sjellë begatinë. Në një mbledhje ku kryetari I bashkisë kishte mbledhur më të suksesshmit e fushës së Turizmit, ajo propozoi që në qytet të festoheshin Ditët e Lakrorit. Kryetarit të Bashkisë i pëlqeu idea si dhe Suelka dhe që prej asaj dite e propozoi si këshilltare të jashtëme për çështjet e Turizmit në Bashki. Ajo e pranoi me dëshirë, por këmbënguli të mbetej në sektorin privat dhe në sektorin publik të punësohej burri i saj Ceni. Si specialist i fushës së ndërtimit, Ceni u emërua të ndiqte investimet ndërtimore të bashkisë në arsim, shëndetsi dhe sport.

Sigurisht që kjo do ngjallte zilinë e mediokërve, që nuk kishin provuar emigrimin dhe nuk dinin se ç’ishte të tëhollje petë me shpejtësi marramendëse, ndaj dhe filluan shaethemet se kryetari shkonte pak si shpesh për të pjekur ndonjë gjë në furrën e Suelkës,gjë  që ishte jo vetëm e sajuar, dashakeqe, e paprovuar dhe cmirzezë, por mbi të gjitha ishte e pamundur. Në furrën me dru të Suelkës piqeshin vetëm pica dhe shumë rrallë, vërtet shumë rrallë, Ceni piqte llukanikët e shtëpisë që i bënin vetë.

Tashmë Suelka ka zgjeruar veprimtarinë e saj të biznesit dhe në organizon dhe celebron të çifte të çdo lloji në qytet. I pëlqejnë gëzimet dhe ngazëllehet kur çiftet këmbejnë puthjen e parë pasi thonë - Po. Dhe këtë e bën pa bërë asnjë dallim. Vetëm së fundmi ka organizuar edhe martesën e një çifti gay, gjë që refuzohej nga agjensitë rivale në biznes.

Kjo është Suelka. Gjithmonë kujton porosinë e gjyshit Sulo : “Mos u merr se kush e bën, si e bën dhe me kë e bën. Sekush e ka të tijën dhe e bën si të dojë“ Gjyshi Sulo këtë frazë legjendare e kishte thënë për karabinën Semionov, por me filozofinë e tij universale kishte përfshirë gjithshka që mund t’i vlente Suelkës.

 

No comments:

Post a Comment